Vlora, Puka dhe Shkodra në mëshirë të motit. Plani i emergjencave i lë pa mjete, banorët ende nuk janë dëmshpërblyer për dëmet
Familja e Dorian Bitaj në Vlorë duhej të arratisej sërish. Prurjet e lumit
Vjosë e ndryshuan gjithçka sa hap e mbyll sytë. Mbrëmjen e 11 dhjetorit, të
rritur dhe fëmijët e tyre krahaqafë, vrapuan tu shpëtonin përmbytjeve duke lënë
pas gjithçka kishin. Kryefamiljari Dorian Bitaj, atë mbrëmje, pa për herë të
fundit shtëpinë e tij ashtu si e kishte ndërtuar, rrugët që të çonin drejt saj
plot me ujë, i ngjanin më shumë me një përrua dhe oborri ishte shndërruar në
një gropë të thellë e të rrezikshme, që ngjitej drejt mureve të shtëpisë duke
zaptuar çdo gjë.
Ajo që ka mbetur pas përmbytjes është trishtuese. Muret e lagura, balta që zotëron përmbi objekte e krevate, ndërsa llumi i sjellë prej lumit ka deportuar edhe brenda pajisjeve elektroshtëpiake.
Nga ana tjetër e pyetur më shumë se një muaj para përmbytjeve për masat e marra në lidhje me emergjencat civile gjatë dimrit, Bashkia Vlorë tha zyrtarisht se ka pastruar 75 km kanale, ndër të cilët vetëm 3 kilometra janë kanale të para dhe kanale kryesore ujitëse, ndërsa 70 km të tjerë kanale kulluese të dytë dhe të tretë.
Në një dokument të vlerësimit të rriskut në lidhje me përmbytjet në qytetin
e Vlorës, të Prefektit të këtij qarkut theksohet se: “Prishja ose dhe mungesa e
kanalit të ujërave të lartë (kanal i cili ka qenë për gjatë gjithë kurorës së
Vlorës), bën që ujërat të derdhen nëpër qytet me përmbajtje gurësh, drush,
veçanërisht në rrugën dhe banesat në afërsi të spitalit, në afërsi të
Komisariatit të Policisë, si dhe në vendin e quajtur 7 pallatet si rezultat i
shkarkimit të ujërave nga Fshati Kaninë”.
Vlora përherë nën ujë
Por ajo që ngre më shumë pikëpyetje, është fakti se rreziku i përmbytjeve
në qarkun e Vlorës është identifikuar si më i madh gjatë periudhës Nëntor-Mars,
sidomos në zona specifike si ajo e Novoselës. Por plani i masave i miratuar nga
Bashkia Vlorë është bërë vetëm në 3 dhjetor 2021. Veç kësaj rezulton se plani i
masave i miratuar, është thjeshtë një dokument ku nuk shfaqet asnjë masë
konkrete në terren, por më së shumti udhëzime të përgjithshme. Nga ana tjetër,
Prefekti i Vlorës identifikon edhe një problematikë tjetër e cila ndikon shumë
në përmbytjen e një pjesë të konsiderueshme të fshatrave të kësaj zone. “Vetë
ngritja e autostradës në pjesën e zonës së Novoselës (Fshati Bishan) edhe pse
ka tombino ose nën kalime që ndryshojnë rrjedhën normale të ujërave duke i përqendruar
në disa vende dhe kërcënuar veçanërisht fshatin Fitore dhe Bishan. Ujërat nga
autostrada mund të jenë të pranishëm dhe 2-3 ditë”, shkruhet në një dokument
zyrtar të prefektit të Vlorës të siguruar nga ACQJ, ku shtohet se problematikë
sjell edhe mungesa e investimeve në punimet, në kanalizimet e para, të dyta dhe
të treta.
Bashkia Pukë pret të bllokohet nga dëbora: S’kemi logjistikë
I vetmi plan masash që mban emrin e rastësisë lidhet me Bashkinë Pukë që
pret bllokimin nga reshjet e dëborës. Çdo vit, bllokimi i fshatrave të Pukës
për shkak të reshjeve të borës është diçka që shndërrohet në tituj lajmesh. Jo
më larg se katër vite më parë, kjo zonë u izolua për ditë me radhë, duke
nxjerrë nga loja bashkinë për përballimin e emergjencave civile. Realisht në
sistemin e përballimit të emergjencave civile që Shqipëria ka në funksion,
barra më e rëndë i bie qeverisjes vendore. E Bashkia e Pukës e pranon edhe vet
që nuk ka mundësi që ti përballojë.
