Gjuetia e paligjshme shënoi rekorde të reja gjatë pandemisë
Çdo vit qindra
mijëra zogj shtegtarë fluturojnë nga Afrika drejt deltës së Danubit përmes
Ballkanit, në të ashtuquajturin vendkalimi i Adriatikut. Përpara se të kalojnë
Alpet, ata pushojnë dhe ushqehen në zonat e pasura ligatinore të Ultësirës
Perëndimore, ku ndalojnë gjithashtu në kthim përpara se të fluturojnë mbi Detin
Mesdhe.
Laguna e Sektorit
Rinia konsiderohet nga aktivistët mjedisorë si një zonë e nxehtë për vrasjen e
paligjshme të shpendëve. Edhe pse gjuetia ndalohet me ligj në Shqipëri, gjatë
një inspektimi të përbashkët me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së
Territorit (IKMT) dhe Policisë së Shtetit, të shtunën e parë të dhjetorit 2020,
ekspertët e PPNEA-s identifikuan dhe shkatërruan 11 fushejëza të ngritura mbi
lagunë.
Sipas Ministrisë
së Mjedisit, moratoriumi i vendosur në vitin 2014 mbi gjuetinë ka qenë një
histori suksesi, megjithatë ekspertët mbeten skeptikë, ndërsa theksojnë se në
Shqipëri mungojnë studimet që përfshijnë të gjitha llojet e shpendëve dhe
kafshëve të egra. Ndërkohë, shoqatat e gjuetarëve ankohen se moratoriumi nuk i
ndaluar gjahtarët e paligjshëm ose brakonierët, duke sjellë një përkeqësim të
situatës për faunën e egër.
Të dhënat e
mbledhura nga BIRN nga organet ligjzbatuese, intervistat me aktivistë mjedisorë
dhe vëzhgime në terren në zona të ndryshme të vendit, sugjerojnë se pavarësisht
moratoriumit, vrasja e paligjshme e faunës së egër në Shqipëri vazhdon e pashqetësuar
dhe mund të ketë arritur pikun e saj gjatë periudhës së pandemisë, në
tremujorin e dytë të 2020-ës – vit kur importi i fishekëve për armët e gjahut
shënoi rekord.
Ky aktivitet
kriminal shpesh nuk kursen dhe specie që rrezikojnë të zhduken dhe mbrohen me
ligj përmes Listës së Kuqe.
Moratoriumi për
ndalimin e gjuetisë u miratua fillimisht në mars të vitit 2014 për 2 vite dhe
në vitin 2016 u zgjat edhe me 5 vite të tjera. Qëllimi i këtij ligji është
ndalimi i ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë, për përmirësimin e gjendjes së
llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie.
Për të mbështetur
pohimin e saj, ministria iu referua të dhënave të Censusit Ndërkombëtar të
Shpendëve të Ujit, i cili realizohet me pjesëmarrjen e OJF-ve, ekspertëve të
fushës dhe stafit të Administratave Rajonale të Zonave të Mbrojtura (AdZM-ve)
në 12 qarqet e vendit.
Prognoza e
Ministrisë nuk ndahet nga ekspertët e pavarur të mjedisit, të cilët theksojnë
se në Shqipëri mungojnë studimet që përfshijnë të gjitha llojet e shpendëve dhe
kafshëve të egra për të kuptuar se si ka lëvizur numri i popullatave dhe ngrenë
shqetësimin për rrallimin e specieve që janë objekt gjuetie.
Danjel Bica,
kryetar i shoqatës Ekspertët e Rinj Mjedisorë në Dibër, shprehet se moratoriumi
i gjuetisë nuk ka arritur t’i ndalë gjahtarët e paligjshëm.
Edhe
përfaqësuesit e shoqatave të gjuetarëve profesionistë e vlerësojnë rolin e
moratoriumit në vitet e para, por sipas tyre ai dështoi të ndihmonte faunën e
egër sepse nuk u krijuan struktura efikase për zbatimin e tij.
Sipas ekspertit
Olsion Lamës, në Shqipëri ka dy lloje gjuetie, ajo që bëhet për shpendët dhe
gjuetia që bëhet për gjitarët, pra kafshët e egra. Gjuetia për shpendët
kryesisht fokusohet tek thëllëza e malit, thëllëza e fushës dhe disa lloje të
tjera shpendësh, siç janë rosat në zonën bregdetare, nëpër laguna dhe ligatina.
Edhe pse nuk janë
objekt gjuetie, disa lloje të ndryshme shpendësh si çafkat ose karabullaku,
qëllohen nga disa gjahtarë për shënjestër. Lama thekson se gjithashtu ka dy
lloj gjuetarësh, ata të ligjshëm, të cilët janë të organizuar në shoqata dhe i
respektojnë rregullat e gjuetisë dhe gjahtarët e paligjshëm.
Sipas Policisë së
Shtetit, në vitin 2020 ka pasur 12 sinjalizime nga qytetarët për gjueti të
paligjshme, ndërsa në 13 raste janë ndaluar në kushte flagrance persona të dyshuar
me armë gjuetie.
Por anëtarët e
shoqatave të gjuetisë dhe ekspertët ankohen se këto të dhëna janë vetëm maja e
ajsbergut dhe gjuetia e paligjshme është e gjithëpërhapur.
