HEC-et në Valbonë nuk ndalen, vijon injorimi i urdhrit të Gjykatës së Lartë
Kompania
“Dragobia Energy” 100% në pronësi të “Gener 2” vijon punën në terren sa i
përket hidrocentraleve, ndërsa Gjykata e Lartë urdhëroi ndalimin e menjëhershëm
të punimeve, deri në një vendim përfundimtar.
“WWF Adria u bën
thirrje të gjitha autoriteteve përkatëse që të zbatojnë vendimin e Gjykatës së
Lartë dhe të ndalojnë të gjitha punimet e paligjshme në Parkun Kombëtar”, –
shprehet Rea Nepravishta nga WWF Adria.
“Sa kohë u duhet
komuniteteve lokale të vuajnë akoma nga veprimtaritë e jashtëligjshme dhe
uzurpimi i natyrës?”, – ngrihet pyetja në deklaratën për media, teksa theksohet
se konsultimet me banorët e zonës kanë qenë një temë e shumëdiskutuar, pasi
investigimet kanë nxjerrë se në listën e firmëtarëve pro këtyre hidrocentraleve,
rezultojnë nënshkrues njerëz të vdekur.
Mospërfillja e
vendimit të gjykatës, shkruhet në deklaratën për media, nuk cenon vetëm
Valbonën.
“Besimi i
njerëzve në sundimin e ligjit në Shqipëri është në rrezik kur investitorët
shpërfillin vendimin e Gjykatës së Lartë sikur ligji të mos ishte i zbatueshëm
për ta ”, thotë Rea Nepravishta nga WWF Adria.
Kompania “Gener
2” nuk iu përgjigj kërkesës për koment drejtuar nga Citizens Channel rreth vendimit
të gjykatës dhe zbatueshmërisë së vendimit.
“Lugina e
Valbonës” është shpallur Park Kombëtar, kategori e dytë në vitin 1996.
Si u dha leja e
ndërtimit të hidrocentralit në luginën e Valbonës?
Në vitin 2007 u
miratua leja për ndërtimin e hidrocentralit “Dragobia”, në Valbonë. Shoqëria
“Gener 2”, nënshkroi kontratën koncensionare me Ministrinë e Ekonomisë,
Tregtisë dhe Energjisë, si autoritet kontraktues.
Banorët e
Tropojës u shprehën asokohe se nuk ishin përfshirë në konsultime publike. Ata u
vunë në dijeni të këtyre projekteve, pasi makineritë u shfaqën në terren e
paralelisht nisën dhe protestat.
Gjatë protestave
dhe organizimeve, banorët dhe aktivistë denoncuan firmën private se kishte
falsifikuar firmat gjatë konsultimeve me publikun.
Në vitin 2017
organizata mjedisore “TOKA”, së bashku me 27 banorë ngriti padi ndaj kompanisë
dhe kërkuan anulimin e hidrocentraleve. Gjykata Administrative e rrëzoi fillimisht
vendimin.
Ky vendim u
apelua dhe në qershor të vitit 2018 padia u pranua. Gjykata e Apelit urdhëroi
pezullimin e punimeve.
Në datën 31
korrik 2018, Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tropojës vendosi të rrëzojë vendimin
e Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë për pezullimin e punimeve për
ndërtimin e HEC-eve në Parkun Kombëtar të Valbonës. Gjykata e Tropojës i dha të
drejtën kompanisë koncensionare “Dragobia Energy” të vijojë punimet./ CitizensChannel
