Të tjera


Thirrje për anëtarë të bordit drejtues të SGP

Programi I Granteve të vogla të GEF (GEF/SGP) fton të interesuarit për t’u bërë pjesë e bordit vendim marrës të SGP të aplikojnë për këtë pozicion. Tipikisht bordi mblidhet 2 herë në vit për të vlerësuar propozimet. Anëtarët e Bordit qëndrojnë në këtë pozicion për 3 vjet me të drejtë zgjatje edhe për tre vite të tjera.

*********************************************************

Informacion i përgjithshëm

Programi i Granteve të Vogla i GEF (SGP, GEF:akronimi në ang.) u prezantua në vitin 1992 bazuar në parimin: ‘Zgjidhjet mjedisore të rangut global janë të qëndrueshme vetëm nëse arrihet përfshirje aktive e komuniteteve lokale dhe krijohen përfitime të drejtpërdrejta, si rezultat i këtyre proceseve dhe autorësisë në to të komuniteteve. Programi financohet nga GEF dhe zbatohet nga UNDP në bashkëpunim me GEF, përmes UNOPS-it.

Programi i Granteve të Vogla GEF në Shqipëri SGP është aktiv që nga viti 1998. Programi ka miratuar  përgjatë viteve mbi 250 grante, kundrejt një financimi të përgjithshëm prej 3,5 milionë dollarë. Portofoli i projekteve është shumë i ndryshëm dhe përfshin projekte me një larmi problematikash; si biodiversiteti, ndryshimet klimatike dhe degradimi i tokës. Programi ka shërbyer si një nga burimet më të rëndësishme të financimit në fushën e mjedisit, për OJF-të, po ashtu dhe si një laborator apo inkubator idesh për shumë nisma mjedisore, të cilat janë shtrirë dhe bërë pjesë e projekteve më të mëdha.

SGP synon të prodhojë në nivel global përfitime mjedisore, të ruajtjes së biodiversitetit, zbutjes së ndryshimeve klimatike, mbrojtjes së ujërave ndërkombëtare, parandalimit të degradimit të tokës dhe eliminimit të ndotësve organikë të qëndrueshëm, nëpërmjet qasjeve të bazuara në komunitet në rajonet ku GEF është i përfshirë. 

Puna e SGP bazohet në besimin se problemet globale mjedisore trajtohen më mirë dhe përfitimet janë më të drejtpërdrejta, nëse komunitetet vendore përfshihen dhe u jepet autorësi në këto nisma.

Fushat me përparësi për SGP OP 7 janë:

  1. Bujqësia, peshkimi i qëndrueshëm, dhe siguria ushqimore.
  2. Përfitimet nga aksesimi i burimeve të energjisë me nivel të ulët karboni
  3. Ruajtja ekosistemeve dhe specieve të kërcënuara, bazuar në komunitet.
  4. Koalicionet lokale dhe globale për menaxhimin e mbetjeve dhe kimikateve.
  5. Katalizimi i zgjidhjeve të qëndrueshme urbane.
  6. Platformat e Dialogut për Politika dhe Planifikim, OShC-Qeveri-Sektori Privat.
  7. Rritjen e përfshirjes sociale.
  8. Monitorimi dhe Vlerësimi dhe Menaxhimi i Njohurive.

SGP është program i decentralizuar dhe zbatohet në mënyrë demokratike, transparente dhe i orientuar drejt nevojave të vendit dhe lehtësohet nga Koordinatori Kombëtar (KK). Grantet e SGP-së jepen bazuar në vendimet e marra nga Komiteti Drejtues Kombëtar, që është strukturë vullnetare (KDK) që ndjek Strategjinë e Programit për Vendin, i cili bazohet në prioritetet kombëtare të mjedisit dhe qasjen zhvillimore. KDK është elementi qendror i SGP dhe ofron kontributin kryesor të tij në programin zhvillimor dhe strategjik të vendit. KDK përbëhet nga përfaqësues të qeverisë kombëtare, Zyra në Shqipëri e UNDP dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga OJF-të, organizatat me bazë komunitetin, nga akademia, shkenca dhe sektori privat, me një shumicë përfaqësimi nga sektori jo-qeveritar. KDK-të kanë mision të ndjekin zhvillimin dhe zbatimin e Strategjisë së Programit SGP (granteve të vogla) për vendin (CPS) dhe mbështetjen e projekteve përmes grantdhënies. Koordinatorët Kombëtarë dhe Asistentët e Programit lehtësojnë dhe mbështesin punën tërësisht në baza vullnetare të anëtarëve të KDK-së. 