Tjetër dëshmi e
tërthortë e gjuetisë së paligjshme në Shqipëri gjatë periudhës së moratoriumit
janë dhe të dhënat e importit të armëve të gjahut dhe të fishekëve.
Sipas të dhënave
të siguruara nga BIRN nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nëpërmjet ligjit
për të drejtën e informimit, nga vitin 2014 deri në vitin 2020 në Shqipëri janë
importuar 3126 armë gjahu. Gjatë të njëjtës periudhë janë importuar 252.859
fishekë, nga të cilat piku ka arritur në vitin 2020 me 150.079 fishekë ose
59.3% e totalit.
Vetëm Drejtoria e
Policisë së Shkodrës gjatë 6 viteve të fundit ka lëshuar 996 leje për mbajtjen
e armëve të gjahut.
Nga analizimi i
postimeve në rrjetet sociale të gjuetarëve të paligjshëm në vitet 2014-2020 dhe
sidomos përgjatë periudhës së pandemisë, pas muajit mars 2020 – kohë kur në
Shqipëri u vendos dhe ora policore, BIRN zbuloi se ata gjuajnë një pjesë të
madhe të kafshëve dhe shpendëve që janë të rrezikuara dhe mbrohen me ligj
përmes Listës së Kuqe.
Kjo listë e
krijuar në vitin 1964 nga Bashkësia Ndërkombëtare për Ruajtjen e Natyrës është
renditja më e hollësishme në botë e gjendjes së ruajtjes së specieve
biologjike, duke i radhitur ato sipas kategorive të rrezikshmërisë.
Postimet në
rrjetet sociale tregojnë se specie të rrezikuara, si ariu i murrmë, derri i
egër, kaprolli, dhia e egër apo shpendë si shapka e madhe e ujit, gjuhen
masivisht dhe përfundojnë deri në menytë e restoranteve që ofrojnë kafshë të
egra, të cilët sipas ekspertëve janë të përhapur në të gjithë Shqipërinë.
Shumë prej
kafshëve dhe shpendëve që vriten nga gjahtarët e paligjshëm balsamosen dhe
ekspozohen si trofe gjuetie.
Nga të dhënat e
analizuara nga policia, prokuroria dhe gjykata, BIRN zbuloi se pjesa më e madhe
e rasteve të referuara që lidhen me gjuetinë janë për armëmbajtjen pa leje të
armëve të gjuetisë.
Vetëm në rrethet
gjyqësore të Durrësit dhe Shkodrës, policia ka referuar në prokurori 150 raste
nga viti 2014 deri në vitin 2020, nga të cilat janë regjistruar 64 procedime
penale dhe ndër to 35 janë dërguar për gjykim. Vetëm 16 raste të dërguara për
gjykim kanë marrë një vendim gjyqësor.
Megjithatë, ka
edhe komunitete në Shqipëri që janë vetëorganizuar për t’i bërë ballë
gjuetarëve të paligjshëm.
Në Njësinë
Administrative Shishtavec në Kukës, prej katër vjetësh banorët vendas në
bashkëpunim me shoqatën Përdoruesit e Pyjeve dhe Kullotave Komunale, nuk e
lejojnë gjuetinë e paligjshme.
Edhe në fshatin
Radomirë në njësinë administrative Kalaja e Dodës në Dibër, banorët vendas i
kanë marrë frenat në duart e tyre për t’iu kundërvënë brakonazhit. Madje,
banorët e fshatit kontribuojnë financiarisht për një roje që ruan pyllin dhe
monitoron për gjahtarë të paligjshëm.
Edhe shqiponja e
malit, shpendi simbol kombëtar i shqiptarëve nuk i ka shpëtuar gjuetisë së
paligjshme. Në 16 shkurt, rojet e Administratës së Zonave të Mbrojtura në Berat
gjetën një individ të ri të Shqiponjës së Artë në afërsi të Parkut Kombëtar të
Tomorit, në kushte të dobëta shëndetësore dhe të paaftë për të fluturuar.Ata
vendosën ta transferonin menjëherë shqiponjën në Qendrën e Rikuperimit te Shpendëve
të Egër në Divjakë.
Një vit më parë,
nga momenti i hapjes së qendrës, janë strehuar18 shpendë që kanë pasur nevojë
për vëmendjen e veterinerit.
Shpendët që
trajtohen në këtë qendër unike për vendin nuk janë vetëm nga Shqipëria. Sikurse
është dhe rasti i një lejleku që ka ardhur nga Prizreni, i plagosur gjithashtu
me saçme nga gjuetia, por edhe një Shkabë që është transferuar nga Kroacia.
Shkaba nuk kishte shenja gjuetie, por ishte e paushqyer dhe dyshohet se mund të
kishte ngrënë kafshë të tjera, të cilat mund të ishin gjuajtur dhe ishte
helmuar nga plumbi.
Teksa shqiponja
sot fluturon e lirë pas trajtimit mjekësor në Qendrën e Rikuperimit të
Shpendëve të Egër Divjakë, ky shpend është qëlluar nga individë të
papërgjegjshëm ose për arsye brakonazhi për t’u balsamosur. / EcoAlbania
