Gotulla- katastrofë mjedisore nga mbetjet. Impianti del jashtë funksionit
Gotulla mund të
ishte një destinacion turistik. E ka marrë këtë emërtim, për shkak se kështu
përshkruhet ndryshe në gjuhën shqipe, perimetri i një gjiri pranë grykës së një
lumi. Por kjo zonë e bekuar nga distanca e afërt me vijën bregdetare, njëherazi
është e mallkuar nga vërshimet e mbetjeve që sillen gjatë rrugëtimit të lumit
Ishëm, njohur ndryshe si Lumi i Tiranës. Derisa derdhet në Adriatik, lumi
degëzohet duke marrë përpara por edhe duke lënë gjurmë inertesh, plehrash e
mbeturinash që janë kthyer në një tmerr dhe që përditë e më tepër janë një
betejë e humbur. Gati 40 kilometra nga Tirana, Gotulla e Kurbinit gjendet pranë
grykëderdhjes së lumit Ishëm. Pirgjet me plehra janë kthyer në pamjen e
pandryshueshme të zonës.
Vetëm 1 kilometër
nga grykëderdhja, ngrihet ndërtesa e impiantit të pastrimit të Ishmit që
nëpërmjet barrierave duhet të ndalonte depërtimin e mbetjeve të të gjitha
natyrave. Për të mbërritur atje, rruga është e vështirë. Menjëherë pasi lë
aksin kryesor dhe merr krahun drejt fshatit Gotull, aty fillon së bashku me
rrugën me kalldrëm dhe vështirësia që vende-vende kthehet në një “mision”
lutjesh për të mos ngecur midis gropave. I njëjti test vazhdon derisa mbërrihet
pranë impiantit që u ndërtua 4 vite më parë. Porta është e mbyllur, ndërsa era
e rëndë e lumit prej ndotjes nuk të lejon të qëndrosh shumë gjatë aty. Fshati i
Gotullës duket si i shkretuar, shumë banorë ose janë shpërngulur drejt qytetit
ose kanë emigruar. Si banorë të fshatit janë vetëm mosha e tretë.
Megjithatë përtej
rrëfimeve të banorëve negociatat për ta zgjidhur situatën nisën pesë vite më
parë. Impianti u pa si çelësi që duhet të hapte valën e pastrimit. Në vitin
2017, gjatë inaugurimit të tij, ministri i turizmit dhe mjedisit të asaj kohe,
Blendi Klosi, e cilësonte si një investim të madh.
Nga të dhënat e
Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, ky projekt rezulton se së bashku me
rikualifikimin e vijës bregdetare të Gotullës kushtoi 202 milionë lekë.
ACQJ u interesua
edhe për shpenzimet që janë kryer nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për
mirëmbajtjen e këtij impianti, por që prej datës 28 shtator e deri tani nuk ka
pasur asnjë përgjigje për këtë çështje.
Sipas një auditi
të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ky investim është rritur
artificialisht me 8.2 milionë lekë.
Çfarë ndodhi
pas ndërtimit të impiantit?
Sistemi i
mbledhjes dhe kapjes së mbetjeve pluskuese në grykëderdhjen e Ishmit është i
përbërë nga 3 barriera. Barriera e parë është e përbërë nga kavo çeliku, e cila
duhet të kapë mbetjet e rënda – trungje pemësh, ndonjë kafshë të ngordhur që
mund të sjellë lumi ose degë të ndryshme, kurse barriera e dytë dhe e tretë –
të përbëra prej materiali pneumatik, shërbejnë për kapjen e mbetjeve pluskuese.
Nga monitorimi i
bërë në vendngjarje nga “Sinjalizo”, mbas denoncimit të disa banorëve pranë
platformës, rezulton se ky impiant ka dalë pothuajse jashtë funksionit. Vetëm
dy barrierat e para funksionojnë, ndërsa barriera e tretë ka dalë jashtë
funksionit së bashku me transporterin, ku ka filluar të mbijnë shkurret dhe
ferrat.
Dicka e tillë e
konstatuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, u pranua pas studimit të
masterplanit të përpiluar shtatorin e 2020. Që impianti ishte hequr nga shanset
për të shpëtuar Gotullën pranohet vetëm me një frazë, por pas të cilës nuk ka
asnjë plan konkret se si do veprohet në vazhdim.
Ndërsa sipas
ekspertit për Menaxhimin e Mbeturinave edhe Ekonominë Qarkore, Lulzim Baumann i
cili ka trajtuar çështjen e lumit të Ishmit, kjo nuk ishte një zgjidhje e duhur
edhe e saktë. Gjithë problematika që nënvizon eksperti lidhet me raportin e
zhdrejtë midis sasive të mëdha të mbeturinave që derdhen në det dhe
kapaciteteve të impiantit që me pak fjalë konsiderohet prej tij si “dështim”.
Zgjidhja e
ndotjes së lumit të Ishmit, duhet të jetë aty ku fillon lumi, jo në
grykëderdhje të saj, pasi është e pamundur që ta rregullosh vetëm me dy
barriera, ndërsa vë theksin edhe tek ujërat e zeza. Gjithë zgjidhja sipas
kryeplakut të Gotullës duhet të nisë së pari me identifikimin e vendeve të
ndotura e më pas minimizimin e prurjeve përgjatë shtratit të lumit.
Nga ana tjetër,
sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), 370 mijë banorë ose 13.1 % e popullatës
në Shqipëri nuk mbulohen me shërbime komunitare për menaxhimin e mbetjeve
urbane.
Edhe kur këto
shërbime ekzistojnë, mbetjet shpesh depozitohen në vendgrumbullime të
pamenaxhuara afër shtretërve të lumenjve.
Mosfunksionimin e
këtyre barrierave e faktojnë edhe fushatat e kryera nga organizata “Enforce –
Engineers for Climate and Environment”, për pastrimin e grykëderdhjes së lumit
të Ishmit, ku vetëm në fushatën e kryer në majin e këtij viti, ata arritën të
mblidhnin një sasi të madhe mbeturinash, jo vetëm në grykëderdhjen e lumit, por
edhe në vijën bregdetare të Gotullës.
Nga një vëzhgim i
bërë nga “Sinjalizo”, një organizatë ndërkombëtare e quajtur “The Ocean Clean
Up”, që merret me monitorimin për ndotjen e lumenjve në të gjithë botën e
liston lumin e Ishmit si lumin e tretë më të ndotur në Europë. Përpara këtij
lumi renditen vetëm dy lumenj në Turqi, të cilët edhe për nga madhësia dhe
gjatësia janë disa herë me të mëdhenj se Ishmi. Sipas kësaj organizate nga lumi
i Ishmit depozitohen në detin Adriatik, 503.600 kg mbeturina në vit.
Ky monitorim i
cili mat në kohë reale derdhjen e mbeturinave në dete nga lumenjtë e ndryshëm
tregon edhe njëherë se barrierat e vendosura në vitin 2017, nuk e kanë
kapacitetin për të përballuar një peshë kaq të madhe të mbeturinave.
ACQJ kontaktoi me
Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për ti kërkuar një reagim për
mosfunksionimin e impiantit, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk pati
asnjë koment.
Gjithashtu
“SINJALIZO” kontaktoi edhe me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit për ti pyetur në
lidhje me vendosjen e masave administrative për ndotjen, por nuk patëm asnjë
reagim./ ACQJ
