Aktiviteti njerëzor


Mungesa e monitorimit rrit rreziqet nga ndotja e pesticideve në Shqipëri

Genci Yzeiri merret me bujqësi prej 12 vitesh, por këtë sezon, morri i bimëve i shkaktoi kokëçarje dhe pesticidet e përdorura kundër tij nuk i dhanë shumë efekt.  “Jemi të detyruar ta spërkasim më shpesh,” tha fermeri, i cili ka 14 dynymë tokë sera me domate dhe kastravecë në njësinë administrative Kutalli të Beratit.  Rreth 40 për qind e prodhimit bujqësor global humbet çdo vit për shkak të sëmundjeve të bimëve dhe parazitëve. Kjo përqindje pritet të rritet për shkak të ndryshimeve klimatike, duke i nxitur fermerët që të përdorin më shumë helme. Por dëmi nuk ndalet te xhepi i tyre. Përdorimi i pesticideve çon në mënyrë të pashmangshme në formimin e mbetjeve në bimë, ujë dhe tokë, të cilat transferohen në zinxhirin ushqimor dhe kthehen në rrezik për shëndetin e njeriut nëse kalojnë sasinë e lejuar. Për ta shmanguar këtë rrezik ekziston një kuadër ligjor për monitorimin e importit, tregtimin dhe përdorimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve. Megjithatë, të dhënat e mbledhura nga BIRN nëpërmjet ligjit ‘Për të drejtën e informimit’ tregojnë se institucionet shqiptare nuk i kryejnë në mënyrën dhe afatet e duhura kontrollet për ndotjen që pesticidet shkaktojnë në produktet bujqësore dhe në mjedis. Monitorime në ujin e pijshëm kryhen vetëm për mbetjet e pesticideve klororganike – të përdorura në bujqësi gjatë regjimit komunist, të cilat konsiderohen shkaktare për krijimin e tumoreve, shkatërrimin e gjendrave endokrine si dhe problemeve me fertilitetin apo deformimet e fetusit te gratë shtatzëna, sepse për këto pesticide ka laboratorë.

Edhe kontrollet për toksicitetin e produkteve bujqësore nuk janë të përshtatshme, pasi bëhen shumë vonë për të shmangur shitjen dhe konsumin e tyre në tregun vendas – në rastin kur zbulohen mbetje mbi normat e lejuara. Pesticidet e skaduara përbëjnë gjithashtu një ngërç të pazgjidhur prej vitesh në Shqipëri. Ndonëse ligji parashikon që ato duhen larguar nga territori i Shqipërisë ose inceneruar nga kompani të licencuara, asnjëra nga këto nuk ndodh. Këto janë vetëm disa nga problemet që ekzistojnë në tregun bujqësor vendas dhe ekspertët paralajmërojnë se konsumatorët duhet të jenë të kujdesshëm.  “Vetë termi pesticid nënkupton substancë vrasëse për organizmat dëmtues”, shpjegoi Prof.Dr.Ferdi Brahushi, pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe autor i disa studimeve për çështje ku bujqësia lidhet me mjedisin. Por ato nuk vrasin vetëm organizmat për të cilat janë prodhuar, por edhe organizmat e tjerë, përfshirë këtu edhe njeriun”, shtoi ai. 


Rritja e Përdorimit të Pesticideve

Produktet për mbrojtjen e bimëve, PMB, përdoren për të kontrolluar ose dëmtuar parazitët ose dëmtuesit e bimëve. PMB janë forma më e përdorur e pesticideve, ndaj shpesh këta terma shkëmbehen me njëri-tjetrin. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Ushqimit dhe Bujqësisë, FAO, përdorimi i pesticideve në Shqipëri është rritur me 503 për qind nga viti 1990 në vitin 2019 – rritja më e madhe e regjistruar në Evropë pas Malit të Zi. Rritja e përdorimit të pesticideve në Shqipëri ka nisur në një periudhë kaotike gjatë ndërrimit të sistemeve dhe viteve të para të pluralizmit. 

