Mbetjet ilegale anës Vjosës kthehen në shqetësim për banorët dhe mjedisin
Pamjet në terren
dëshmojnë një zjarr thuajse të fikur mbi grumbuj plehrash të shpërndara, pak
metra larg Vjosës. Teksa hyn lehtësisht në vendgrumbullimin afër shtëpive të
banuara, mund të vësh re “kategorizime” mbetjesh duke filluar nga organe
kafshësh, plastikë, xham dhe inerte, të shpërndara nëpër territor. “U
telendisëm, jo ne po gjithë qyteti… ditë për ditë venë ia vënë vetë zjarrin, se
nuk bie zjarri vetë. Është turp i madh që të marrësh mbeturinat edhe ditë për
ditë dhe t’i hedhësh në Vjosë”.
“Pse nuk i shohin
ata që këto venë në Vjosë?!”, – ngre më tej pyetjen Besniku.
Besnikun dhe
familjarët e tij i mban shpresa se do të investohet në zgjidhjen e problemit,
pasi vendgrumbullimi i mbetjeve shtrihet pak metra larg lumit Vjosa. Ata e dinë
që Vjosa tashmë është bërë çështje ndërkombëtare.
Me nostalgji
Besniku kujton një kohë kur nga lumi gëzonte e gjithë Tepelena.
“E di si e kemi
pasur këtë lumin ne? Tepelena, gjithë Tepelena vinte dhe rrinte në zall.
Kënaqeshim! Këta e qelbën! Ku të vemi në lumë ne?!”
I moshuari rrëfen
se është i gatshëm të dhurojë një pjesë të pensionit të tij prej 20.000 lekësh,
vetëm e vetëm që të rregullohet situata e mbetjeve pak metra larg shtëpisë së
tij.
Të tjerë banorë, tregojnë se janë të detyruar të kyçen brenda sa herë mbeturinave i
vihet zjarri. Këtë problem ata e pohojnë prej 30 vitesh.
“Kur e kthen
tymin era andej, shyqyr o zot. E ktheu era këtej, e kemi ne, mjerë ne! Dhe më
e keqja është kur s’fryn erë, se vjen një gjendje të fjetur ajo, të bllokon”, –
pohon një grua rreth të 50-tat e cila nuk dëshiron të identifikohet.
Në pritje të
landfillit në Bajkaj…
Qarku i
Gjirokastrës ka shtatë bashki dhe prodhon në vit një sasi prej 62 ton mbetjesh.
Momentalisht, sa i përket Bashkisë së Tepelenës, mbetjet grumbullohen dhe
hidhen në Majkosh. Përveç djegies, një mënyrë tjetër për të larguar nga “sytë”
mbetjet është groposja e tyre.
Të pezmatuar,
banorët shpjegojnë ciklin përmes të cilit kalon mbledhja e mbetjeve: “Merr
këtu, hidh në kazan, merr nga kazani, derdh aty, ndiz me zjarr”.
“S’është zgjidhje!”,
– pohon zoti Besnik, i cili ndjehet më keq se të ishte i dënuar në shtëpinë e
tij. “Kur fryn era, mbyll derën edhe futu brenda, rri si dënuar”.
“Jo jo”,-
kundërshton më pas ai veten, “të dënuarve u kanë lënë ajrim”, – përfundon ai.
Aleksandër Toti nga Bashkia Tepelenë shprehet
i vetëdijshëm për problemin në fjalë, megjithatë tregon se Bashkia nuk arrin
dot të mbulojë me shërbim të mbledhjes së mbeturinave në të gjithë zonën.
Sa i përket
mbetjeve që mbulohen me shërbim nga Bashkia Tepelenë, ai pohon se ato hidhen po
në Majkosh.
“Shërbimi
kryesisht është e përqendruar në qytet dhe në zona që janë të arritshme me
rrugë të asfaltuara”, – shprehet Toti. Ai shpjegon se situata mund të marrë
zgjidhje me ndërtimin e landfillit të Bajkaj, i cili pritet të ndërtohet dhe të
vihet në funksion pasi të hapet rruga Kardhiq-Delvinë.
Të njëjtën gjë
pohon dhe Ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro. Në një vizitë të kryer në
Bajkaj një muaj më parë, Kumbaro tha se pas përfundimit të punimeve, shtatë
Bashkitë e Gjirokastrës do t’i dërgojnë mbetjet urbane në landfill.
Punimet për
ndërtimin e këtij landfilli kanë nisur në vitin 2015. Ishte vetë Kryeministri
Edi Rama që vizitoi në terren ecurinë e punimeve, të cilat, ende pas gjashtë
vitesh, nuk kanë përfunduar.
Edhe më herët,
Citizens Channel ka raportuar rreth ndotjes dhe keqmenaxhimit të mbetjeve në
qarkun e Gjirokastrës. Përfaqësues të Bashkisë pohuan se nuk kanë kapacitete
financiare për të mbuluar këtë shërbim që rëndon cilësinë e jetës së banorëve./ Citizens Chanel
