Shqipëri: “1008 diga të larta nuk na shpëtojnë nga kriza energjitike”
Shqipëria ka numrin më të lartë të digave të mëdha në Evropën lindore. Referuar të dhënave të publikuara nga International Comission on Large Dams (ICOLD), 2019, 15 shtete të Evropës lindore, të gjitha së bashku kanë një total prej 923 digash, ndërsa Shqipëria, e vetme, qëndron në krye me shifra disa herë më të larta, 1008 diga.
Nga ana tjetër,
pavarësisht numrit të lartë të hidrocentraleve të cilat mbulojnë plotësisht
prodhimin e energjisë në Shqipëri, qeveria shqiptare paralajmëroi një krizë
energjetike në vendin tonë, si pasojë e një krize ndërkombëtare.
Ditët më të thata
të vitit bëjnë që Shqipëria të importojë energji, çmimi i së cilës është rritur
në tregjet globale.
“Për Shqipërinë,
çmimi mesatar vjetor i blerjes së energjisë nga importi është thuajse
trefishuar në krahasimin me vitin e kaluar”, – tha Kryeministri Edi Rama disa
ditë më pare.
“Energjia
elektrike është tregtuar me mesatarisht 39 eur/MWh vitin e shkuar, sivjet ky
çmim ka arritur shifrën e 110 eur/MWh, duke shënuar një rritje prej 182%”, –
vijoi më tej ai, duke e konsideruar këtë situatë thuajse aq të rëndë sa tërmeti
dhe pandemia.
“Në aspektin
ekonomik, kriza energjetike në vend duhet parë në vazhdimësi të asaj që është
bërë ose nuk është bëre. Problemi më madhor që kemi sot është mungesa e
diversifikimit energjetik”, – shprehet për Citizens Channel ekonomisti Nador
Bakalli, i cili mendon se masat e propozuara nga qeverisa për përballimin e
krizës nuk mjaftojnë.
Kryeministri Rama
tha se familjet dhe biznesi i vogël nuk do të preken nga rritja e energjisë
elektrike.
“Gjykoj se
qeveria ka përgjegjësinë kryesore për krizën dhe garancitë për mos rritjen e
çmimit tek konsumatori familjar dhe biznesi i vogël janë krejtësisht të
pamjaftueshme”, – konstaton ekonomisti Bakalli.
“Ku mendon
qeveria se do të reflektohet rritja e çmimit ndaj biznesit të madh?!”, – ngre
pyetjen ai.
Nador Bakalli,
ekonomist
Në përpjekje për
të adresuar krizën, qeveria do t’i vendosë në dispozicion Operatorit të
Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) një vlerë prej 200 milionë eurosh,
për të menaxhuar krizën energjetike, nga të cilat 100 milionë euro do përdoren
për të mbuluar nevojat e konsumatorëve deri në fund të këtij viti dhe 100
milionë euro për vitin që vjen.
“Mendoj se
zgjidhje në rast të rritjes së çmimeve do të ishin subvencionet e faturave të
energjisë ose shtimi i të ardhurave familjare për te mbuluar rritjen e
çmimeve”, – propozon ekonomisti Nador Bakalli, i cili gjithashtu është kritik
ndaj propozimeve të opozitës për uljen e TVSH-së.
“Duke ditur se
kemi një ekonomi shumë spekulative dhe goxha informale, në masat 40-45%,
biznesi do ta përfshinte në fitimet e tij uljen e TVSH -së dhe nuk do ja
kalonte konsumatorit”.
“Shqipëria e
varur nga energjia hidrike”
Mungesa e
diversifikimit të energjisë është një problem i adresuar edhe nga Besjana Guri,
nga EcoAlbania.
Pjesa dërrmuese e
hidrocentraleve në Shqipëri, shpjegon ajo, janë të vegjël, nën dhjetë mega, e
kësisoj janë jo efikase në prodhimin e energjisë në pjesën më të madhe të
vitit.
Besjana Guri,
eksperte komunikimi dhe koordinatore, EcoAlbania
“Për sa kohë ti i
shfrytëzon pafundësisht lumenjtë dhe le të pashfrytëzuar burime të tjera, që
këtu ke prishur balancën. Zgjidhja është që të ketë balancë ndërmjet
alternativave, nëpërmjet stinëve”, – thotë Guri.
“Energjia diellore është shumë më e lirë se ajo hidrike. Kur aplikohet mbi çatitë e ndërtesave, impakti në mjedis është shumë minimal. Jemi një vend që kemi më shumë se 300 ditë diell”, – përfundon Besjana Guri./ Citizens Channel
