Nismë e re e Institutit Rajonal të Mjedisit (REI) dhe zyrave të REC, nën ombrellën Evropiane
Drejtorët e
zyrave të RECut në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Kosovë, Mal i Zi,
Maqedoni e Veriut, dhe Turqi u takuan në Sarajevë (Bosnjë dhe Hercegovinë) në 7
Qershor 2022, për të njoftuar rrjetëzimin nën Institutin Rajonal të Mjedisit
(Regional Environmental Institute REI), një organizatë think-tank, e
krijuar nën Organizatën e të Drejtës Publike Evropiane (EPLO).
Organizata e
të Drejtës Publike Evropiane (European Public Law Organisation EPLO) është një
organizatë ndërkombëtare, e krijuar në vitin 2007, në Athinë (Greqi) me qëllim
ndërtimin dhe përhapjen e njohurive në fushën e të Drejtës Publike dhe Qeverisjes. Deri më sot, EPLO ka
zhvilluar, organizuar dhe promovuar mbi 200 veprimtari në fushat e edukimit, kërkimit,
ngritjes institucionale dhe aktivitete të tjera dhe ka dhënë ndihmesën e saj
institucioneve demokratike në mbi 70 vende të botës. Organizata
përfshin 20 subjekte – shkolla, akademi dhe institute, qendra kombëtare dhe ndërkombëtare
– si dhe tre misione pranë Kombeve të
Bashkuara në New York, Gjenevë dhe Vienë.
Instituti
Rajonal i Mjedisit (REI) është krijuar në Nëntor 2021, me misionin për të mbështetur
vendet përfituese në adresimin e një game të gjerë çështjesh që lidhen me mjedisin
dhe ndryshimet klimatike, përmes zbatimit të projekteve të kërkimit dhe
zhvillimit, rishikimit të politikave dhe zbatimit, asistencës teknike, ngritjes
e kapaciteteve, dhe edukimit.
REI zhvillon
aktivitetin në rajonin e Evropës JugLindore dhe synon të shtrihet në të ardhmen
në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore dhe në atë të Mesdheut. Përmes
rrjetëzimit me zyrat e reja të REC, ky hapi i parë, ka krijuar rrjetin rajonal,
që mbulon rajonin e Ballkanit Perëndimor, Bullgarinë dhe Turqinë. Rrjeti përbëhet
nga organizata kombëtare të Qendrave Burimore të Mjedisit (REC) që përcojnë dhe
zhvillojnë më tej, trashëgiminë e krijuar nga Qendra Rajonale të Mjedisit për
Evropën Qendrore dhe Lindore (REC CEE). Këto Qendra të REC bashkuan forcat për
të krijuar sinergji dhe për të rritur në tërësi efikasitetin dhe ndikimin gjatë
përcimit në vijimësi, të misionit të REC. Rrjeti
është një organizim i respektuar, jo vetëm në aspektin e shtrirjes gjeografike,
por edhe në aspektin e kapciteteve, ekspertizës dhe përvojës për fushat ku punohet,
përfshi përvojën mjaft të pasur të anëtarëve në punën e përbashkët, në kuadër të
REC.
REC Shqipëri e
ri-strukturuar si Qendra Burimore e Mjedisit në Shqipëri prej vitit 2018, pas
mbylljes se Qendrës Rajonale të Mjedisit vlerëson se krijimi i rrjetit të REI
rivendos dimensionin rajonal të punës së REC në rajon. “Problematikat dhe
zgjidhjet rajonale kërkojnë një bashkëpunim dhe kordinim të vazhdueshëm mes
aktorëve në të gjitha vendet tona. Përmes REI, REC Shqipëri do të vijojë të
sjellë në vendin tonë përvojën dhe eksperizën rajonale në zgjidhjen e
problemeve mjedisorë në kontekstin e integrimit evropian të vendit tonë”, u
shpreh Mihallaq Qirjo Drejtori i REC Shqipëri./REC Albania
