Gjirokastër, mjedis i pastër prioritet i buxhetit lokal 2022
Investimet për
një mjedis të pastër, në funksion edhe të zhvillimit të turizmit, është
prioriteti i Bashkisë Gjirokastër në buxhetin lokal për vitin 2022.
Projektbuxheti për vitin e ardhshëm po diskutohet me grupet e interesit dhe
komunitetin në dëgjesat publike që zhvillohen në qytet dhe njësitë
administrative. Sipas kryetarit të Bashkisë, Flamur Golemi, kryefjala e
buxhetit lokal 2022 është mirëmenaxhimin i mbetjeve urbane dhe mbrojtja e
mjedisit. "Përgjatë projektbuxhetit që po diskutojmë në dëgjesat publike,
kemi parashikuar investime në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, përmirësim të
infrastrukturës teknike për depozitimin dhe transportimin e mbetjeve, rritje të
numrit të kontejnerëve dhe koshave si në lagjet e qytetit ashtu dhe në
fshatra", shprehet kryebashkiaku Golemi. Në bashkëpunim me komunitetin
synohet që investime të tilla të shërbejnë për një mjedis të pastër, i cili do
të ishte një pikë e fortë për zhvillimin e turizmit në tërësi dhe aq më tepër
të turizmit kulturor dhe agroturizmit në zonën e Gjirokastër. Aktualisht në
Gjirokastër strukturat e institucioneve publike, pushtetit vendor si dhe
komunitetit janë bërë pjesë e nismës kombëtare për pastrimin e mjedisit.
Shqetësim në këtë drejtim është depozitimi i mbetjeve urbane në mjediset
publike, shtretërit e përrenjve, etj. duke shkaktuar ndotjen e mjedisit.
