Liqeni i Fierzës vuan pasojat e keqmenaxhimit të mbetjeve brenda dhe jashtë kufirit
Liqeni i Fierzës
në Kukës u formua në vitin rreth vitit 1980, si pasojë e ndërtimit të
hidrocentralit në lumin Drin.
Lumi Drin rrjedh
në pjesën veriore të Shqipërisë dhe formohet nga bashkimi me Drinin e Zi që
buron nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Drinin e Bardhë që buron nga
Kosova. Të dyja këto degëzime, së bashku me rrjedhën ujore, sjellin çdo vit në
Shqipëri mbetje të shumta të qytetarëve dhe bizneseve që jetojnë e punojnë
përgjatë lumit në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë.
Në mungesë të një
zgjidhjeje për menaxhimin e mbetjeve por edhe të ndërgjegjësimit, shumë
qytetarë brenda dhe jashtë kufirit të Shqipërisë, e përdorin lumin si një
“vendgrumbullim të lëvizshëm mbetjesh”.
Ligji 139/2015
“Për vetëqeverisjen vendore”, në nenin 23, thekson se është detyrë e Bashkive
për menaxhimin, largimin dhe trajtimin e mbetjeve të ngurta dhe shtëpiake.
Nga ana tjetër,
dokumenti i publikuar te Bashkitë e Forta informon se Bashkia e Kukësit gjatë
viteve 2018-2019 ka alokuar zero lekë për menaxhimin e mbetjeve, ndërkohë që
sipas vetë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, në vitin 2018 qarku i Kukësit, që
përfshin Bashkinë e Kukësit vetë, Hasin dhe Tropojën ka prodhuar 18,178 ton
mbetje.
Në total, në
qytetin e Kukësit, sipas të dhënave të publikuara në faqen e Bashkisë Kukës,
janë të vendosur 100 kontejnerë për 22,614 banorë. Këto mbetje, gjithsesi e
kanë të shkurtër rrugëtimin; ato përfundojnë në vendgrumbullimin e Manëzit, e
më pas në liqenin e Fierzës.
Eksperti mjedisor
Gjergj Selfo shpjegon se qasja e bashkive për menaxhimin e mbetjeve mbetet
sipërfaqësore dhe nuk ka si qëllim t’i shkojë në zemër problemit.
Një tjetër
ndikues në ndotjen e liqenit të Fierzës dhe Drinit në tërësi janë dhe
aktivitetet minerare.
Qarku i Kukësit
dhe i Dibrës kanë aktivitet të lartë të shfrytëzimit të sektorit minerar dhe
guroret. Minierat janë ende sektori
kryesor ekonomik në rajonet e Kukësit dhe Dibrës, të fokusuar në minierat e
anhidridit (sulfat anhidrik kalciumi, CaSO4) në anën e djathtë të Drinit të Zi
në rajonin e Dibrës dhe në minierat hekur-nikel, krom dhe bakër rreth liqenit
të Fierzës në rajonin e Kukësit.
Uzinat kryesore
që kanë shkaktuar ndotje mjedisore janë
minierat e kromit, të bakrit dhe guroret
në Çabrat, Rrogam 1, 2, 3, Çorraj, Lajthizë, Kam, Kepenek, Zogaj 1, 2, 3,
Skatinë, Shpati i Vishës, Vlah, Pëlajlaj, Qafëprushi, Prroi i Batrës, Kalimash
1, 2, 3 dhe minierat e bakrit në Gjegjan, Gdheshtë, Shëmri/Leproi, Golaj,
Nikoliq, Krumë/Kullaj, Goskolli.
Prej vitit 2009,
Shqipëria ka filluar dialogun me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Malin e
Zi për të zgjidhur situatën e ndotjes në lumin Drin, të cilat mbarten deri në
detin Adriatik. “Drin Dialogue”ishte projekt i financuar nga Agjencia Suedeze
për Mbrojtjen e Mjedisit dhe ka si qëllim fillimin e një marrëveshjeje
ndërkufitare për rregullimin e situatës.
