Kukës/Ndërtimi i rrugës së Borjes, asnjë dritë jeshile edhe për 2022-shin
Prej dy vitesh,
12 kilometra rrugë që lidhin fshatin Borje në Kukës me rrugën nacionale, ende
nuk janë ndërtuar. Banorët e fshatit, që bllokohen nga dëbora gjatë dimrit,
duhet të presin me shpresë nga qeveria shqiptare, pasi bashkia nuk ka fonde për
të investuar, pavarësisht premtimit të kryebashkiakut të Kukësit dy vite me
parë.
Në qershor të
2019-s kandidati i Partisë Socialiste dhe tashmë kryetar i Bashkisë Kukës,
Safet Gjici shkoi në fshatin Borje, ku premtoi ndërtimin e rrugës që lidh
fshatin me rrugën nacionale.
Dy vite pas këtij
premtimi, Faktoje fillimisht kërkoi në faqen zyrtare të bashkisë e Kukësit, për
të mësuar nëse aktualisht kishte një investim për këtë rrugë, por faqja
rezulton se plotësohet.
Po ashtu edhe në
ndarjen ku pasqyrohen projektet në zbatim, nuk kishte asnjë të tillë, që lidhet
me investimet për rrugën që lidh fshatin Borje me Kukësin.
Për të patur një
informacion më të saktë, Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion bashkisë
Kukës, ku e pyetëm nëse kishte bërë së fundmi ndërhyrje për këtë aks rrugor. Në
përgjigjen e saj kjo bashki na informon se nuk ka asnjë projekt, apo investim
lidhur në këtë rrugë.
Në strategjinë e
zhvillimit të bërë publike nga Bashkia Kukës, Njësia Administrative Shishtavec
ku bën pjesë dhe fshati Borje, rezulton në listën e njësive, që bllokohen
mesatarisht 1 javë si pasojë e reshjeve të dëborës.
Edhe më herët
Faktoje e ka ndjekur këtë premtim, ku në vitin 2020 konstatuam se gjendja e
rrugës ishte skandaloze.
“Rrugën më të
mirë ne e kemi atë që na lidh me Kosovën, po puna na do edhe të kalojmë në
Kukës. Nuk është vënë dorë që nga vitet 90’, atëherë ka pasur një mirëmbajtës
rruge të caktuar nga shteti. Sot është sikurse e shikoni, pa asnjë investim”- u
shpreh për Faktoje një nga banorët e fshatit Borje vitin që kaloi.
Rruga e Borjes në
dorë të qeverisë shqiptare
Banorët e fshatit
Borje, u duhet të presin ende për ndërtimin e kësaj rruge, pasi ajo nuk është
parashikuar në buxhetin e bashkisë së Kukësit për vitin 2022.
Më datë 24
dhjetor 2021, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Kukës,
kryetari i bashkisë Safet Gjici u shpreh se në vitin 2022 është parashikuar që
të punohet në: rruga kryesore në fshatin Shtiqen, fshatin Nange, fshatin Kolsh.
Edhe pse të tre këto fshatra janë shumë afër qytetit të Kukësit, kryebashkiaku
e lidhi investimin me numrin e banorëve në krahasim me fshatrat e tjerë.
Përsa i përket
rrugës së Borjes, ai shpreh se kjo rrugë duhet të bëjë pjesë në investimet e
qeverisë shqiptare, pasi bashkia nuk e mbulon dot. Më tej Gjici shtoi se
projekti për këtë rrugë dhe disa të tjera, është dërguar në qeverinë shqiptare.
Nisur nga të
dhënat e grumbulluara dhe premtimin e kreut të bashkisë së Kukësit, do ta
kategorizojmë të pa mbajtur.
“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët./ Faktoje.al