“Për disa vite, gjendja ka qenë goxha jashtë kontrollit; kush me diplomë, kush pa diplomë shiste pesticide”, thotë Ajet Hyka, agronom në pension. Pas rënies së regjimit, magazinat e pesticideve apo fabrikat e prodhimit të kimikateve – siç ishte ajo e Porto Romanos në Durrës ku prodhohej lindan, u lanë pa kontroll. Një pjesë e këtyre kimikateve mbetën në vend, duke u kthyer në vatra toksike që ende përbëjnë pika të nxehta mjedisore në Shqipëri; një pjesë u blenë me çmimet e ulëta të kohës nga specialistët e sektorëve, të cilët nisën t’i tregtonin, për aq sa lejoheshin, me dokumentacion dhe çmime të rifreskuara – ndërsa një pjesë ranë në duart e joprofesionistëve.  PMB-të nisën të regjistrohen për herë të parë në Shqipëri në vitin 1994, kur u regjistruan 12 të tilla. Aktualisht janë të regjistruara 382 PMB.  

Sipas legjislacionit shqiptar, një pesticid mund të regjistrohet në vend nëse është i regjistruar në të paktën një vend të BE-së, por nëse BE e nxjerr nga përdorimi, për shkak të rreziqeve në mjedis dhe shëndetin e njerëzve, Shqipëria ndalon vetëm importin e mëtejshëm të pesticidit, duke e lejuar të vazhdojë të përdoret. Numri i këtyre pesticideve vjen vazhdimisht duke u ulur, por ende, nga përditësimi i fundit në dhjetor të 2022-shit, në listë janë 63 të tilla. Nga viti 2016 deri 2020, përdorimi i PMB-ve u rrit me 173 ton, duke arritur një konsum vjetor prej 757 ton. Sipas Ferdi Brahushit, fermerët janë të detyruar të përdorin gjithmonë e më shumë pesticide për shkak të ndryshimeve klimatike. “Ata sot përballen me patogjenë të rinj dhe një sezon më të gjatë me temperatura të larta, që janë favorizues për sëmundjet dhe dëmtuesit e bimëve,” shpjegoi ai.


Pesticide Kontrabandë

Krahas pesticideve të lejuara, në Shqipëri qarkullojnë edhe pesticide që janë ndaluar, por që fermerët i konsiderojnë më të efektshme. “Në biseda të ndryshme me fermerët, qarkullojnë fjalë se disa produkte që aktualisht janë të ndaluara, kanë rezultuar më të efektshme për të luftuar dëmtuesit sesa ato të lejuarat,” thotë kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj. Bledar Lila, drejtori teknik i një kompanie që importon inpute bujqësore shprehet se kontrabanda është një fakt që po dëmton tregtarët e ndershëm dhe mjedisin në Shqipëri. “Në Shqipëri hyjnë shumë mallra kontrabandë, dorazi. Fermerët tanë gënjehen. Shohin një mall në gjuhë të huaj dhe u duket si më i mirë”, tha Lila. Sipas tij, mes këtyre produkteve, ka edhe nga ato që janë të ndaluara. 

“Deri dje, methomyl-i ka ardhur nga Kosova, pa problem fare”, tha ai. Këtë e konfirmon edhe një tregtar pesticidesh në Berat, që pranon se ka sjellë methomyl nga Kosova përmes tregut të zi, edhe pasi ky produkt ishte ndaluar, por jo për përdorim në bujqësi. 

“Ma kërkonin për qentë ose për dhelprat në Greqi,” tha ai. Pesticidet me lëndë aktive methomyl janë ndaluar për shkak të efekteve të larta toksike te gjitarët, shpendët dhe më gjerë në mjedis. 

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, AKU, i tha BIRN se për periudhën janar 2018 – shtator 2022 janë bllokuar 55.28 kg dhe 14.3 litra PMB të paregjistruara dhe disa subjekte janë gjobitur për tregtimin me etiketë në gjuhë të huaj, apo riambalazhimin e PMB-ve në njësitë e tregtimit me pakicë. Gjithashtu, gjatë këtyre 5 viteve, janë ndaluar në doganë 3 ngarkesa disatonëshe produktesh plehëruese dhe pesticidesh të paregjistruara, të nisura nga Gjermania dhe Greqia. Gjatë viteve 2017-2020, në Shqipëri janë bllokuar 1.3 ton dhe 1271 litra pesticide të skaduara dhe të paregjistruara, por ato ende nuk janë asgjësuar. 


Ministria e Mjedisit dhe ajo e Bujqësisë ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës. Në Planin e Veprimit të Përdorimit të Qëndrueshëm të PMB-ve për Vitet 2022-2032 pranohet se “bllokimi prej vitesh i PMB-ve për mosndjekje të procesit të asgjësimit të tyre, mbetet një shqetësim serioz për shëndetin e njeriut dhe mjedisin”. As ambalazhet e PMB-ve nuk ndjekin rrugën ligjore të incenerimit apo riciklimit, sipas rastit. Mjafton një vizitë në zonat bujqësore, për t’i parë të hedhura gjithandej. 


