HEC-et në Valbonë: Qeveria bën një sy qorr ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë
Dy hidrocentralet
në luginën e Valbonës, të bllokuara nga përmbarimi gjyqësor me masë sigurie nga
Gjykata e Lartë, vazhdojnë të prodhojnë energji elektrike dhe t’ia shesin
OSHEE-së sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Në Dragobi,
vendimin e Gjykatës së Lartë për HEC-et e merr lumi
Prurjet dimërore
të përroit të Çeremit në fillim të dhjetorit ishin të vrullshme. Përmes një
tuneli të gërmuar në shkëmb dhe nëpërmjet tubave, uji rrjedh nga mali dhe futet
në turbinat e hidrocentralit pranë fshatit Dragobi, ndërsa zhurma e agregateve
oshëtin në luginën e Valbonës.
Uji që rrjedh nga
turbinat del i turbullt, përpara se të bashkohet me rrjedhën e kaltër të lumit
të Valbonës. Disa kilometra më lart në drejtim të fshatit Valbonë është
ndërtuar edhe HEC-i i dytë, i cili furnizohet gjithashtu me tuba përmes përroit
të Çeremit.
“Po punojnë dhe
po i luajnë fenë,” thotë Shkëlzen Metalia, aktivist mjedisor që ka protestuar
vazhdimisht kundër ndërtimit të HEC-eve. “Nuk kemi se çfarë të bëjmë,” shtoi ai
i dorëzuar.
Me 11 nëntor, pas
një vendimi për masë sigurie të marrë nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së
Lartë, Zyra e Përmbarimit Gjyqësor në Kukës vendosi pezullimin e punës dhe
kontratës së dy hidrocentraleve – HEC Dragobia dhe Çeremi.
Por gati dy muaj
më vonë nga ekzekutimi në letër i këtyre vendimeve, të dy hidrocentralet
vazhdojnë të prodhojnë energji elektrike dhe t’ia shesin atë Operatorit të
Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, duke sfiduar vendimin e Gjykatës së Lartë.
Sipas të dhënave
që BIRN siguroi nga ERE nëpërmjet ligjit për drejtën e informimit, vetëm në
muajin dhjetor, këto HEC-e i kanë shitur 5,648 MWh energji elektrike
Furnizuesit të Tregut të Lirë Sh.a, një kompani publike pjesë e grupit OSHEE.
E pyetur nga
BIRN, OSHEE dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit, OST, pretenduan se nuk
ishin të informuar për masën e sigurisë së vendosur nga Gjykata e Lartë.
Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se kishte marrë dijeni,
por pretendoi se ishte përgjegjësi e Zyrës së Përmbarimit Tropojë të informonte
institucionet e tjera.
Ndërkohë,
përmbaruesi i Tropojës, Eduard Mrishaj tha se pala paditëse nuk ishte ankuar se
hidrocentralet vazhdonin të punonin.
“Asnjë nga 27
banorët e Njësisë Administrative Margegaj të Bashkisë Tropojë, por edhe Shoqata
Toka e përfaqësuar nga znj. Catherinë Bohne nuk ka paraqitur në zyrën tonë
ndonjë ankesë,” tha ai.
HEC-et Dragobia
dhe Çeremi janë ndërtuar nga kompania ‘Dragobia Energy’ Shpk, e cila është në
pronësi 100% të kompanisë “Gener 2’ – një nga kompanitë më të mëdha në vend.
I pyetur nga BIRN
mbi zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, Albi Greva, zëdhënës i kompanisë
‘Gener 2’ pretendoi se ai po zbatohej dhe uji që kalonte në agregatet e
hidrocentraleve në Valbonë nuk prodhonte energji elektrike.
“Uji mund të hyjë
në central por jo për qëllim prodhim energjie,” tha Greva. “Ne i respektojmë
rregulloret,” shtoi ai.
Parku Kombëtar i
Luginës së Valbonës është një nga pikat më të bukura natyrore të veriut të
Shqipërisë dhe gëzon mbrojtje të veçantë ligjore.
Por pavarësisht
statusit të mbrojtjes, qeveria shqiptare ka firmosur ndërtimin me koncesion të
dy HEC-eve në Valbonë, duke nxitur një betejë disa vjeçare të banorëve të zonës
dhe një seri padish gjyqësore.
Pas një beteje
6-vjeçare kundër ndërtimit të HEC-eve në Valbonë, banorët e zonës korrën një
fitore të vonuar më 21 korrik, kur Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë
vendosi si masë sigurie pezullimin e kontratës së koncesionit për HEC Dragobia
dhe Çeremi.
Vendimi i
gjyqtarëve Sokol Sadushi, relatorit Ilir Panda dhe Sokol Binaj thotë se
pezullohej kontrata e koncesionit, shtesat që i ishin bërë asaj dhe lejet e
përmendura në padi. Pezullimi sipas vendimit të shkurtuar do të zgjasë “deri në
zgjidhjen përfundimtare të çështjes me vendim të formës së prerë”.
Vendimi u mor 5
vjet pas dorëzimit të padisë nga një grup banorësh dhe shoqata “Toka” – kohë
kjo e mjaftueshme për ndërtimin e HEC-eve dhe nisjen e prodhimit të energjisë
prej tyre.
Vendimi i
Gjykatës së Lartë nuk ishte i vetmi që pezulloi punimet si masë paraprake, deri
në shqyrtimin e themelit të çështjes. Në qershor 2018, Gjykata Administrative e
Apelit pranoi kërkesën e protestuesve për pezullim të punimeve. Por në një
vendim të paprecedentë, pezullimi u rrëzua nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të
Tropojës.
Sami Demiri nga
fshati Dragobi, një ndër aktivistët kryesorë që është vënë në mbrojtje të Lumit
Valbona nga ndërtimi i HEC-eve, i tha BIRN se beteja për mbrojtjen e luginës
nuk ka qenë pa kosto për banorët, të cilëve iu desh të përballeshin me
kompaninë koncesionare.
“Nuk kam marrë
parasysh asgjë kur vjen puna për mbrojten e Parkut Kombëtar,” tha Demiri.
“Madje në shenjë proteste nuk i kam dhënë dorën asnjë pushtetari që ka ardhur
nga Tirana,” shtoi ai.
Demiri rikujtoi
një bisedë me një gotë raki përpara me ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Yuri
Kim, së cilës i kishte thënë kur ishte për vizitë në Tropojë: “Natyra është më
e shtrenjtë se nana. Nana jeton 70-80 vjet, ndërsa natyra është e përjetshme.”
Por ndërkohë që
beteja e aktivistëve për ruajtjen e lumit Valbona vazhdon, edhe prodhimi i energjisë
elektrike nga kompania koncesionare nuk është pezullur.
Bashkëfshatari i
tij, Ibrahim Demiri, ish-drejtor i shkollës 9-vjeçare të Dragobisë dhe sot
mësues në pension, është i shqetësuar se biodiversiteti i lumit të Valbonës po
tjetërsohet në mënyrë të pashmangshme nga turbinat e HEC-eve.
“Lumi Valbona
ndër shekuj ka ruajtur kaltërsinë e saj të veçantë edhe në kohë dimri, periudhë
shirash, por edhe në pranverë kur shkrin bora dhe fryhet lumi,” tha Ibrahimi.
“Shikojeni vetë si është turbulluar pas përzierjes së ujit me përroin e Çeremit nga ndërtimi i HEC-eve,” shtoi ai, ndërsa theksoi se turbullimi i ujit rrezikon gjallesat, “përfshirë troftën e famshme të Valbonës.”/ Reporter.al
