TRAJNIM MBI EKONOMINË E GJELBËR DHE ZHVILLIMIN LOKAL
Në kuadër të projektit ndërkufitar “KAPËRCIM I GJELBËR– Drejt ekonomisë së gjelbër vendore përmes investimeve inteligjente” u zhvillua trajnimi vijues në Has, fizikisht dhe online në datat: 9, 10 dhe 17 dhjetor 2021.
“Ndikimi i ekonomisë se gjelbër
në rritjen e ekonomisë” që solli bashkë mbi 25 pjesëmarrës. Trajnimi bashkoi
përfaqësues nga dy bashkitë Has dhe Klinë, punonjës të administratës, nisma
ekonomike lokale, të rinjtë etj. Trajnimi synoi të rriste kapacitetet e
pjesëmarrësve mbi ndikimin e ekonomisë se gjelbër në rritjen e ekonomisë
vendore dhe ndërkufitare. Nëpërmjet hapave të këshilluar secila bashki mund të
ndjek një plan konkret për planifikimin e zhvillimit të gjelbër. Në trajnim u prezantuan
hapat këshillues që të dyja bashkitë mund të përzgjedhin për hartimin e
planeve, strategjive për zhvillimin e ekonomisë lokale duke u bazuar në
konceptet e ekonomisë së gjelbër.
Trajnimi u
shoqërua me diskutime dhe me shembuj konkret duke u bazuar në hapat e
këshilluara që ndiqen për një planifikim të zhvillimit të gjelbër: që nga
diagnoza e situatës, analiza e palëve të interesit, vlerësimi i mundësive,
krijimi i programit të mundshëm dhe ofrimi i rekomandimeve. Pjesëmarrësit patën
mundësi që të njiheshin me realitetet e të dy bashkive për të mësuar më shumë
rreth mundësive që ofron secila prej tyre. Investimet konkrete që kanë ndodhur
në Bashkinë Has dhe në Komunën Klinë ishin rastet më të mira që pjesëmarrësit
të vinin në praktikë pjesën teorike të trajnimit dhe për të kuptuar përfitimet
ekonomike që vijnë nga investimet inteligjente, që çojnë drejt ekonomisë së
gjelbër. Në Bashkinë Has është ndryshuar ndriçimi i jashtëm rrugor me llamba
LED efiçiente që kursejnë energjinë dhe në komunën Klinë është zhvilluar
investim me panele diellore për të përdorur burimet e ripërtëritshme dhe për të
gjeneruar energji. Bujqësia ishte një nga sektorët që u trajtua më shumë nga
pjesëmarrësit si një sektor që identifikohet si i rëndësishëm për ta patur në
vëmendje për zhvillimin e gjelbër dhe se nevojat që ka ky sektor janë të mëdha.
Bashkitë kanë buxhet të vogël, por nëpërmjet investimeve inteligjente sektori
mund të ketë një perspektivë të re. Sugjerime dhe komente praktike pasuan në
lidhje me sektorin e bujqësisë që është një sektor i rëndësishëm për të dyja
bashkitë. Dita e fundit e trajnimit u zhvillua një javë pas dy ditëve intensive
për të lënë kohë në asimilimin e informacionit dhe për të zhvilluar secili
pjesëmarrës një punë në nivel më personal, dhe u zhvillua një diskutim me
pjesëmarrësit sesi ndodh zbatimi i hapave konkret në terren edhe te rëndësia që
ka monitorimi i punës së ndjekur dhe në analizën e gjithë procesit duke nxjerrë
mësime.
Pjesëmarrësit në
fund të trajnimit u shprehën: “Trajnimi ishte shumë i vlefshëm në lidhje me
mjedisin dhe përditësimi i zhvillimeve në nivel lokal me specialistë të zonës”
“Çfarë mësuam ishte rëndësia që investimet të kenë gjithmonë në konsideratë
aspektin e mirëmbajtjes dhe kostos” “Njohja më konkretisht e investimeve në Has
dhe në Klinë ishte shumë interesante për zhvillimin ndërkufitar”
Trajnimi do të
pasohet me një manual udhëzues me një përshkrim të tërësisë së hapave të
këshilluara për planifikim të gjelbër, manuali do ndahet me pjesëmarrësit dhe
do jetë publik për ti ardhur në ndihmë jo vetëm bashkive në Shqipëri dhe
Komunave në Kosovë, por dhe nismave ekonomike dhe bizneseve lokale
Ky është trajnimi
i katërt, nga pesë trajnimet për zhvillimin e kapaciteteve, në kuadër të
projektit ndërkufitar të financuar nga Bashkimi Evropian - IPA II
"KAPËRCIM I GJELBËR– Drejt ekonomisë së gjelbër vendore përmes investimeve
inteligjente". Projekt zbatohet nga Balkan Green Foundation në Kosovë dhe
Qendra mjedisore EDEN në Shqipëri me partnerët e saj në pushtetin lokal Komuna e
Klinës dhe Bashkia e Hasit. / EDEN Center
.png)