“Është sensibilizuar komuniteti me anë të faqes zyrtare të Bashkisë ( web)
si dhe medias lokale për reagimin në raste emergjence në përgjithësi, apo
zjarresh në veçanti. Janë koordinuar veprimet me të gjithë sektorët vendorë dhe
qendrorë. Problematikë e vijueshme mbetet logjistika dhe teknika e vjetër e
mjeteve zjarrfikëse të MZSH-së. Po punohet për riparimin e urave këmbësore dhe
urave për mjete në njësitë administrative Qelëz dhe Luf-Qerret, të cilat janë
në fazën e përfundimit”, shprehet zyrtarisht ky institucion, i cili shton se në
inventarin e kësaj bashkie është një fadromë në dispozicion për pastrimin e
akseve rurale, pastrimin e dherave dhe inerteve që mund të jenë prezent në
rrugët rurale nga shirat dhe shembjet. Por ky mjet, përdoret njëkohësisht për
pastrimin e borës në të gjitha akset rrugore në juridiksionin e Bashkisë.
Por Bashkia Pukë ka një sipërfaqe prej
505.5 km katrorë dhe është e vendosur në
lartësinë 835 m mbi nivelin e detit, dhe këto të dhëna janë të qarta se sa në
pamundësi gjendet pushteti lokal që të mbajë hapur me vetëm një fadromë akset
rrugore rurale dhe ndërqytetëse. Për më tepër mjeti nuk është i duhuri për
pastrimin e dëborës.
“Bashkia e Pukës zotëron një kamion për furnizimin e institucioneve
arsimore me dru zjarri dhe çdo gjë tjetër që është e nevojshme për funksionimin
e komunitetit të Bashkisë Pukë, kamionçinë për shpërndarje kripe dhe granili në
të gjitha rrugët e territorit të Bashkisë Pukë, blerje kripe dhe granili për
rastet e borës dhe ngricave gjatë periudhës së
dimrit”, shprehet bashkia Pukë e cila shton se ka ngritur KMEC-në e
Bashkisë për përballimin dhe
parandalimin e situatave të pritshme vjeshtë-dimër 2020-2021 si dhe është
hartuar plani i masave për zbatimin e detyrave konkrete.
“Marrë shkas nga vitet e kaluara ku bora dhe akulli është prezent pothuajse
gjatë gjithë periudhës së dimrit kërkohet mbështetje disponimi i dy mjeteve
borëpastruese dhe dy mjeteve fadromë për përballimin e situatave të pritshme
nga izolimi i borës”, thotë në përgjigjen e saj zyrtare, Bashkia Pukë që thekson me bold, se i nevojiten dy borëpastruese, të cilat edhe pse i ka
kërkuar, nuk i kanë mbërritur ende.
Në këto kushte, kjo bashki, i ka shpresat në një subjekt privat, i cili
zotëron 13 mjete të tonazhit të rëndë. Në këtë rast shpëtimi mbetet aty, mbasi
sipas bashkisë opsioni është kontraktimi në rast nevoje të menjëhershme sipas
dispozitave ligjore.
Pëllumb Dani, përgjegjës i Sektorit të planifikimit, përballimit të
emergjencave dhe krizave pranë Prefektit Shkodër, shprehet se qoftë Bashkia
Pukë, qoftë ajo Shkodër, që i kanë specifike bllokimet nga bora, fondet i kanë
përdorur, por janë fonde të pamjaftueshme për të përballuar situatën 3 mujore
të dimrit.
