Shoqata e mjedisit të shqetësuara mbi vendimet e fundit të qeverisë për zonat e mbrojtura
Organizatat e
shoqërisë civile kundërshtojnë dy vendimet e marra nga Këshilli i Ministrave më
26 Janar 2022 lidhur me Zonat e Mbrojtura. Vendimet e mësipërme reduktojnë me
11% sipërfaqen e Zonave të Mbrojtura Ligatinore, heqin prej tyre habitate të
vyera, i hapin rrugë zhvillimeve të paqëndrueshme në brendësi apo në afërsi të tyre,
rrisin ndikimet negative mbi zonat qendrore të Zonave të Mbrojtura, varfërojnë
habitatet dhe speciet, godasin larminë biologjike të këtyre zonave dhe të gjithë
Shqipërisë.
Vendimet synojnë
të ligjërojnë shkatërrimin e zonave të mbrojtura bregdetare dhe ligatinore të
Shqipërisë duke prekur Liqenin e Shkodrës, ekosistemin Bunë-Velipojë, ligatinat
Kune-Vain,_Tale dhe Patok, Parqet Kombëtare të Divjakë-Karavastasë dhe të
Butrintit, si dhe zonat Vjosë-Nartë e Pishë-Poro. Pas tyre fshihen
zhvillime të paqëndrueshme, si urbanizim, aeroporte, bujqësi intensive, sipërfaqe
habitatesh të mbuluara nga parqe industriale me panele fotovoltaike dhe turbinat
ere etj. Këto investime bien në kundërshtim me funksionet ekologjike të Zonave
të Mbrojtura bregdetare. Për pasojë vendimet janë fillimi i fundit të Zonave të
Mbrojtura ligatinore të Shqipërisë dhe njëkohësisht përbëjnë dëmtim të gjithë
larmisë biologjike të vendit.
Procesi i
ndjekur për të miratuar këto vendime është i mbushur me shkelje ligjore të njëpasnjëshme.
Përmbajtja e vendimeve mbart paligjshmëri. Për pasojë vetë vendimet janë të
paligjshme dhe do të kundërshtohen në gjykatë. Veҫ kësaj përmbajtja e vendimeve do
të ankimohet dhe në konventat për mbrojtjen e natyrës ku Shqipëria është palë.
OJF-të janë të
vendosura për të luftuar jo vetëm reduktimet e sipërfaqes, por edhe planet
famëkeqe për shkatërrimin e Zonave të Mbrojtura Ligatinore.
