Ligji për ndotjen akustike fle në sirtar prej 14 vitesh, pa arritur të qetësojë zhurmën në Tiranë
Zhurmat janë një
problem i madh për qytetarët, por që për shkak të neglizhencës së
institucioneve, qytetarët janë të detyruar të bashkëjetojnë me ndotjen
akustike.
Ekspertët
tregojnë se pasojat që sjell zhurma janë po ashtu të pa trajtuara dhe të lëna
në harresë, ndërsa publiku ka pak informacion mbi këtë problem.
Lëvizja Ecovolis
dhe instituti CoPlan organizuan sot një tryezë diskutimi, ku paraqitën të dhëna
mbi nivelin e zhurmave në Tiranë, si edhe një nismë që synon përmirësimin e
situatës.
Të dhënat zyrtare
të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) tregojnë se ndotja akustike urbane në
kryeqytet arrin vlerën 70dB ditën dhe 57dB natën, rreth 20dB më e lartë se
standardi i BE për nivelin kufi të ndotjes akustike.
Shkëlqim Mema,
ekspert i ndotjes akustike theksoi se është shumë problematike fakti që nuk ka
një autoritet për zhurmat. Po ashtu ai tha se është problem fakti që personat
që merren me këto çështje nuk kanë njohuritë e duhura. Mema tha se një ekspert
i ndotjes akustike duhet të ketë njohuri në fizikë.
Shqipëria ka një
ligj ekzistues për zhurmat, i cili është miratuar në vitin 2007.
Ligji ka për
qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe të mjedisit nga zhurmat, “duke përcaktuar
mënyrën e shmangies dhe masat për parandalimin, reduktimin dhe zhdukjen e
efekteve të dëmshme të ekspozimit ndaj tyre, përfshirë bezdinë nga zhurma”.
Mema u shpreh
gjatë diskutimit, teksa foli mbi këtë ligj se: “Unë kam qenë një nga autorët
dhe janë bërë shumë ndryshime që në atë kohë, jo shumë të përshtatshme, dhe ato
që janë bërë nuk kanë janë bërë për tu realizuar”.
Stabilizimi i
kuadrit ligjor, duke i vënë theksin vlerësimit teknik, mbledhja e
informacionit, ekspozimi i tij dhe vlërësimi i perceptimit të publikut, janë
disa nga pikat që eksperti Mema i vlerëson si të rëndësishme.
Ministria e
Turizmit dhe Mjedisit (MTM) duke mos miratuar një sërë udhëzimesh, ka dështuar
të plotësojë kuadrin ligjor mbi zhurmat mjedisore me akte nënligjore.
Në faqen e MTM-së mund të gjesh disa udhëzime dhe VKM në
lidhje me zhurmat, por të cilat sipas ekspertëve të pranishëm në diskutim nuk
kanë gjetur ndonjë zbatim në terren, duke parë problemet që ka sot me ndotjen
akustike.
Nga e gjithë
panorama, vihet re se ka një neglizhencë nga ana e qeverisë dhe institucioneve
për ndotjen akustike. Që nga miratimi i ligjit në 2007 nuk ka pasur më pas
ndonjë studim për të parë ndikimin e tij.
Në vitin 2019,
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) bëri një auditim, pranë Ministrisë së
Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe
Bashkisë Tiranë.
Auditimi nxori në
pah shumë parregullësi:
Këshilli Teknik
për Zhurmat nuk është ngritur dhe nuk ka funksionuar asnjëherë.
Bashkia Tiranë nuk ka miratuar Planin Vendor
të Veprimit për zhurmat.
Ministri i MTM në
bashkëpunim me ministrin që mbulon rregullimin e territorit, nuk kanë miratuar
udhëzimin për kërkesat dhe rregullat për reduktimin e zhurmave në mjedis, që në
procesin e hartimit të palneve të territorit.
Bashkia Tiranë
nuk ka realizuar hartëzimin e zhurmave për qytetin e Tiranës.
Orari i punimeve
në lejet e ndërtimit që Bashkia e Tiranës miraton, nuk është i përcaktuar.
Bashkia Tiranë
nuk ka vendosur kritere për përdorimin e materialeve të izolimit akustik në
lejet e ndërtimit.
ISHP nuk ka asnjë
metodologji/manual/udhëzim për të vlerësuar barrën mjedisore të zhurmave
Në Vendimin e
Kryetarit të KLSH-së për auditimin e performancës “Ndotja akustike” janë dhënë
39 rekomandime për organet e qeverisjes qendrore dhe vendore të cilat synojnë
reduktimin e problemeve të ngritura në auditim dhe përmirësimin në tërësi të
situatës aktuale lidhur me zhurmat mjedisore dhe efekteve negative që ato japin
në shëndetin e popullatës.
Dy vite pas këtij auditimi, institucionet nuk kanë marrë ende ndonjë nismë konkrete për zgjidhjen e këtij problemi. Bashkia Tiranë ka deklaruar se ka nisur punën për hartimin e një plani i cili synon rregullimin e ndotjes akustike./ Citizens Channel
