Hetim për ndotjen në Elbasan/ Reagimi pas ankesave për tymin që shpërndahet natën nga metalurgjia
Prokuroria e Elbasanit nis hetimin kryesisht për ndotjen në qytetin e Elbasanit. Hetimi nisi si
pasojë e denoncimeve të herëpashershme në media dhe do të fokusohet në zonën e
ish kombinatit Metalurgjik, por edhe shkaktarëve të tjerë të ndotjes mjedisore.
Burime zyrtare
nga prokuroria bëjnë me dije se në fokus të hetimit do të jenë edhe
institucionet shtetërore të mbrojtjes së Mjedisit, si inspektorati i mjedisit,
IKMT etj.
Çështja e sapo
nisur do të kërkojë mendimin dhe matjet e specializuara të ekspertëve që do të
thirren për çështjen, por nëse ky hetim do të jetë i thelluar dhe i kryer me
korrektësi, prokurorisë i duhet të marrë edhe shifrat e sakta të të prekurve me
kancer dhe shkaqet e tyre.
Në zonën e ish
kombinatit Metalurgjik operojnë disa kompani, të cilat nuk shkaktojnë vetëm
ndotje në ajër, por në ujë dhe tokë gjithashtu.
Po ashtu,
prokuroria do të duhet të thellohet edhe në dokumente të Bashkimit Evropian ku
prodhimet bujqësore të zonën pranë ish kombinatit Metalurgjik cilësohen të pa konsumueshme.
Në vitin 2017
Këshilli Bashkiak i Elbasanit shpalli gjendjen e emergjencës mjedisore në zonën
e ish kombinatit Metalurgjik, po ashtu vendimi u shoqërua me protesta qytetare
dhe të shoqërisë civile. Si përfundim asgjë nuk ndryshoi.
Banorët thonë se
filtrat fiken gjatë natës dhe kompanitë punojnë lirisht. Ligji i vetë
monitorimit bëri që çdo gjë në metalurgji të shkëlqejë, ndërsa përballë kësaj
situate duket se të gjitha institucionet nuk kanë mbyllur një sy, por të dy.
