Ministrja e Bujqësisë inspekton Vlorën: 1 mijë hektarë tokë bujqësore e përmbytur!
TIRANË- Ministria
e Mbrojtjes ka njoftuar se po punohet për të evakuuar banorët në zonat e
përmbytjeve. Me anë të një njoftimi në Facebook, bëhet me dije se në Vlorë
rreth 1 mijë hektarë tokë bujqësore janë përmbytur. Ndërkohë që kanë shtuar se
probleme ka për shkak të daljeve të lumenjve në fshatin Mesapik të Selenicës si
dhe në fshatin Verrik të Beratit.
Situata e krijuar
nga reshjet në territorin e vendit: Intensiteti I reshjeve është shtuar shumë
24 orët e fundit. Shqetësuese është situata e krijuar për shkak të daljes nga
shtrati të lumit Vjosa në urën e Mifolit. Kjo ka shkaktuar përmbytje në fshatin
Novoselë dhe në fshatin Ferras. Prej orëve të para në zonë janë angazhuar mbi
75 efektivë të FA dhe mjete, të cilat po u vijnë në ndihmë strukturave të
emergjencave civile në Vlorë e Fier.
Vijon puna në
terren për të pastruar nga uji disa rrugë në bashkinë Gjirokastër, Dropull e
Këlcyrë. Punonjësit e Autoritetit Rrugor po vijojnë punën prej dy ditësh për të
garantuar qarkullimin e lirë. Me prioritet po ndiqet situata e krijuar si
pasojë e prurjeve të lumit Shushica që nxori jashtë funksionit urën e fshatit
Mesaplik në bashkinë Selenicës, por edhe në fshatin Kallarat në bashkinë
Himarë. Probleme ka sjellë edhe dalja e lumit Osum në fshatin Verrik në Berat,
ndaj në bashkinë Dimal e Kuçovë janë evakuuar disa familje. Ministria e
Mbrojtjes u bën thirrje banorëve në zonat, ku ka probleme të bashkëpunojnë me
autoritetet për evakuim nëse do të jetë e nevojshme. Si pasojë e reshjeve të
shumta të dëborës po ndiqet nga strukturat edhe situata në rrugën Bogë
Qafë-Thorë dhe Peshkopi- Lurë. Të gjitha strukturat e pushtetit vendor ndodhen
në terren për të garantuar vijimin e furnizimit normal me ujë, energji të
qytetareve në të gjithë vendin. Forcat e Armatosura nën koordinimin e Agjencisë
së Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri për çdo nevojë.