Objektivat kryesore të Programit të Granteve të Vogla GEF janë:

  • Ndërgjegjësimi dhe ngritja e kapaciteteve të komuniteteve, organizatave me bazë komunitetin, organizatave jo-qeveritare dhe grupeve të tjera të shoqërisë civile për të zbatuar zgjidhje krijuese dhe efektive që gjenerojnë kontribute përsa i përket përfitimeve mjedisore në nivel global.
  • Nxitja e bashkëpunimeve të dobishme mes aktorëve të ndryshëm, veçanërisht mes shoqërisë civile dhe qeverisë, përmes mekanizmit shumë sektorial të vendim-marrjes, si dhe projekteve të bazuara në partneritet.
  • Zhvillimin dhe përhapjen e njohurive dhe metodologjive efektive të zbatimit, veçanërisht të qasjes së bazuar në komunitet, e cila mund të përmirësojë praktikën dhe politikën e zhvillimit të qëndrueshëm, si në nivel organizatash jo-qeveritare, ashtu edhe në nivelin e institucioneve qeveritare, dhe të donatorëve të tjerë.

Struktura e Komitetit Drejtues të GEF SGP:

Anëtarët e KDK-së janë përfaqësues të OJQ-ve, institucioneve akademike dhe shkencore, organizatave të tjera të shoqërisë civile, UNDP CO dhe qeverisë që kontribuojnë në baza vullnetare, me një shumicë të anëtarësisë që vjen nga sektori jo-qeveritar.

Ndërsa përfaqësimi në KKD i disa institucioneve (si p.sh i UNDP-së dhe Ministrisë përkatëse) realizohet përmes zgjedhjes së individëve, përfshi dhe ata që vijnë nga sektori privat dhe donatorët, të cilët pritet të japin kontribute me vlerë, ndaj nevojave të programit për ekspertizë (p.sh. në zonat me rëndësi të përfshirjes së GEF, jetesën e qëndrueshme, aspektet gjinore, komunikimin, mobilizimin e burimeve, zhvillimin e kapaciteteve).

Rezultatet e pritshme:

  • Vlerësime mbi cilësinë e projekteve të paraqitura për financim pranë SGP.
  • Vendimmarrje për miratimin ose refuzimin e aplikimeve për projekte, në përputhje me afatet dhe rregullat.
  • Monitorim dhe vlerësim të ecurisë së zbatimit të Strategjisë së Programimit SGP për vendin/et.

Detyrat dhe përgjegjësitë

Roli i Komitetit Drejtues të GEF SGP:

  1. KDK ofron udhëzime të përgjithshme për Programin Vendor dhe kontribuon në zhvillimin dhe zbatimin e strategjive për qëndrueshmëri të Programit Vendor.
  2. KDK është përgjegjëse për shqyrtimin, përzgjedhjen dhe miratimin e projekteve dhe për sigurimin e cilësisë së tyre teknike dhe përmbajtësore, në përputhje me objektivat strategjike të SGP-së.
  3. KK & KDK kontribuojnë në zhvillimin e Strategjisë së Programit për Vendin (CPS) në përputhje me Dokumentin përkatës të Programit të GEF, për Fazën Operacionale dhe prioritetet kombëtare në fushën e mjedisit, si dhe mbikëqyr zbatimin e tij.
  4. Anëtarët e KDK-së mbështesin Programin Vendor për të mobilizuar burime dhe për të integruar mësimet e nxjerra nga SGP-ja, apo sukseset në proceset e kombëtare të planifikimit dhe të politikëbërjes.
  5. Anëtarët e KDK-së nxiten të marrin pjesë në vizita që i paraprijnë miratimit të projektit, si dhe në monitorimin dhe vlerësimin e tij.
  6. KDK është një element qendror i SGP dhe jep kontributin kryesor lidhur me ecurinë në tërësi të programit, në bashkëpunim me KK.
  7. Anëtarët e KDK-së duhet të shfaqin në mënyrë të vazhduar angazhimin për të punuar me komunitetet dhe të ndajnë të njëjtin vizion lidhur me çfarë nënkupton zhvillimi i qëndrueshëm dhe parimi i të “menduarit globalisht, përmes të vepruarit lokalisht", në adresimin e shqetësimeve të komunitetit përmes përfshirjes së rajoneve që janë me rëndësi për misionin e GEF.