Mungesë Monitorimi

Bazuar në shkallën e toksicitetit të pesticideve, duke u mbështetur në normativat e përcaktuara nga Bashkimi Evropian, në Shqipëri janë përcaktuar ato nivele të mbetjeve të pesticideve që quhen mbetjet maksimale të lejueshme (MML) në mjedis dhe në produktet me origjinë bimore dhe shtazore që konsumohen nga njerëzit. “Monitorimi i prezencës së pesticideve në mjedis është domosdoshmëri sidomos në zonat ku kemi një përdorim të lartë të pesticideve,” thekson Brahushi. “Për këtë arsye janë vendosur norma të lejuara të mbetjeve të pesticideve në mjedis dhe në produktet ushqimore,” shpjegoi ai. Pavarësisht domosdoshmërisë që paraqesin specialistët, në Shqipëri institucionet nuk kryejnë monitorime për ndotjen e tokës, ujit dhe ajrit nga pesticidet.  

“AKM nuk ka kapacitet teknik për të matur pesticidet në matricat e përmendura,” tha përmes një përgjigjeje zyrtare Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Edhe Shërbimi Gjeologjik Shqiptar njoftoi se në laboratorët e tij nuk mund të kryhen analiza për ndotjen e tokës dhe ujërave nëntokësorë nga pesticidet. Pesticidet nuk maten as në ujin e pijshëm. Instituti i Shëndetit Publik ka informuar BIRN se në laboratorët e tij kombëtarë të referencës maten vetëm pesticidet klororganike, të cilat janë ndaluar të përdoren para 30 vitesh në vendin tonë, por vazhdojnë të monitorohen për qëndrueshmërinë dhe toksicitetin e lartë që kanë. Fakulteti i Shkencave të Natyrës në Tiranë është i pajisur me një laborator që analizon komponimet klororganike dhe falë studimeve të kryera prej tij është krijuar një ide për praninë e tyre në tokë apo ujëra. Megjithatë, nuk ka një studim të plotë në shkallë kombëtare - aq më pak për pesticidet e përdorura gjatë 30 viteve të fundit.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit i tha BIRN, në një përgjigje me shkrim, se të tilla vlerësime kanë kosto shumë të lartë dhe mund të realizohen vetëm me mbështetjen e huaj financiare në kuadër të projekteve ndërkombëtare. Ndërsa Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e pyetur për nivelin e ndotjes së tokave bujqësore nga pesticidet, ka informuar mbi disa studime të Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore Fushë-Krujë, por në asnjë prej tyre nuk ishin matur pesticidet. Të vetmet matje që bëhen për pesticidet në Shqipëri janë ato të realizuara në fruta-perime, të cilat dëshmojnë përdorimin pa kriter të tyre. Nga të dhënat e AKU, mbi 20 për qind e mostrave të fruta-perimeve të marra në periudhën qershor 2021-prill 2022, kanë rezultuar me mbetje pesticidesh mbi normë. Pjesa dërrmuese e tyre kanë qenë produkt vendas. Tregues për mbetjet mbi normë në fruta-perime, veç përdorimit të një sasie më të madhe pesticidesh sesa ajo e rekomanduar, sipas specialistëve, është edhe vjelja e produktit pa plotësuar afatin e duhur nga koha e aplikimit të pesticidit. Të nxitur nga çmimi i lartë me të cilin grumbullohet malli në një ditë të caktuar, fermerët mund ta vjelin produktin ende pa u mbushur koha e asimilimit të pesticideve, që njihet si afati i karencës dhe varion 2-3 ditë, 2-3 javë, apo më gjatë në varësi të PMB-së dhe llojit të bimës.

Sa i takon sigurisë ushqimore, vlera e monitorimeve, në tregun vendas, zerohet duke qenë se ato kryhen pasi produkti ka dalë në treg dhe kur merret rezultati i analizave, produkti është konsumuar. Analizat e mostrave të marra nga AKU kryhen në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, i cili, si informon AKU, megjithëse është i detyruar të kthejë përgjigje brenda 45 ditësh - dhe në rast se rezultati është pozitiv në mënyrë të menjëhershme, ndodh të vonohet me muaj.  

