Zjarret në Shqipëri, u shuan me shkarpa e lopata. U prezantua si Agjencia me mjete moderne, mungojnë zjarrfikëset, mungon strategjia e vlerësimit të riskut nga fatkeqësitë
Më 4 automjete
zjarrfikëse që u përkasin tri dekadave më parë, për të cilat dokumentacioni
tregon se janë vit prodhim nga 1984 e në vijim, Bashkia e Gjirokastrës kishte
planifikuar ta përballonte me sukses emergjencën nga zjarret e shkaktuara gjatë
verës. Por llogaritë ishin bërë gabim.
Në krye të disa
orëve, disa fshatra dhanë alarmin dhe kur strukturat vendore e humbën fillin,
të çoroditur, ushtarë të Forcave të Armatosura shpërndaheshin me shërbime
urgjente sa në malet e Vlorës e sa në Gjirokastër.
Rajoni po kalonte
po ashtu ditë të vështira të ndezura nga temperaturat e larta, por autoritetet
vendore të gjendura ngushtë deklaruan se helikopterët e dërguar nga partnerët
si mbështetje do ta normalizonin gjendjen.
Në Gjirokastër,
numri i zjarrfikësve të strukturave vendore rezultoi i paktë për të përballuar
vatrat në qytet dhe në pyje. Aq më tepër që prej trupës prej 33 zjarrfikësish,
vetëm për dhjetë prej tyre ekzistonin uniformat zjarrduruese. Vetëm brenda një
dite gjatë fillim gushtit, 700 hektarë u pushtuan nga flakët në këtë zonë,
ndërkohë që bilanci u bë tragjik edhe me jetë njerëzish.
Në kulmin e
verës, qytetarë të shumtë në vend përjetuan frikën e tërbimit të zjarreve që
zgjatën me javë dhe që kanosnin dhe kërcënonin në varësi të drejtimit të erës.
Nga katër
bashkitë që kaluan emergjencën e zjarreve gjatë verës dhe konkretisht
Gjirokastër, Vlorë, Kukës dhe Selenicë, asnjë prej tyre nuk ka ende një bilanc
se sa është dëmi ekonomik i shkaktuar nga shkrumbimi i të mbjellave, djegia e
bagëtive dhe në pyje.
Nga të dhënat e
siguruara nga “Sinjalizo”, raportohet se në Gjirokastër, zjarret dogjën një
hapësirë prej 1172.7 hektarësh përgjatë muajve janar – shtator. Në Kukës flakët
zotëruan 2043 ha, nga të cilët 1086.3 ha në pyje dhe 957 ha në kullotë, por
fatmirësisht nuk pati dëme në jetë njerëzish. Ndërkohë në Vlorë zjarri
përshkroi 455 ha, nga të cilat 100 ha ishin pronë e banorëve të këtyre fshatrave.
Por flakët ishin kërcënuese për ditë të tëra në zonën e Mbrojtur
Sazan-Karaburun, ku në mbyllje të emergjencës u tha se 4800 ha u përfshinë nga
flakët.
Përse çdo vit
përsëritet historia?
Në Korrik të
2020, Ministrja e Mbrojtjes e kohës, Olta Xhaçka ceremoninë e dhurimit të 1250
uniformave, e shoqëroi me konsideratën se miratimi i ligjit për mbrojtjen
civile ishte një revolucion.
Qasja për të
patur një agjenci të emergjencave civile nisi në 2017, atëherë kur qeveria
kaloi Njësinë e Emergjencës Civile nga Ministria e Brendshme, në Ministrinë e
Mbrojtjes. Por investigimi i ACQJ tregon se përpos ndryshimit të zyrave pranë
Ministrisë së Mbrojtjes duke e emëruar si Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes
Civile, transformimi mbetet vetëm në letra. Në inventarin e saj të mjeteve kjo
agjenci zotëron vetëm tre automjete për mbështetje të transportit të stafit, që
ende nuk është plotësuar.
“Struktura
organike e AKMC është plotësuar në masën 55 % ( nga 106 funksione, janë
plotësuar 59 pozicione të lira)”, shprehet
zyrtarisht AKMC për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore. Vonesat e
rekrutimeve shpjegohen me kufizimet e masave anti-COVID (distancimin social).
“Procesi i
plotësimit organik është i lidhur ngushtësisht me procesin e funksionalizimit
(krijimit të mjediseve dhe sigurimit të pajisjeve të punës) i cili është ende
në vijim. Gjithashtu, procedurat e rekrutimit kërkojnë 30-45 ditë kohë për t’u
realizuar”, thotë ndër të tjera AKMC për “Sinjalizo”. E ndërsa kryeministria ka
nxjerrë 3 urdhëra për hartimin e planeve të emergjencave dhe dokumentet e
parandalimit të rriskut, ende nuk është bërë asgjë për vlerësimin e riskut të
fatkeqësive.
