Shqipëria nën “presionin” e ndryshimeve klimatike
Më shumë se 420
milion njerëz do të kërcënoheshin nga valët e të nxehtit dhe më shumë se 80
milion nga uria. Shumë vende do të vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, sëmundjet
do të shtohen dhe shumë lloje bimësh e kafshësh do të zhdukeshin. Këto janë
disa nga pasojat me të cilat do të përballet bota, në qoftë se nuk merren masat
e duhura ndaj ndryshimeve klimatike.
Në raportin më të
fundit të OKB-së për klimën, raportohet se bota ndodhet drejt një “rruge
katastrofike” dhe se ngrohja globale kërcënon “me humbje masive të jetëve të
njerëzve”.
Ekspertët e
mjedisit nga ana tjetër, e krahasojnë ngrohjen e klimës me pandeminë e
COVID-19, për arsye se është një problem që zgjat në kohë dhe ka prekur të
gjithë botën. Madje është vlerësuar se kjo është një problematikë, e cila do të
ndikojë edhe në të ardhmen.
Por përveç
ekspertëve, tanimë çdo njeri e ka vënë re ndryshimin e klimës. Një banor i
qytetit të Kukësit, shprehet se klima në Shqipëri ka ndryshuar shumë dekadat e
fundit. Madje ai e krahason klimën aktuale, me atë të viteve ’50 apo ’80,
periudha kur dimri ka qenë shumë më i ashpër dhe trashësia e borës arrinte deri
në një metër e gjysmë. Ndërsa, gjatë këtij viti, reshjet e dëborës kanë qenë të
pakta, duke shënuar një ndër dimrat më të butë të dekadave të fundit.
Eksperti i
mjedisit, Mihallaq Qirjo shpjegon se Shqipëria është një ndër vendet evropiane
më të rrezikuara ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike. Kryesisht komunitetet
më të prekura, janë ato të ndodhura pranë lumenjve (zona e Shkodrës apo Vjosa,
etj.) Në fakt të gjithë lumenjtë e Shqipërisë kanë pasur momente të përmbytjes
në zona të caktuara.
Dalja e lumit
Erzen nga shtrati (Dhjetor, 2021)
Së fundi është
vërejtur se gjatë stinës së verës, periudha të gjata thatësire janë prezentë,
si pasojë e mungesës së reshjeve. Ndërsa e kundërta ndodh në stinën e vjeshtës
dhe të dimrit ku reshjet e shumta shkaktojnë përmbytje dhe nga statistikat më
të fundit, rezulton se këto fenomene kanë prekur rreth 560 mijë njerëz në
vendin tonë (Ministria e Mjedisit).
Ndër sektorët më
të prekur nga ndryshimi i klimës është edhe bujqësia. Fermerët përballen me
probleme të shumta sepse thatësira gjatë verës ndikon drejtpërsëdrejti në
prodhimet e tyre bujqësore e për rrjedhojë ndikon tek gjithsecili nga ne, në
përgjegjësinë për rritjen e çmimeve, në pamundësinë e furnizimit në zinxhirin e
furnizimit të produkteve bujqësore e blegtorale.
Por, përveç
ndikimit në zinxhirin e furnizimit ushqimor, ndryshimi i klimës ndikon edhe në
shëndet.
Vitet e fundit janë shtuar sëmundjet dhe automatikisht edhe numri i vdekjeve
nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore. Sëmundjet e tjera infektive
apo gripi stinor, vazhdojnë të jenë prezent përgjatë gjithë vitit për shkak të
shkallës së lartë të përhapjes tek njerëzit.
Duke kaluar edhe
në ekonomi, ku rritja e çmimit të energjisë apo ujit, ndikojnë drejtpërsëdrejti
në ekonominë e çdo familjeje shqiptare.
Për këto arsye është e nevojshme të ndërmerrën masa për reduktimin e këtyre
pasojave.
Marrëveshja e
Parisit është një ndër nismat pjesë e të cilës u bënë rreth 191 vende, dhe të
cilat ranë dakord për kufizimin e rritjes së temperaturës në 1,5°C krahasuar me
periudhën para industriale. Samiti COP26 i mbajtur në Nëntor 2021, gjithashtu
bëri të mundur që shumë vende të botës përshi këtu edhe Shqipërinë, të caktonin
targetet për reduktimin e shkarkimeve të gazeve serë. Shqipëria premtoi se
do të ulë shkarkimet me 20.9%, shkarkime kryesisht nga sektori i
transportit apo menaxhimi i mbetjeve. Kjo për faktin se industria në
vendin tonë është e vogël dhe nuk ka shumë shkarkime.
Samiti COP26
(Nëntor 2021)
Ndërkohë që
Ministria e Turizmit në bashkëpunim me një sërë institucionesh vendore dhe
organizatash ndërkombëtare kanë realizuar kërkime, të cilat janë reflektuar dhe
në dokumentin kombëtar të përcaktuar dhe në “Planin Kombëtar për Energjinë dhe
Klimën” të miratuar së fundi. Gjithashtu, ajo raporton rregullisht pranë
Konventës Kuadër të Ndryshimeve Klimatike dhe aktualisht është duke hartuar
komunikimin e katërt kombëtar.
Raporti i OKB-së
pas verifikimit të objektivave kombëtare arrin në konkluzionin, se shkarkimet e
gazeve serë në fund të kësaj dekade, do të jenë 16% më të larta se në vitin
2010. Ndërkohë, projeksionet e ndryshme të skenarëve të ndryshimeve klimatike
parashikojnë rritjen e temperaturave deri në vitin 2029 me 1-1.3 °C dhe deri në
vitin 2100 me 1.3-4.4 °C , rritje e cila do ndihet gjatë stinës së verës dhe
parashikohet të jetë diku tek 5.8 °C.