“Vonesa në marrjen e përgjigjes së rezultateve ka sjellë që, në lidhje me jokonformitetet, produkti të mos gjendet më në treg, pra të jetë shitur dhe konsumuar, si dhe për më tepër të vështirësojë ndjekjen e gjurmueshmërisë deri te fermeri përgjegjës”, tha AKU. Ndryshe nga tregu vendas, fermerët që eksportojnë jashtë vendit i përdorin më me kujdes pesticidet pasi produktet e tyre janë më të monitoruara.Teksa po afron koha e vjeljes së kastravecëve të serës që do të nisen për eksport, Genci Yzeri thotë se është i detyruar të mos e aplikojë më insekticidin kundër morrit. I identifikuar me NIPT në Shqipëri dhe me numrin e standardit ndërkombëtar GlobalG.A.P., fermeri nga Kutallia iu druhet kontrolleve në doganë. Në Shqipëri, kontrolli i vetëm që vërteton shkeljet është monitorimi i fruta-perimeve nga AKU pasi këto kanë dalë në treg, monitorime që kryhen sipas një kalendari të caktuar që nuk mund të mbulojë të gjitha produktet që tregtohen, në të gjitha ditët e vitit. Por edhe në rast se nga monitorimi rezulton që një produkt ushqimor ka përmbajtje pesticidesh mbi normë, gjetja fermerit është e vështirë. Sipas të dhënave të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, më pak se 24 për qind e fermerëve janë të identifikuar me numër NIPT-i, ndërsa tregu vendas nuk furnizohet vetëm prej tyre. Madje, ndonjëherë, as eksporti.

Eksportuesja Nedrete Arapi kujton rastin kur iu refuzua në Itali ngarkesa me domate-qershi për shkak të pesticideve. Duke qenë se në kamion kishte mallin e 10 fermerëve, ajo nuk i identifikonte dot. “Është groposur malli, kam paguar 27 mijë euro kokërr më kokërr,” kujtoi Arapi.


Pasiguria Ushqimore

Nga monitorimet e AKU-së, gjatë katër viteve të fundit, vihet re një rritje e produkteve me prani pesticidesh mbi normë, edhe pse nuk përmendet numri përkatës i monitorimeve. Rezultatet e analizave dëshmojnë se rastet me  nivel mbetjesh të pesticideve përtej normave kanë shkuar nga 14 në vitin 2019, në 18 në 2020-ën dhe 68 raste në periudhën qershor 2021 - prill 2022. Nga të gjitha këto, produkte importi kanë qenë vetëm 11, ndërsa të tjerat kanë qenë mostra nga produktet e vendit. Rritjen e rasteve mbi normën e lejuar, në vitin e fundit, e ka ndikuar veçanërisht kultura e ullirit të tavolinës me 8 raste dhe e mollëve dhe pjeshkëve/nektarinave me nga 15 raste mbi normë secila. Në 4 vitet e fundit, sipas të dhënave të AKU-së, produktet më të ndotura nga pesticidet kanë qenë pjeshkët dhe nektarinat, ullinjtë e tavolinës, specat, kastravecët dhe domatet. Për produktet jo fruta-perime, AKU përgjigjet se nuk ka pasur raste mbi normë, por sipas MBZHR-së, ISUV është i akredituar vetëm për analizimin e pesticideve në grupin e fruta-perimeve të freskëta dhe të thata. Megjithatë, disa eksportues hedhin dyshime mbi cilësinë e analizave të ISUV. Myftar Sharka, drejtor i financës së një kompanie bujqësore eksportuese, i tha BIRN se rrjeti i supermarketeve ‘LIDL’ në Gjermani nuk i njeh rezultatet e laboratorëve shqiptarë. Kompania eksportuese e dërgon produktin me postë të shpejtë në një laborator të Selanikut dhe me përgjigjen që vjen pas 2-3 ditësh, nis mallin te klienti i saj më i rëndësishëm në Gjermani. Edhe monitorimi i përdorimit të pesticideve në fermë nuk është ende funksional në Shqipëri.  Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, AKVMB, përgjegjës për monitorimin e fermerëve për përdorim e pesticideve në fermë, ka 4 drejtori rajonale dhe 34 inspektorë në terren. Në Shqipëri, sipas KASH, toka bujqësore është e copëzuar në 1.8 milionë parcela dhe janë gjithsej rreth 354 mijë fermerë.

Deri tani, AKVMB i ka ushtruar kontrollet për përdorimin e PMB-ve “duke këshilluar dhe informuar” fermerët. Edhe pse, sipas AKU, në këto 5 vite janë përcjellë 62 njoftime, drejtoritë rajonale të AKVMB-së, nuk kanë marrë asnjë masë ndaj fermerëve, për shkak të vështirësisë për verifikimin e plotë të përgjegjësisë së tyre. 