“Përveç Planit
Kombëtar të Emergjencave Civile dhe planeve të harmonizuara në nivel qarku dhe
lokal, aktualisht janë në proces hartimi dokumentet strategjikë, si Plani
Kombëtar i Emergjencave Civile, Vlerësimi i Riskut nga Fatkeqësitë, Strategjia
Kombëtare”, shprehet AKMC, që pretendon të kapë standardet e Mbrojtjes Civile Evropianë,
pavarësisht se edhe në zjarret e verës 2021 u pa se reagimi dhe ndërhyrjet
ishin të improvizuara deri aty sa forcat e armatosura ndërhynë duke shuar
zjarret me shkarpa e dhe.
Kjo situatë e
reagimit të ngadaltë, që detyroi kreun e KLSH Arben Shehu ti bënte thirrje
publike kreut të emergjencave të kthehej në detyrë, solli një auditim për të
cilin gjetjet do të bëhen të ditura në fund të vitit. E gjitha kjo erdhi mbasi
në zonën e Karaburunit, vatrat e flakëve po përparonin, por ndërhyrja nuk dukej
askund. Autoritetet u zgjuan me vonesë.
Agjencia që
nuk koordinon, mjetet jashtë funksionit
AKMC aktualisht
është në rolin e autoritetit koordinues dhe nuk zotëron asnjë mjet ajror apo
tokësor për ndërhyrje në situatë emergjente. Sipas ligjit 45/2019 ekzistojnë
institucionet dhe strukturat vendore të mbrojtjes civile të cilat kanë
përgjegjësi në parandalimin dhe ndërhyrjen në rast fatkeqësish si dhe vlerësim
risku. Këto institucione vendore nisin prej Prefektit të Qarkut, Komisioni i
mbrojtjes Civile në nivel qarku dhe bashkie, Bashkitë dhe strukturat e
decentralizuara të institucioneve dhe të strukturave qendrore të mbrojtjes
civile. Por kapacitetet teknike mungojnë edhe në nivele lokale, mbasi këto
struktura vendore nuk kanë kapacitetet e duhura.
Edhe pse nga të
dhënat që i përkasin 2020, Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe
për Shpëtimin, përshkruan se zotëron 150 automjete zjarrfikëse dhe 1250
punonjës, nuk ka asnjë fakt se si paraqitet realisht në terren gjendja e tyre
dhe a janë apo jo të gjitha mjetet funksionale.
Shërbimi
Zjarrfikës
Megjithatë,
Bashkia e Kukësit përmend se Drejtoria e Shërbimit Zjarrfikës të Kukësit me një
total numri punonjësish prej 41 zjarrfikësish, 5 prej të cilëve në rol
administrate dhe 36 në rol operativ, ka në inventar 3 automjete me një
kapacitet prej 8000 L ujë, por të tre këto automjete janë jashtë kushteve
teknike, pra jo funksionale. Gjithashtu kjo Bashki zotëron edhe dy automjete,
një prej tyre e instaluar në tunelin “Thirrë- Kalimash” dhe një tjetër në
stacionin e Kukësit. Të dyja këto mjete kanë një kapacitet prej 4000 L ujë. E
gjithë kjo infrastrukturë konsiderohet e pamjaftueshme për të mbajtur nën
kontroll terrenin malor të Kukësit, edhe pse përmenden si pajisje edhe
moto-sharra, guri-freksibël, barabanë- rrymë, kazma, lopata, vare, sëpata, dhe
çanta shpine me kapacitet 20L ujë.
Të dhënat janë
pesimiste edhe për bashkinë e Vlorës që u dorëzua për neutralizimin e zjarreve.
Numërohet një mjet zjarrfikës vit prodhimi 2012 dhe tre mjete Iveco. Me 30
zjarrfikës në staf edhe ata nuk janë të pajisur të gjithë me veshjet
zjarrduruese që u përkasin disa viteve më parë.
Qendra Shqiptare
për Gazetari Cilësore pyeti Ministrinë e Mbrojtjes në lidhje me angazhimin e
flotës ajrore të këtij institucioni në situatën e emergjencës së krijuar nga
zjarret. Por që prej datës 28/09/2021 në të gjitha kanalet e komunikimit, prej
e-mailit zyrtar, telefonatave e deri te zyra e marrëdhënieve për mediat, nuk
pati asnjë përgjigje deri në momentet e botimit të këtij artikulli./ ACQJ.al