Ekspertët pohojnë
se raporti i OKB që i referohet 2.7 ° ka të bëjë me atë ç’ka vendet kanë
premtuar vullnetarisht për uljen e shkarkimeve. Nëse ne do të jemi të
suksesshëm të ulim shkarkimet deri aq sa vendet kanë premtuar, temperatura do
të ketë 2.7 ° më shumë, ndërkohë opinioni publik, ekspertët shpresojnë që të
mos jetë më shumë se 1,5. Kjo diferencë nga 2.7 në 1.5 është ai detyrim shtesë
që të gjitha vendet duhet të kenë për të ulur edhe më tej shkarkimet përndryshe
efektet mund të jenë katastrofike. Për shembull, do të shfaqen problematika me
ujin e pijshëm, meqë me rritjen e temperaturave një pjesë e mirë e ujit
avullon, thatësirat do të rriten, do ketë problematika të shtuara në lidhje me
erozionin bregdetar, rritja e nivelit të detit e cila ndikon edhe në rritjen e
shkallës së erozionit, siguria ushqimore etj. Mund të ketë problematika të
shtuara edhe me zjarret sikundër edhe gjatë verës së 2021 ishin shumë të
pranishme edhe në Shqipëri edhe në vende të tjera të globit.
Gjithashtu, rritja e temperaturës intensifikon ato që quhen situata ekstreme të
motit, rrebeshe të mëdha që sjellin përmbytje apo periudha shumë të nxehta që
sjellin problematika në ushqim apo në shëndet.
Një gazetar
bullgar i çështjeve mjedisore përmend një tjetër problem madhor siç është edhe
injorimi i vendimmarrësve dhe politikanëve ndaj paralajmërimeve të mëparshme
mbi pasojat e ngrohjes globale dhe duket se ka rezistencë të madhe dhe
pamundësi të madhe veprimi mbi këtë sfidë nga vendimmarrësit dhe industritë.
Njerëzit duhet të kuptojnë se jeta duhet të ndryshojë. Ne duhet të heqim dorë
prej disa të mirave materiale, të cilat i përfitojmë nga natyra edhe
shfrytëzimi i tepërt i saj. Shoqëritë në Vendet e zhvilluara dhe atyre në
zhvillim duhet të ‘përmirësojnë trupin e tyre’. Kjo është sfida dhe
njëkohësisht mundësia më e madhe. Ne duhet të zgjedhim materiale më pak të
ndotshme dhe më pak konsumuese për zhvillimin e shoqërisë-thotë gazetari.
Tashmë është
vërtetuar se burimet më të mëdha të ndotjes që shkaktojnë efektin serë janë
qymyri, nafta dhe gazi, që origjinojnë nga aktivitetet antropogjene dhe
ekonomike. Pyetja më e madhe tani është nëse qeveritë dhe industritë tona do të
përshtaten dhe ndryshojnë në mënyrë shmangien e pasojave katastrofike.
Në këtë drejtim
Shqipëria ka arritur të hartojë dhe miratojë legjislacionin e duhur për
mbrojtjen e mjedisit duke renditur edhe sektorët më kryesorë që duhet të marrin
masa për shkarkimin e gazeve serë. Këtu përfshihen:
Sektori i
energjisë dhe transportit të cilët janë edhe ndotësit kryesorë:
- Bujqësia
- Menaxhimi i
mbetjeve
- Industria
- Përdorimi i tokës
dhe pyjet.
Pyllëzimet janë
ndër kontribuesit kryesorë në absorbimin e dyoksidit të karbonit. Masa të tjera
janë fillimi i përdorimit të makinave elektrike. Përmendim këtu, flotën e
autobuzave elëktrikë në Tiranë. Masa të tjera të marra apo në proces janë edhe
përkrahja që qeveria po i bën përfitimit të energjisë nga burimet e
rinovueshme, siç janë sistemet fotovoltaike. Këto janë të gjitha ato masa me të
cilat ne synojmë që deri në vitin 2030 të ulim shkarkimet e gazeve serë deri në
20,9 % në vend (Ministria e Mjedisit).
Ekspertët
gjithashtu japin disa sugjerime si prsh:
- Rritja e
sipërfaqeve të gjelbëra në qytete,
- Përmirësimi i
termo-izolimit të banesave rrit jo vetëm cilësinë e jetesës së familjes brenda
një banese, por ul edhe konsumin e energjisë.
- Trajtimi i
mbetjeve, me uljen e sasisë së mbetjeve që gjenerojmë në banesë apo në mjedisin
e punës, ulet edhe sasia e atyre mbetjeve që kur dekompozohen rrisin gazet serë
në atmosferë”, sugjeron ekperti i mjedisit M.Qirjo.
- Ndryshimi dhe
zëvendësimi i llambave në shtëpi, me llamba led që përdorin 75% më pak energji
se llambat e zakonshme.
Pastrimi i
filtrave të kondicionerëve sepse kondicionerët me filtër të papastruar kanë
nevojë për më shumë energji për të funksionuar si duhet.
Jeta në tokë po
ndryshon, për shkak të klimës dhe të ngrohjes globale, e cila, nëse rritet më
shumë se 1,5 gradë të parashikuar nga Marrëveshja e Parisit, do të kishte
ndikime të pakthyeshme në sistemet njerëz. /Report
TV
