Ndotja me inerte në zemër të Elbasanit dhe në anë të Shkumbinit
Prej ditësh kjo problematikë është raportuar në
media, se si subjektet ndërtimore pasi shembin objektet e vjetra, mbetjet e
gjeneruara prej tyre, hidhen anësh Shkumbinit.
Policia e Elbasanit, në një deklaratë për mediat
njofton se ka evidentuar disa raste të ndotjes së mjedisit dhe ua ka adresuar
bashkive përkatëse, me qëllim marrjen e masave për heqjen e tyre.
Policia ka njoftuar se “Pas referimit të
rastit nga Komisariati i Policisë Peqin, për ndotjen në luginën e lumit
Shkumbin, prej disa ditësh bashkia e Peqinit vijon punën për pastrimin e
mbeturinave të hedhura e grumbulluara prej vitesh në këtë luginë”.
Për më tepër Policia e Peqinit në bashkëpunim
me bashkinë e këtij qyteti, ka filluar prej disa ditësh një aksion pastrimi,
por nuk ka asnjë deklaratë nëse janë identifikuar autorët përgjegjës të kësaj
katastrofe mjedisore dhe nëse do të vendosen përballë përgjegjësisë.
Top Channel ka treguar se si inertet dhe
mbetjet urbane kanë pushtuar urën dhe aksin rrugor në daljen perëndimore të
qytetit të Peqinit.
Edhe lugina e lumit Shkumbin duket se përdoret
nga subjekte të ndryshme apo qytetarë për grumbullimin e masiveve të mëdha me
inerte. Në 7 bashkitë e qarkut e Elbasanit, sipas inspektoratit të mjedisit,
janë të përcaktuara vendet e inerteve, e megjithatë, pavarësisht sanksioneve
subjektet nuk respektojnë ligjin.
Për të shkarkuar inertet në Elbasan kamionëve
nuk u duhet të qarkullojnë natën, krimi mjedisor ndodh në mesditë. Në shumë
raste kamionët në këtë zonë nuk shkarkojnë vetëm inertet, por edhe mbetjet
urbane, për këtë arsye ky landfill ilegal qelbet në erë ngordhësirash.
Sipas planit kombëtar të menaxhimit të
mbetjeve, të gjitha mbetjet e ngurta duhet të depozitohen në një vend të
përcaktuar nga rajoni ose pushteti lokal, më pas vjen procesi i përpunimit të
tyre.
