Aktiviteti njerëzor


Konventa e Bernës i bën thirrje qeverisë të rishikojë planet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës në Lagunën e Nartës

Çështja e projektit të aeroportit të Vlorës u përfshi në ankesën e depozituar më parë nga  EcoAlbania mbi Ndikimet e pritura negative të ndërtimit të hidrocentraleve në lumin Vjosë,  ku ndërtimi i aeroportit në Vjosë-Nartë është përfshirë si një rrezik imanent në ekosistemin e deltës së  Vjosës.  “Projektet e mëdha zhvillimore si aeroporti dhe hidrocentralet rrezikojnë luginën e Vjosës, një ekosistem unik e me biodiversitet të pasur, ndaj përpjekjet tona për ta ruajtur atë po mbështeten fuqimisht edhe nga institucionet ndërkombëtare siç është edhe Komiteti i Përhershëm in Bernës. Ne si shoqëri civile prej kohësh po kërkojmë shpalljen e gjithë luginës së Vjosës park kombëtar, i cili do të përfshinte edhe deltën e Vjosës pjesë e së cilës është edhe laguna e Nartës”, tha Olsi Nika, nga EcoAlbania.

Në muajin shkurt, rreth 40 organizata mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare i kanë kërkuar qeverisë të anulojë projektin për ndërtimin e aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë. “Laguna e Nartës është një nga ligatinat më të rëndësishme të Shqipërisë dhe Mesdheut dhe planet për urbanizimin e saj rrezikojnë të dëmtojnë ekosistemin e saj në mënyrë të pakthyeshme”, tha Aleksandër Trajçe nga PPNEA.

Laguna e Nartës e cila gjendet në deltën e lumit Vjosa kërcënohet nga planet e qeverisë për të ndërtuar aeroportin e Vlorës.

Komisioni i Përhershëm i Konventës së Bernës ka hapur çështjen për hidrocentralet në Vjosë që në vitin 2018, duke i kërkuar qeverisë shqiptare pezullimin e menjëhershëm të hidrocentralit të Poçemit dhe Kalivaçit derisa të bëhen planifikimet e nevojshme strategjike dhe vlerësimet mjedisore të munguara. Ndërsa vëmendja e dhënë së fundmi nga Byroja për deltën e Vjosës përforcon zërin e organizatave mjedisore të shqetësuara në lidhje me këtë projekt.

“Peizazhi i mbrojtur Vjosë-Nartë, është një nga zonat e mbrojtura me larmi biologjike të jashtëzakonshme në Shqipëri dhe pa dyshim një nga zonat më të rëndësishme në Europë nga pikëpamja ekologjike. Vjosë-Narta shërben si korridor shtegtimi për shumë gjallesa e sidomos për shpendët shtegtarë. Pikërisht për këtë arsye, ajo njihet edhe globalisht si një zonë me vlera të veçanta dhe bën pjesë në pothuajse të gjitha rrjetet ndërkombëtare të zonave me rëndësi për ruajtjen e natyrës. Ky fakt duhet respektuar në radhë të parë nga vetë qeveria shqiptare për të parandaluar ndikimet e çdo projekti zhvillimor që dëmton këtë ekosistem”, tha Taulant Bino nga AOS.

Konventa e Këshillit të Evropës për “Ruajtjen e Jetës së Egër dhe Habitateve Natyrore” ose sikurse njihet shkurtimisht si Konventa e Bernës është një instrument ligjor ndërkombëtar i detyrueshëm në fushën e ruajtjes së natyrës, që mbulon shumicën e trashëgimisë natyrore të kontinentit evropian dhe shtrihet në disa shtete të Afrikës.

Shqipëria ka ratifikuar Konventën e Bernës në janar të vitit 1999 dhe zbatimi ka hyrë në fuqi në maj të po këtij viti. Dhunimi i kësaj konvente mund ta përballë vendin me presion diplomatik si dhe me sanksione të ndryshme që mund të ndërmerren nga Bashkimi Evropian apo në mënyrë të njëanshme nga vende të tjera që kanë ratifikuar këtë konventë./ EcoAlbania

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.