“Në Valbonë fiken turbinat”, përmbarimi pezullon punën e hidrocentraleve
Kompania
“Dragobia Energy” ka pezulluar të gjithë veprimtarinë e saj në prodhimin e energjisë përmes shfrytëzimit të lumit
Valbonë në Tropojë. Pezullimi vjen muaj pas vendimit të Gjykatës së Lartë, ku
në 21 korrik u urdhërua pezullimi i dy kontratave koncensionare deri në një
vendim përfundimtar.
Ishte vetë
përmbaruesja e Kukësit Satbere Shahu, që konfirmoi se turbinat ishin fikur, pas
një vizite në terren, shoqëruar nga forca të policisë së rendit dhe bashkisë së
Tropojës dhe nga përfaqësuesja e organizatës mjedisore “TOKA”, Catherine Bohne.
“Ky është një hap
i rëndësishëm në përpjekjet tona për të siguruar që një proces i rregullt
ligjor të ndiqet – sado me vonesë – në lumin Valbonë”, – tha Bohne, në një
deklaratë për mediat.
Vizita e
përmbarueses Shahu vjen pas shkresës zyrtare që ky institucion i dërgoi
kompanisë “Dragobia Energy”, “Gener 2”, Ministrisë së Energjisë, Agjencisë
Kombëtare të Mjedisit, Ministrisë së Mjedisit, Këshillit Kombëtar të
Territorit, Këshillit të Basenit Ujëmbledhës Drin-Bunë, ku u urdhërua zbatimi i
vendimit të Gjykatës së Lartë.
Moszbatimi i
këtij vendimi, thuhej në shkresën e bërë publike në datë 2 nëntor, do të çonte
në ndjekje penale dhe gjobitje të përfaqësuesve të institucioneve.
“Pas ditës së
sotme, nëse kompania hap çelësin dhe ndez sërish hidrocentralet, qoftë edhe për
5 minuta, qoftë edhe në mes të natës, bëhet një vepër penale që – mos gaboni –
do ta ndjekim penalisht”, – shkruhet më tej në deklaratë.
Gjykata e Lartë
mori vendimin në datë 21 korrik 2021 që të pezulloheshin kontratat
koncensionare për dy hidrocentralet brenda Parkut Kombëtar të Valbonës, deri sa
të merret një vendim i formës së prerë nga ky institucion.
Kompania
“Dragobia Energy”, 100% në pronësi të “Gener 2” nuk e zbatoi këtë vendim dhe
vijoi të prodhojë energji hidrike përmes dy HEC-eve “HEC Çerem” dhe “HEC
Dragobia”.
Prodhimi i
energjisë në kundërshtim me ligjin erdhi sepse përmbaruesi i Tropojës, Eduard
Mrishaj refuzoi të kryejë rolin e tij. Ligjërisht, përmbaruesi mund t’i japë
një afat kohor deri në 10 ditë kompanisë për te zbatuar vendimin vullnetarisht,
por në rast të kundërt i lind e drejta të ndërhyjë, duke përdorur dhe ndihmën e
policisë së shtetit.
Duke parë ngërçin
e krijuar në zbatimin e vendimit të gjykatës si rrjedhojë e moskryerjes së
detyrës nga përmbaruesi, përfaqësuesi ligjor i organizatës “TOKA” iu drejtua me
një shkresë Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit ku kërkoi ekzekutimin e
vendimit të Gjykatës së Lartë sa i përket çështjes së Valbonës
Pas këtij njoftimi, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit urdhëroi më datë 27.10.2021 përmbaruesin e Tropojës të zbatojë vendimin e Gjykatës së Lartë. Ky vendim u ekzekutua pas reagimit të përmbarueses së Kukësit Satbere Shahu./ Citizens Channel