Rezultati i dëshiruar:

  • Mobilizim i mirë-organizuar dhe i mirë-vlerësuar i burimeve
  • KDK produktive
  • Projekte novatore investimi
  • Monitorim dhe vlerësim efektiv
  • Integrim dhe përshkallëzim ndërhyrjesh

Kompetencat

Kompetencat funksionale

Duhet të ketë njohuri në një apo më shumë nga fushat më poshtë:

  • Dhënien/administrimin grantesh, menaxhimin financiar, qeverisje
  • Zhvillimin komunitar, monitorim dhe vlerësim, menaxhim e njohurive, menaxhim projektesh,
  • Kërkim, shqyrtim politikash, zhvillim sipërmarrjesh.

Kompetencat kryesore:

  • Përkushtim për t’u ardhur në ndihmë komuniteteve lokale në trajtimin e problemeve mjedisore;
  • Ndershmëri dhe gatishmëri për të reaguar;
  • Aftësi për të punuar në skuadër dhe për të arritur konsensus mbi çështje të diskutueshme;
  • Shfaqë ndjeshmëri ndaj aspekteve të përshtatshmërisë kulturore, gjinore, fetare, racës, kombësisë dhe moshës;
  • Disponojë gjykim të shëndoshë, të jetë i drejtë dhe të jetë i orientuar drejt klientit dhe rezultateve
  • Përpikmëri dhe korrektësi.

Aftësitë dhe përvoja e nevojshme

Kriteret e pranueshmërisë:

Qytetarë vendas që janë:

  • Të disponueshëm për të kontribuar vullnetarisht, që vijnë nga sektori i OSHC-ve dhe më gjerë (OJQ-të, institucionet akademike dhe shkencore, grupet e grave, etj).
  • Përfaqësues të sektorit privat, donatorëve, ekspertë.

Arsimi:

  • Të kenë diplomë (Master/kualifikimet më të larta përbëjnë avantazh) ose minimumi 3 vite përvojë në subjekte ku punohet me Menaxhimin e Burimeve Natyrore, Studimet ekonomike të çështjeve ekologjike mjedisore, studimet zhvillimore, ose me fusha të lidhura me to.

Përvoja:

  • Përfaqësuesit nga sektori i jo- qeveritar duhet të kenë besueshmëri të lartë dhe përvojë të gjerë pune me OSHC-të, organizatat me bazë komuniteti;
  • Duhet të ketë aftësinë për të përfaqësuar nevojat dhe interesat e zgjedhësve në diskutimet e komiteteve;
  • Duhet të disponojnë gjithashtu njohuritë e nevojshme për rajonet me rëndësi të përfshirjes së GEF për çështje si: biodiversiteti, ndryshimet klimatike, ujërat ndërkombëtare, menaxhimi i qëndrueshëm i tokës dhe ndotësit organikë të qëndrueshëm dhe/ose tema specifike të tilla si gjinia, jetesa e qëndrueshme;
  • Njohuri bazë për programet kompjuterike, si MS Word, Excel, përdorimin Ueb-i dhe e-mali .

Gjuha:

  • Kërkohen njohuri bazë të gjuhës angleze

***********************************************************************************

Të interesuarit duhet të dorëzojnë një kopje të curriculum vitae (CV) pranë zyrës së SGP në formë elektronike, jo më vonë se 30 Mars 2022.


Adresa:

Z. Arian Gaçe, Koordinator

Rruga Pjeter Bogdani, ND 10, H5, Ap. 12,

PO1019, Tirane,

e-mail: [email protected] 

Mob: 0692090568

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.