Shqipëria, një ndër vendet që do të preket më së shumti nga ndryshimet klimatike
Ngrohja klimatike
shkakton dhe zgjerimin e bregut të oqeaneve, duke rrezikuar përmbytjen e
qyteteve bregdetare.
“Disa nga pasojat
që ne tashmë i vërtetojmë dhe i konstatojmë çdo ditë në realitet është avancimi
i detit në drejtim të tokës, ku në plazhe të caktuara ka avancuar me mbi 100
metra”, – thotë Gentiana Stafa, aktivist mjedisor, pjesë e Institutit të
Politikave Mjedisore.
IPM ka
dokumentuar përparimin e detit drejt tokës në zona si Kepi i Bisht Pallës,
Karpeni i Kavajës dhe Pylli i Sodës.
“Shqipëria
gjendet në pjesën mesdhetare të Evropës dhe si e tillë do të jetë një ndër vendet më të prekura nga ndryshimet
klimatike”, – vijon më tej Stafa. Ai sjell në vëmendje verën e ngrohtë dhe të
zgjatur të cilën Shqipëria po e përjeton prej disa vitesh, ku zjarre të mëdha
kanë përfshirë pyje në zona të ndryshme të Shqipërisë.
Gentian Stafa,
Instituti i Politikave Mjedisore
“Valët e të
nxehtit dhe përmbytjet do të jenë ndër problemet më të mëdha që do të
përballet Shqipëria në të ardhmen nga
ndryshimet klimatike”, – cilëson Stafa. Sipas tij, masa e parë e menjëhershme,
duhet të jetë shtimi i hapësira të gjelbra në Shqipëri.
“Rritja e
sipërfaqeve të gjelbra është një politikë e mirë për erozionin, absorbimin e
dyoksidit të karbonit apo të gjitha llojet e gazeve që mund të prodhojë një
qytet apo një shoqëri”, – shpjegon Gentian Stafa.
Në të njëjtin
përfundim ka dalë edhe studimi i kryer nga World Bank Group. Shqipëria, cilëson
raporti “Cimate risk country profile 2021”, është një vend më rrezikshmëri të
lartë pasi është mjaft vulnerabël ndaj ndryshimeve klimatike.
Sipas indeksit
ND-GAIN, Shqipëria, si rrjedhojë e faktorit politik, gjeografik dhe social
listohet si shtet i ndjeshëm ndaj ndikimeve që do të sjellë ngrohja globale, ku
renditet në vendin e 75 nga 181 shtete të botës.
Sipas këtij
raporti, rritja e temperaturave do të vijojë në vitet në vijim, ku stina e
verës në Shqipëri do të pësojë rritje nga 2.4°C deri në 3.1°C.
“Rritja e
temperaturave dhe valët e të nxehtit do shkaktojnë probleme shëndetësore për
popullsinë. Ndryshimet e parashikuara të temperaturës tregojnë se më shumë ditë
të nxehta dhe valë të nxehtit do të ndodhin në zonat bregdetare, gjë që
gjithashtu rrit rreziqet e thatësirës të zjarrit”, – shkruhet më tej në raport.
“Shirat e dendur,
përmbytjet dhe erozioni i tokës vënë në rrezik si infrastrukturën urbane ashtu
edhe atë rurale, veçanërisht për grupet e varfra dhe vulnerabël”, – shkruhet në
raport.
Sipas Gentjan
Stafës masat që mund të merren fillojnë nga niveli personal deri në nivel
institucional.
“Një ndërhyrje
shumë e mirë për Tiranën mund të jetë favorizimi i bizneseve ekologjike,
favorizimi i banesave që të jenë të përshtatura për t’u mbrojtur nga ndryshimet
klimatike, favorizimi i transportit ekologjik, shtimi i hapësirave të
gjelbërta”, – thotë ai.
Shmangia e
konsumit të mishit nga vetë qytetarët është një tjetër mënyrë për të
kontribuuar në mbrojtjen e mjedisit. Ngrënia e mishit ndikon në kultivimin dhe
rritjet e kafshëve për qëllim konsumi, çka çon në çlirimin e gazit metan (CH4)
që është shkaktari i dytë më i madh i ndryshimeve klimatike.
Çlirimi i këtij gazi nga kafshët bëhet përmes fermentimit enterik (proces i tretjes te kafshët ripërtypëse si bagëtitë, delet, dhitë dhe buallët)./ Citizens Channel
