Nga ariu te dhelpra e macja e egër, çfarë fiksuan kamerat-kurth në Parkun Kombëtar të Tomorit
Kamerat-kurth, të
instaluara nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura në Berat në të gjithë Habitatin e
Tomorit kanë filmuar dhe fotografuar kafshët e egra, që si banorët e pyllit
bëjnë “paradë”, madje disa prej tyre edhe pozojnë pa vetëdije përpara kamerave.
Mbi 30 lloje gjitarësh janë shfaqur gjatë këtij muaji në
Parkun Kombëtar të Tomorit, mes tyre edhe disa kafshë që prej vitesh nuk ishin
parë në pyjet tona. Kafshë të shumta si: ariu i murrmë (Ursusarctos),macja
e egër (Felissilvestris),derri i egër (Susscrofa),kunadhja (Martesfoina),dhelpra
(Vulpesvulpes),ujku (Canis lupus),kaprollja, gjeli i egër, dhia e
egër etj., janë kapur në Habitatin e Parkut Kombëtar të Tomorit me anë të
kamerave speciale, të pajisura me sensorë.
Nëpërmjet këtyre
kamerave, janë siguruar video të shumë
prej këtyre kafshëve, që rrallëherë janë filmuar kaq nga afër dhe të
pashqetësuara.
Drejtori i
Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura Berat (ADZM) Fatos Nako ka deklaruar
se monitorimi i kafshëve është një nga detyrat e tyre primare dhe vendosja e
“kamerave-kurth” nxori në pah edhe prezencën e shumë kafshëve të egra të rralla,
për të cilat ata ishim informuar se ndodheshin në Habitatin e Ballollit në
Malin e Tomorit nga alpinistët dhe barinjtë e zonës.
Sipas Nakos,
moratoriumi i gjuetisë ka bërë që edhe në zonat e mbrojtura në Berat të ketë
një shtim të kafshëve të egra gjatë viteve të fundit.
“Është shtuar
ariu dhe në disa zona malore ai po dëmton edhe prodhimet bujqësore siç janë
misri dhe patatja, ka një shtim të popullatës së derrit të egër, i cili i
afrohet më tepër zonave të banuara. Është faktuar tashmë që në Malin e Tomorit
ndodhen 2 kope me mbi 30 krerë me Dhi të egra, njëra në zonën veriore të malit
dhe tjetra në zonën jugore, të dyja zona të egra dhe me pak ushqim por me
fillimin e lagështirës kemi një ringjallje të bimësisë barishtore e shkurreve
që lejojnë mbijetesën e këtyre kafshëve të egra”-ka thënë Nako.
Ai ka deklaruar
se, zonat e mbrojtura janë zonat më të mira natyrorë, për sa i përket florës
dhe faunës, dhe duke qenë se pjesa më e madhe e këtyre kafshëve janë
barngrënëse këto zona favorizojnë jetesën e tyre.
Habitatet që ka
qarku i Beratit, siç është habitati i Tërpanit, Faqekuqit dhe Potomit, janë
zona mjaft të mira e të pasura me kullota për rritjen e thëllëzës së malit dhe
lepurit të egër”-,ka deklaruar Nako. Specialistët e kësaj agjencie rajonale e
konsiderojnë Habitatin e Tomorit si një nga habitatet natyrore më të pasura,
për shkak të erës kontinentale dhe faktit se në këtë habitat kemi dy lloje
klimash të ndryshme njëkohësisht dhe shira të ndryshueshëm.
Duke e cilësuar
Parkun Kombëtar të Tomorit, me një sipërfaqe prej 26.800 ha, si habitatin më të
pasur në vendin tonë, specialistët e AZB-së Berat konfirmojnë se, gjatë këtij
viti në këtë park kombëtar, përveç kafshëve të egra ka pasur edhe shumëllojshmëri
shpendësh të egra, që janë konstatuar më së shumti mbi disa lloje bimore
endemike.
