Të tjera


Krimet mjedisore do të denoncohen edhe në “Komisariatin Dixhital”, Çuçi: 5 rubrika specifike në aplikacion

Në aplikacionin e “Komisariatit Dixhital” është shtuar një rubrike e re për të denoncuar lloje të ndryshme të krimeve mjedisore.

Gjatë një takimi të përbashkët me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, drejtues të Policisë së Shtetit dhe IKMT, ministri Çuçi tha se nga 1 shtatori 2021 e deri sot, janë mbi 40,000 denoncime e ndër to, plotë 276 lidhen me krimet mjedisore.

“Ky numër dëshmon për vlefshmërinë dhe efikasitetin e këtij inovacioni tepër të rëndësishëm e pioner në vendin tonë e rajon. Për të orientuar më mirë publikun, ne kemi shtuar 5 rubrika specifike në menynë përkatëse për mjedisin. Në butonin “Krimi Mjedisor” të gjithë përdoruesit e aplikacionit do të mund të gjejnë të renditura llojet e krimit mjedisor si: ndotje uji; ndotje e tokës; depozitim i paligjshëm mbetjesh; ndotje me inerte dhendotje akustike”,u shpreh ministri Çuçi.

Sipas ministrit ky ndryshim do të krijojë lehtësitë e duhura për publikun, si një kanal i ri nga ku mund të denonconi krimin mjedisor, edhe nga kushtet e anonimatit të plotë.

“Besojmë se siguria publike nuk është detyrë vetëm e Policisë së Shtetit apo agjencive përkatëse të ligjit, por një përpjekje e përbashkët e të gjithë shoqërisë, për t’u mbyllur çdo hapësirë individëve të papërgjegjshëm apo me tendenca kriminale.“Komisariati Dixhital”, me ndryshimet dhe përditësimet e bëra, është një mjet tejet i fuqishëm në duart e publikut, për të denoncuar çdo krim në mjedis, kundër mjedisit, në fund të fundit, kundër jetës sonë si qytetarë të këtij vendi”, deklaroi Ministri i Brendshëm.

Shqipëria pritet të hyjë në një fazë të re persa i përket kontrollit të territorit. Modernizimi i Polcisë së Shtetit me investime në teknologji, përdorimi i dronëve super-inteligjentë dhe shërbimi satelitor, pritet të rrisin në mënyrë cilësore efikasitetin e punës për të parandaluar krimet mjedisore, ndërtimet pa leje dhe çdo paligjshmëri tjetër në territor.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.