Banorët: Prisnim të zhvilloheshim si fshat turistik, por duan të na lënë pa ujë
Përfshirja e
Gurit të Bardhë tek projekti i “100 fshatrave”, për banorët përfaqësonte një
mundësi për të ruajtur vlerat historike dhe kulturore të zonës duke i
ndërthurur me rritje të burimeve financiare, me tërheqjen e turistëve. Por
teksa i kishin hedhur sytë nga turizmi, banorët u përballën me një projekt
tjetër, që parashikon ngritjen e HEC-ve, çka sipas tyre, do të rezultonte me
dëme në mjedis dhe mungesë të ujit të pijshëm.
Ndërtimi i 4
HEC-ve këtë fshat të Klosit, i ka lënë ata në në pasiguri. Kompania “Gealb
Energy” sh.p.k përmes aplikimit
AN050820200003 në e-albania, ka kërkuar zbatimin e projektit “Ndërtim HEC Guri
i Bardhë 1 dhe Guri i Bardhë 2”, në fshatin Guri Bardhë të njësisë
Administrative Xibër të Bashkisë Klos.
Banorët e zonës
ngrenë shqetësimin se nuk janë informuar rreth këtij projekti dhe se kompania
nuk ka bërë dëgjesa publike me ta, pavarësisht detyrimit ligjor.
Ngritja e
peticioneve për anulimin e këtyre HEC-ve ka bërë bashkë banorët e fshatit për
të kundërshtuar ndërtimin e tyre. Pavarësisht kësaj, ata nuk janë të sigurtë
nëse janë anuluar me të vërtetë këto projekte apo jo.
Sipas banorëve,
projektet janë ndryshuar njëri pas tjetrit, vetëm që këto katër HEC-e të
ndërtoheshin dhe që banorët të binin dakord. Qendra Shqiptare për Gazetari
Cilësore posedon të dhënat e projektit të parë, që i’u është prezantuar
banorëve e që më pas nga kundërshtimet e tyre ky projekt supozohet të jetë
anuluar, pavarësisht se këto të dhëna duhet të bëheshin publike nga instancat
shtetërore. Nëse publiku kërkon të marrë informacion të plotë rreth tyre, kjo
gjë është e pamundur për sa kohë këto nuk janë bërë në asnjë rast publike.
Ndërmjet
Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës dhe Subjektit për qëllime të
veçanta “Gealb Energy” sh.p.k, krijuar nga Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive
“Sina 98” shpk, “Besland” shpk dhe “Albmërkuri” shpk, është nënshkruar kontrata
koncesionare e formës “BOT” (Ndërtim-Operim-Transferim) me Nr. 1139. & Nr.
437/3 Kol, datë 21.04.2017, për ndërtimin e hidrocentralit “Guri i Bardhë”. Në
zbatim të kontratës së sipërcituar HEC-i “Guri i Bardhë”, do të shfrytëzojë
potencialin hidroenergjetik të përrenjve të Zallit të Dishit dhe të Shehut,
degë të lumit Mat, Qarku Dibër, me karakteristikat e mëposhtme:
Në zbatim të
kontratës koncensionare, shoqëria “Gealb Energy” sh.p.k., më datë 11.09.2017 ka
paraqitur në MIE projektin e zbatimit të hidrocentraleve, të cilën Ministria e
ka dërguar tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore për kryerjen e Oponencës
Teknike Shtetërore. Pas kryerjes së Oponencës Teknike mbi projekt zbatimit të
hidrocentraleve, AKBN-ja ka depozituar në MIE Raportin e Grupit të Oponencës
Teknike, duke u shprehur si më poshtë:
Të pyetur se kur
janë informuar që në fshatin e tyre do të ndërtoheshe një HEC, të indinjuar
banorët e fshatit Gur i Bardhë shprehen se ishin njoftuar pasi projekti kishte
përfunduar.
Për të ndaluar
atë që e cilësojnë shkatërrim, ata ngritën peticione me 350 firma të cilat i
adresuan në institucionet shtetërore si: Ministria e Mjedisit, Ministria e
Infrastrukturës dhe Energjisë, Kryeministrisë dhe Presidencës. Ata thonë se nga
asnjë institucion nuk kanë marrë një përgjigje pas dorëzimit të peticionit. Peticioni
është dorëzuar dy vite më parë.
Banorët thonë se
përfaqësues të ndryshëm të kompanisë kanë prezantuar projekte të ndryshme për
të ndërtuar HEC-e dhe për të futur ujin në tuba.
Për pasojat ekologjike
të mjedisit kundër ndërtimit të këtij HEC-i, ekspertët e mjedisit kanë renditur
një sërë pasojash negative që sjell për mjedisin dhe gjallesat ndërtimi i
hidrocentralit.
Pasojat negative
kanë të bëjnë me pakësimin dhe mungesën e ujit të pijshëm, por dhe atë vaditës
deri tek dëmtimi i ekosistemit, botës së larmishme të faunës dhe florës duke u
bërë shkak edhe i procesit të erozionit.
Në mungesë të
njohjes së projektit, të dëmit që parashikojnë se do të kenë ekonomikisht, në
mjedis dhe dëshirën e tyre për t’u zhvilluar si fshat turistik, banorët thonë
se do mbrohen deri në fund dhe nuk do lejojnë që uji i atij fshati të merret
dhe të futet në tuba. Por projektimet e banorëve janë ndryshe nga projektimet e
kompanisë që synon ngritjen e HEC-ve, prandaj ata duhet të zgjohen e ngrysen me
“kërcënimin” e ndërtimit të 4 HEC-ve.
Ndërtimi i HEC-eve në zonat e mbrojtura, ka pasoja të pakthyeshme në ekosistem, sidomos kur këto zona përcaktohen si pika turistike dhe bëjnë pjesë në projekte zhvillimi sikurse është dhe projekti i fundit “100 fshatrat”./ Albanian Center forQuality Journalism