“Unë e di shumë mirë që pas një jave ata me siguri do të kërkojnë mbështetje
logjistike sepse fondi aktual që ata kanë parashikuar ndoshta është i
pamjaftueshëm, por edhe mjetet aktuale që disa edhe i kanë siguruar vet me mundësinë e tyre prapë
së prapë është i pamjaftueshëm”, shprehet Dani i cili prej shumë vitesh ka
ndjekur çështjen e emergjencave në Prefekturën e Shkodrës. Ai gjithashtu jep
edhe arsyen se pse Bashkia e Pukës nuk ka mundësi që ti përballojë vetë
emergjencat dimërore. “Puka sidomos edhe Fushë Arrëzi kanë një sipërfaqe të
madhe, vetëm Fushë- Arrëzi ka rreth 400 km rrugë në juridiskionin e vet dhe
është e pamundur që me dy fadroma ti përballojë dhe të krijojë mundësinë e
lidhjes së njësive me qendrën e Bashkisë. Sepse për zona siç është Iballa, ku
bie 2-3 metra borë, është shumë e vështirë pasi duhet të përqendrohet i gjithë
buxheti që ka, komplet logjistikën që ka për ta bërë të kalueshme rrugën”,
përfundon ai.
Shkodra bëhet gati për varkat e përmbytjeve
Jo më shumë se një vit më parë, uji mbuloi pjesën më të madhe të Shkodrës.
Pushteti lokal e kishte të pamundur një reagim ndaj përmbytjeve, ndërkohë që u
shfaqën varkat metalike të cilat shërbenin për lëvizjen e njerëzve si dhe
furnizimin e tyre me ushqime. Gjatë përmbytjeve, varkat u bënë mjeti kryesor i
lëvizjes së banorëve të përmbytur. Por vjet nuk ishte rasti i vetëm i
përmbytjes së Shkodrës, gjatë viteve të fundit ka ndodhur disa herë, duke e
shndërruar në një ndodhi të pritshme.
“Përmbytjet në Shkodër kanë qenë problematike. Dihet që ajo më
problematikja është përmbytja e 2010, e cila u pasua në 2011 dhe pastaj u
ripërsërit në 2018 dhe u përsërit edhe këtë vit në 2021. Përmbytjet ndodhin
edhe për shkak të pozitës gjeografike që ka ultësira e Shkodrës. Kuptohet që të
gjithë lumenjtë të mëdhenj si është Drini i Zi, Drini i Bardh, Lumi Buna, Lumi
Gjadër janë të gjithë në ultësirën e Shkodrës dhe do dalin në një grykë që
është gryka e Belajve në zonën e
Velipojës që derdhet në det. Duam apo nuk duam ne, ky territor është i prirur
qoftë edhe gjeografisht por edhe me disa projekte që janë bërë që në kohën e
Partisë së Punës që të përmbytet një pjesë e mirë e ultësirës së Shkodrës. Nëse
këtij baseni i shtojmë edhe reshjet e shiut ose të borës, detyrimisht shkojmë
drejt përmbytjeve”, shprehet Pëllumb Dani, përgjegjës i Sektorit të
Planifikimit, Përballimit të Emergjencave dhe Krizave pranë Prefektit Shkodër.
Bashkia e Shkodrës bën të ditur zyrtarisht se ka siguruar kushtet për evakuim
të popullsisë në rast nevojë për 550 shtretër. “Janë vendosur në dispozicion
vend magazinimet për pakot ushqimore si dhe funksionon struktura për
magazinimin dhe shpërndarjen e tyre me grupet e punës për familjet e prekura
nga fatkeqësitë natyrore”, shprehet zyrtarisht ky institucion.
Ndërkohë Bashkia Shkodër thotë se ka marrë masat nëpërmjet Ujësjellës
Kanalizimeve të qytetit për furnizimin e tij me ujë të pijshëm. Gjithashtu
bashkia shprehet se ka në dispozicion një sasi prej 75 tonësh ushqimesh për
blegtorinë si dhe ka përcaktuar një vend-qëndrim për to dhe personat përgjegjës
për çdo njësi. Po ashtu janë bërë pastrimet e 98 kanale kullues dytësor dhe
tretësor, me një gjatësi prej 75.25 km. Ajo që bie në sy është se ky
institucion edhe pse prej më shumë se 10 vitesh përballet vazhdimisht me
përmbytje në territorin e vet, në inventar nuk ka asnjë mjet lundrues që mund
të jetë efektiv gjatë një emergjence të tillë.
Pëllumb Dani shprehet se sado që janë bërë projekte, nuk është arritur të
shmanget përmbytja: “Ultësira e Shkodrës është tradicionalisht e përmbytur dhe
sado projekte të bëhen dhe sado
ndërhyhet thjesht është arritur të reduktohen përmbytjet por jo të
ndalen kjo edhe për shkak se projekti i fushës së anës së malit është bërë i
tillë për t’u përmbytur në situata të tilla”.
