Banorët e Madheshit rikthehen në vendlindje për të protestuar kundër hidrocentralit që shkreton natyrën
Dhjetëra banorë dhe ish-banorë të zonës së
Madheshit në Mat, u mblodhën të shtunën, për të protestuar kundër ndërtimit të
hidrocentralit me po të njëjtin emër, “HEC Madhesh”.
Firma private “A.R.M-Albania Sh.p.k”
planifikon të fusë në tuba lumin Lunre, degë e fundit e lumit të Matit, i cili
derdhet në liqenin e Shkopetit.
Ky takim u ndërmor nga organizata lokale
mjedisore “Miqësia Ulëz” që mblodhi
ekspertë të mjedisit, të ligjit dhe komunitetin në mbrojtje të këtij lumi.
Organizata mjedisor “Miqësia UIëz” bën bashkë
ekspertë ligjorë, mjedisorë dhe komunitetin
Më pas, komuniteti dhe ekpertët zhvilluan një
protestë simbolike në terren. Mark Lleshi, pjesëmarrës dhe ish-banor i Madheshit,
u shpreh për Citizens Channel se marrja e ujit për ata nënkupton marrjen e
jetës. Ndonëse është larguar nga fshati Madhesh, Lleshi planifikon të kthehet sërish
në vendlindje.
“Dun me ardh me na marrë ujin, me na marrë
shpirtin, me na marrë familjen. Se ne si të na marrin ujin, na i kanë marrë të
gjitha!”, – citon Mark Lleshi.
Të njëjtin shqetësim ngre edhe Frrok Leshaj,
ish-banor i Madheshit. Frroku thotë me krenari se ky fshat ka një histori të
gjatë dhe të pasur, ku lumi nuk është prekur, por i ka shërbyer komunitetit.
“E në dashtë ujë ky popull, ku të përplaset?”,
– ngre pyetjen Leshaj.
“Ky është uji që e kemi kalue me qindra vjet,
të parët tonë. Pa ujin s’ke jetesë moj lum bija ime. S’ke jetesë!” – vijon më
tej ai.
Në Vlerësimin Paraprak të Ndikimit në Mjedis,
thuhet se e gjithë rrjedha do të shkojë për prodhim energjie.
“Uji që do të lihet për vaditje nuk ka sepse
nuk ka kërkesa për vaditje në ketë zone“, shkruhet në dokumentin jo teknik për
Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM) të këtij hidrocentrali. Në VNM po ashtu
theksohet se fshati është shumë pak i banuar, si pasojë e emigracionit.
Martine Miza, pjesë e kësaj proteste, shprehet
se përdorimi i të gjithë ujit për qëllime hidrike, do të ndikojë në
biodiversitet.
“Në të gjithë rrjedhën e ujit ushtonte peshku.
Në qoftë se ajo rrjedhë do të ndalohet, peshku do të jetë shumë në dëm”, –
cilëson Miza.
“Gjyshi kur ka ik nga këtu thoshte: ‘Më shumë
më vjen keq për liqenin dhe për peshkun sesa për shtëpinë që po lej’. Ne duam
që të na shtohet uji, jo të na marrin edhe atë që kemi”, – përfundon ajo.
Eksperti mjedisor Abdulla Diku ishte i
pranishëm po ashtu në këtë protestë. Ai u shpreh se bërja e një tjetër HEC-i
nuk i jep zhvillim zonës së Madheshit, pjesë e njësisë administrative Ulëz.
“Zona e Ulzës është ndër më të bukurat që ka
Shqipëria, kështu që nuk është hidrocentrali e ardhmja por është turizmi. Kudo
të shkosh ka destinacione turistike, nuk ka destinacione hidrocentralesh”, –
tha eksperti gjatë fjalës së tij.
Në mbështetje të banorëve ishte dhe aktivisti nga
zona e Zall-Gjoçajt Dhimitër Koleci, i cili prej tre vitesh është angazhuar në
mbrojtje të lumenjve Flim dhe Urakë, në Parkun Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës”.
Gjykata Administrative e Apelit së fundmi mori
vendim në favor të komunitetit dhe i hoqi licencën firmës “Seka Hydropower” për
prodhim energjie përmes hidrocentralit “Zais”.
“Po të luftoni, po të jeni të bashkuar po ta
ndjeni vetë në shpirtin e familjeve tuaja që ai ujë është i juaji, jo i atyre
keni për të fituar”, – u tha Dhimitër Koleci banorëve të Madheshit.
Dëgjesa publike me banorë të Madheshit është
kryer me datë tetë prill, 2020, gjatë periudhës ku lëvizja qytetare ishte
kufizuar, ndërsa grumbullimet politike ndaloheshin me aktin normativ të datës
15 mars, si pasojë e pandemisë.
Sipas kompanisë private “A.R.M-Albania
sh.p.k”, 13 vetë kanë marrë pjesë në këtë dëgjesë publike dhe kanë shprehur
dakordësinë për ndërtimin e këtij hidrocentrali.
Nga ana tjetër, banorë dhe ish-banorë u
angazhuan dhe mblodhën 84 firma kundër HEC-it. Ata akuzojnë kompaninë se ka
kryer dëgjesë publike në një kohë kur ato ndaloheshin me ligj dhe se ka
konflikt interesi, pasi disa prej firmëtarëve rezultojnë punonjës të Bashkisë
Mat.
Citizens Channel kontaktoi me përfaqësues të
kompanisë private “A.R.M-Albania sh.p.k” dhe këta të fundit u shprehën se
dëgjesa publike është kryer konform ligjit dhe se banorët mund t’i adresojnë
shqetësimet e tyre në rrugë ligjore.
Nga ana tjetër, banorët i janë drejtuar dhe
Agjencisë Kombëtarë të Zonave të Mbrojtura (AKZM). Përmes një shkrese zyrtare,
drejtori i AKZM-së Zamir Dedej shpreh mbështetjen ndaj komunitetit dhe u
sugjeron banorëve t’i drejtohet Bashkisë Mat, pasi projekti nuk bie në zonë të
mbrojtur dhe administrohet nga bashkia.
Në vitin 2017, Drejtoria e Politikave të
Zhvillimit Ekonomik të Bujqësisë dhe Pyjeve dha dakordësinë për vazhdimin e
procedurave për t’u pajisur me leje firma “A.R.M-Albania Sh.p.k” për ndërtimin
e “HEC-it Madhesh”.
Në këtë dokument, cilësohet se projekti
zhvillohet në zonën e mbrojtur “Liqeni i Ulëzës Rezervat Natyror i Menaxhuar”. Një vit më vonë, firma
aplikoi për heqjen e 7,531 km tokë nga ky rezervat natyror, sipërfaqe që do të
përdorej për hapje kanalesh dhe shtrim tubacionesh. Kjo kërkesë u miratua.
Komuniteti i Madheshit prej një viti kundërshton ndërtimin e këtij hidrocentrali dhe punimet në terren ende nuk kanë nisur./ Citizens Channel