Ky projekt pati
kohëzgjatje deri në nëntor të vitit 2011 dhe u shoqërua me takime të
vazhdueshme institucionale nga përfaqësues të shteteve si Shqipëria, Mali i Zi
dhe Maqedonia e Veriut ku u elaborua në terma afatgjatë një strategji për
menaxhimin e basenit të Drinit.
Në vitin 2011 u
firmos në Tiranë Memorandumi i Kuptueshmërisë për Menaxhimin e Basenit të
Drinit në nivel Ndërkufitar nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Greqia, Kosova
dhe Mali i Zi.
Objektiva e këtij
memorandumi ishin minimizimi i ndotjes, përmirësimi i aksesit në të dhëna,
minimizimi i përmbytjeve dhe minimizimi i dëmeve nga ndryshimet
hidro-morfologjike. Ky projekt u financua nga “Global Environment Facility”
(GEF), u implementua nga Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe u ekzekutua
Partneriteti Global i Ujit (GWP).
Në vitin 2015,
një projekt multi-milion dollarësh u financua për të mbrojtur resurset e
basenit të Drinit. “Global Water Partnrship Mediterranean”, UNDP dhe UNECE
financuan dy projekte me vlerë 5.5 milion dollarë për bashkëveprimin e shteteve
që jetojnë përgjatë lumit Drin.
Në vitin 2019,
një tjetër projekt me vlerë 9,927,750 dollarë u miratua për menaxhimin e
përmbytjeve në basenin e lumit Drin në Shqipëri, Republikën e Maqedonisë së
Veriut dhe Malin e Zi, i cili do të implementohet deri në vitin 2024 tërësisht
nga UNDP.
Përfaqësues nga
institucionet për ruajtjen e mjedisit në Kosovë pohuan se kanë përfunduar
ndërtimin e dy impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në Drinin e Bardhë,
në Prizren dhe në Rahovec. Premtimet se do të ndërtohen impiante të tjerë në
për trajtimin e ujërave të zeza nuk janë fraza të padëgjuara më para nga
aktivistët mjedisorë në Kosovë.
Aktivistët
mjedisorë shprehen kritikë ndaj politikave të ndërmarra deri më tani për
restaurimin e Drinit të Bardhë.
Pas një rrugëtimi
të gjatë ndërkufitar, Drini takohet me Bunën, e cila del nga liqeni i Shkodrës
dhe është 44 km e gjatë. Biologia Aurora Piroviq e konsideron atë amazonën
shqiptare, por fatkeqësisht bukuria e saj shëmtohet po ashtu nga ndotja e
gjithanshme.
Kontribues në
ndotjen e lumit Buna, përveç Drinit, është edhe lumi Kir, që rrjedh nga
Dukagjini dhe Përroi i Thatë nga Malësia e Madhe që përdoren nga banorët si
“kontejnerë”, e që në sezonin e shirave përfundojnë në Bunë, e më pas në
Adriatik.
Hedhja e inerteve
përgjatë brigjeve të Bunës është një tjetër shqetësim i pa adresuar.
Një tjetër
problematikë që lidhet me ujërat e lumit Bunë është edhe mbipeshkimi me korrent
dhe përdorimi masiv i rrjetës, gjë që kanë çuar në zhdukjen e peshqve
karakteristikë të lumit Buna, si krapi, peshku blin apo ballgjan.
Lumenjtë, dikur ishin të
pastër, të gjerë dhe i sillnin të mira e begati komunitetit. Sot, pak vite pas
ndërrimit të sistemit, janë kthyer në “vendgrumbullime mbetjesh” të preferuara
për nga lehtësia, si për qeveritë e ashtu për komunitetet.
Tashmë lumenjtë
nuk sjellin më begati, por mbeturina, plastike, ujëra të zeza që vazhdimisht të
kujtojnë se sa pak është bërë për të ruajtur burimin parësor të jetës: lumin!/ EcoAlbania