Nga ana tjetër, për rastet e bllokimit nga bora, kjo Bashki zotëron disa
mjete si dhe ka kryer blerje materialesh. Aktualisht Bashkia Shkodër ka blerë
40 ton kripë të zezë për përballimin e emergjencave në raste të borës dhe
ngricave për të mbajtur rrugët hapur dhe ka lidhur kontrata për mirëmbajtjen e
rrugëve të qytetit, ku siç bën të ditur janë parashikuar ndërhyrjet në zonat
fushore me: “Dy borëpastruese për hapje rruge nga bora për realizimin e 320 orë
pune, të cilat janë parashikuar të ndërhyjnë
në qytet dhe në njësitë administrative fushore për krijimin e kushteve
të lëvizjes në një kohë sa më të shpejtë të njerëzve dhe mjeteve”.
Ndërkohë për zonat malore janë parashikuar dy ekskavator për punime hapje
rruge në raste emergjencash 320 orë pune si dhe një fadromë për punime hapje
rruge në raste emergjencash 160 orë pune. Vet ky institucion ka në gatishmëri
një ekskavator me zinxhirë, 5 fadroma me goma, 2 prej të cilave të Bashkisë dhe
tre të Ujësjellës kanalizimeve, 1 kamion 7 ton, dhe 3 kamionçina.
Edhe pse u përmbytën, dëmshpërblime s’ka për shkodranët
Në Obot, varkat janë një nga mjetet e domosdoshme, të paktën banorët e
këtij fshati kështu i cilësojnë. Madje nuk është çudi që në këtë fshat të
shikosh edhe motora uji. Prej 2009, Oboti është bërë një nga zonat i cili
përmbytet shpesh në Shkodër. Gregor Pema, kryeplak i fshatit shprehet që prej
2009, çdo dy ose tre vite fshati përmbytet duke pësuar dëme të mëdha.
Por në historinë e dëmshpërblimeve për përmbytjet në Shkodër, duket se
politika ka një pjesë të rëndësishme të fajit.
Burime nga Bashkia e Shkodrës bëjnë të ditur se faktikisht llogaritjet e
dëmeve janë bërë, madje janë çuar edhe në prefekturë, por ka patur probleme me
shifrat të cilat janë kthyer pasi kanë qenë shifra të fryra.
“Për përmbytjen e 2018 dhe 2020 nuk janë dëmshpërblyer dëmet. Një nga
arsyet janë këto faturat e fryra, ndërkohë kanë qenë edhe shumë toka bujqësore
të cilat shkaktojnë një handikap. Sepse është e lidhur jo vetëm thjesht me
bujkun por edhe me biznesin. Vendimi i qeverisë thotë se do të dëmshpërblejë
shtëpi nëse ka dëme dhe biznese, por bizneset nëse janë të regjistruara në
tatim- taksa”, shprehet një zyrtar i Bashkisë së Shkodrës, i cili kërkoj të
mbetej anonim. Ndër të tjera po i njëjti
burim bëri të ditur se në 2010 përmbytjet kanë qenë masive dhe dëmet me një
shifër shumë të madhe. “400 biznese të paktën të bashkisë Shkodër nuk janë
dëmshpërblyer, nga ato 20 mund të jenë dëmshpërblyer jo më shumë, pasi bizneset
e tjera nuk kanë qenë të regjistruara në tatim- taksa dhe nuk kanë përfituar
dëmshpërblime. Ndërsa sot dëmshpërblimi bën fjalë vetëm për shtëpi, për
bizneset duhet të dalë me një vendim të veçantë
Qeveria dhe këto biznese merren në konsideratë për dëmshpërblim kur
shpallet fatkeqësia natyrore”, tha ndër
të tjera i njëjtin burim.
Po i njëjti burim u shpreh për Sinjalizo se edhe vitin e kaluar dëmet kanë
qenë shumë të mëdha, shifrat kanë qenë shumë të mëdha, por i ka bllokuar
Këshilli Bashkiak. “Realisht kanë qenë shifra të fryra për dëmet dhe pastaj normalisht
këtu futej politika pastaj”, përfundon ai./ Albanian Center for Quality Journalism
