Grykëderdhja e Shkumbinit mbush me plehra plazhin e Spillesë
Grykëderdhja e
Lumit Shkumbin në detin Adriatik është shndërruar në vendgrumbullim plehrash.
E gjithë vija
bregdetare e plazhit të Spillesë është e mbuluar me mbetje të ndryshme urbane.
Edhe këtë vit plazhi afër kalasë së Vil Bashtovës nuk u frekuentua nga
pushuesit, plehrat i mbajnë larg vizitorët. Tonelata me mbetje të llojeve të
ndryshme, si ato spitalore, plastike, dhe qelqi prej vitesh qëndrojnë mbi rërën
e detit. Është lumi Shkumbin ai që sjell këto mbetje në det.
Këto janë plehrat
e qyteteve që nuk i depozitojnë mbetjet urbane në landfille legele, por i
hedhin në fusha të hapura ose në lumin Shkumbin. Këto janë plehrat e bashkisë
së Prrenjasit, Peqinit dhe Rrogozhinës. Të tre këto bashki për menaxhimin e
mbetjeve urbane kanë lidhur kontrata me kompani private, të cilat I
grumbullojnë mbetjet në landfill ilegale. Ndërsa në ato zona ku makinë e
plehrave e ka të pamundur të shkojë, banorët detyrohen t’i hedhin ato në
përrenj, të cilat më pas përfundojnë në det.
Katastrofa
mjedisore thellohet më tej gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit, me rritjen e
nivelit të ujit në përrenj dhe lumenj, në det vijnë më tepër plehra, më tepër
shishe plastike. Edhe pse mbetjet urbane grumbullohen në landfille ilegale me
miratimin e bashkive të Peqinit, Rrogozhinës dhe Prrenjasit deri më tani Inspektorati
i Mjedisit nuk ka gjobitur asnjë shkelës./ Top Channel
