Ekspertët nuk kryejnë detyrën, “Plepat e Brukës” zvarritet në sallat e Gjykatës
Në seancën gjyqësore ishte
parashikuar të diskutohej mbi një akt ekspertimi shtesë në të cilin do të
përcaktohej se sa është dendësia reale e pemëve në të gjithë sipërfaqen e
“Plepave të Brukës”. Në seancën e datës 6 korrik, gjykatësi i kërkoi ekspertëve
të bëjnë numërimin fizik dhe real të pemëve dhe njëkohësisht të përcaktonin se
cilat ishin pjesët me dendësinë më të madhe të pronës.
“Ekspertët e
kishin si detyrë nga Gjykata ta dorëzonin aktin më datë 26 korrik, ne ta
tërhiqnim për analizim dhe sot të diskutohej. Ata nuk e sollën as sot aktin e
ekspertimit për arsye se vëzhgimi në terren është kryer vetëm para pak ditësh,
në të cilin kemi qenë bashkë me banorët prezentë.”- u shpreh avokatja e palës
paditëse, banorëve të Laknasit, pasi doli nga seanca.
Është pikërisht
ky akt ekspertimi shtesë që e shtyn të gjithë procesin gjyqësor mbi çështjen e
Plepave të Brukës pasi diskutimet mbi themelin e saj janë kryer. Në seancën e radhës,
të caktuar me 20 tetor pritet që palët ta kenë aktin në dorë të analizuar dhe
të diskutojnë mbi kërkesat e ngritura në vazhdimësi gjatë procesit, mbi të
cilat lindi nevoja e një shtese në ekspertizë.
Si shkelje të
rëndë të Kodit të Procedurës, Gjykata gjobiti dy ekspertët me nga njëqind mijë
lekë secili dhe u është kërkuar dorëzimi i aktit të ekspertimit brenda dhjetë
ditësh. Ky është rast i përsëritur, pasi ekspertët janë gjobitur edhe një herë
më parë për neglizhim të detyrave. Nëse kjo sjellje vazhdon, gjykatësi ka
paralajmëruar rritje progresive të gjobës që rëndon mbi ekspertët.
Ndërkohë që ndodhin
të gjitha këto procedura burokratike ligjore, me zvarritje nga
papërgjegjshmëria e ekspertëve, banorët e Laknasit përveç ndjekjes së këtyre
seancave janë vazhdimisht vigjilentë ndaj ndërhyrjeve që firma BioProducts
tenton të kryejë në pyll, e fundit tentativë për ta rrethuar atë ishte në
mbyllje të gushtit.
