Bujqësia e varur nga tekat e klimës, përmbytjet rrënuan 1000 hektarë tokë të mbjella, nga të cilat 25 ha ishin sera
Të paktën 1000
hektarë tokë bujqësore nga të cilat 25 hektarë sera janë përmbytur gjatë
reshjeve të fundit nga dalja e lumenjve nga shtrati në Jug të vendit, tha
Ministria e Bujqësisë. Dëmet më të mëdha u krijuan në njësinë administrative të
Kutallisë në Berat një nga zonat më prodhuese në vend me bujqësi intensive.
“Tani është
sezoni i mbjelljes për prodhimit e pranverës ose siç quhen ndryshe nga fermerët
janë mbjelljet e para. Ky është sezoni që siguron edhe fitimet më të larta për
fermerët. Tani që serat u përmbyten mbjellja mund të vonohet deri në pranverë.
Kështu fermerët po përballen me humbje të larta për dy sezone rresht” tha fermeri
Gentian Ziu nga Kutallia e Beratit.
Përveç dëmeve në
sera përmbytjet dëmtuan dhjetëra hektarë tokë në me grurë të mbjella në fushë,
të cilat po kalben poshtë ujit dhe llumit që krijoi përmbytja.
Gjatë dekadës së
fundit përmbytjet në Jug të vendit janë shtuar, për shkak se në sezone të
reshjeve lumenjtë, kryesisht Vjosa del nga shtrati duke përmbytur tokat rreth
saj. Ministrja e Bujqësisë gjatë një vizitë në terren tha se, dëmi nga
përmbytjet e fundit do të ishte më i madh nëse nuk do të ishin bërë investimet
në argjinaturën e Vjosës.
Drejtoria e
Bujqësisë në Qarkun e Beratit ka ngritur një komisionin për vlerësimin e dëmeve
të shkaktuara nga përmbytjet i cili doli dje në terren.
Klima e biznesit
në linjën prodhuese të bujqësisë është përkeqësuar vitet e fundit prej rritjes
së kostove që po vijnë nga çmimet e larta të plehrave dhe pesticideve dhe nga
ana tjetër dëmtimeve që kanë pësuar nga fara e keqe e mbjelljeve të dyta dhe
mungesa e subvencioneve.
Historikisht
bizneset bujqësore, sidomos fermat prodhuese, kanë vuajtur nga norma të ulëta
të fitimit, por së fundmi rritja e kostove të lëndëve të para dhe mungesa e
tregut po lë pa mbjellë qindra hektarë tokë për sezonin tjetër. Në zonat e
Fierit dhe Lushnjës, këtë vit, ureja shitet 120% më shtrenjtë dhe nitrati gati
250% më shumë se vitin e kaluar.
Gjithashtu janë
rritur kostot për të gjitha helmet dhe pesticidet e tjera, plastmasën dhe
hekurin e serrave. Fermeri Ziu tha se kosto e prodhimit të një kilogrami domate
tani ka arritur në 330-350 lekë, në varësi të kulturës dhe farës, nga rreth 290
lekë ose 30 lekë vitin e kaluar. Ndërkohë çmimet e shitjes kanë rënë ndjeshëm
poshtë kostos.