Situata sipas AKVMB-së pritet të ndryshojë me futjen në përdorim të Regjistrit të Fermës, i cili ka nisur të shpërndahet më 19 korrik 2022. Ky regjistër ku fermeri do të shënojë gjithçka mbi PMB-të që përdor, do të jetë subjekt i kontrolleve nga ana e agronomëve të DRVMB-ve nga këtej e tutje. Deri në fund të nëntorit, ishin shpërndarë 5739 regjistra te fermerë të pajisur me NIPT që furnizojnë tregun vendas e të huaj, të cilët janë mbi 84 mijë. Përgjegjësia për plotësimin me vërtetësi të regjistrit mbetet e fermerit dhe AKVMB pranon se për të vërtetuar shkeljet, duhen rezultatet e analizave të AKU, i cili, nga ana e tij, i kryhen pasi produkti del në treg, duke nisur një proces gjurmimi që, në shumicën e rasteve, është i pasuksesshëm. 

Nga 26 gjoba që ka vendosur AKU, në 5 vitet e fundit, për rastet e pesticideve mbi normë, 21 kanë qenë për mungesë gjurmueshmërie. Sipas profesor Ferdi Brahushit, që të ketë siguri ushqimore, duhet që produktet të monitorohen para se të dalin në treg. Sipas tregtarëve të fruta-perimeve në tregjet vendase, një kontroll i tillë nuk ndodh. Klodian Bodlli, tregtar në Tregun Agroushqimor të Tiranës, shkon vetë në fshatrat e Korçës, ku ka bërë kontratë me fermerët dhe e mbush kamionin me 7-10 ton mollë, pa ndonjë fletë analize. Siç i blen mollët, ashtu edhe i shet. Kështu ka qenë për 31 vitet që ai merret me tregti. Njësoj, i blen dhe i shet domatet dhe kastravecët që merr në Lushnjë, edhe Marsel Gjylmezi, tregtar më i ri. Në të gjithë vendin tregtohen fruta-perime, të cilat nuk janë analizuar më parë. 

Edhe konsumatorët duket se janë të vetëdijshëm që garanci për nivelin e pesticideve në produktet e tregut nuk ka.

“Në treg, nuk ka asnjë siguri,” thotë Nikolla, pensionist, pasi ka bërë pazarin e ditës në tregun pranë “Vasil Shantos”. Fermerët e intervistuar nga BIRN në rrethet e Lushnjës dhe Beratit – pjesë e qarqeve me sipërfaqen më të madhe të serave me perime në vend, ankohen se pesticidet që tregtohen nuk kanë përqindjen e deklaruar të përbërësve aktivë. 

“Bëni analizat. Shikoni, etiketa i përshtatet asaj që ka brenda? Asnjëherë!” shprehet Vasil Dhano, fermer në Goriçaj të Lushnjës. Nga rezultatet e monitorimeve të AKU-së, publikuar në  Planin e Veprimit të MBZHR-së, shihet se 1 në 6 apo 1 në 7 mostrat e analizuara të PMB-ve në periudhën 2018-2020, kanë rezultuar me përmbajtje jokonform etiketës. Vonesat e përgjigjeve me 6-7 muaj deri në 1 vit nga ISUV, kanë sjellë që PMB-të jokonforme të ishin shitur. Fermeri Mamo Çela nga Berati thotë se nga përdorimi i pesticideve me më pak lëndë aktive nga sa tregohet në etiketën e formulimit tregtar, insektet nuk ngordhin dhe fermerët detyrohen të rispërkasin. Sipas tij, përgjegjësit duhen kërkuar te ata që i sjellin këto produkte.

Bledar Lila nuk e pranon përgjegjësinë e importuesve: “Fermeri ynë është mësuar që ta spërkasë sot, nesër t’i shikojë të ngordhura të gjitha,” vërejti ai.

Sipas Lilës, përgjegjës në këtë situatë janë edhe farmacitë e vogla bujqësore që marrin mallra të pakontrolluar dhe i shesin me pako të vogla, të cilat nuk kanë si të japin rezultat.  

Agim Gorezi, pronari i një farmacie bujqësore në Uznovë të Beratit, e pason sërish përgjegjësinë te importuesit dhe fermerët, duke e larguar atë nga farmacistët bujqësorë. Në Shqipëri, sipas tij, sjellin mallra të dobët sepse janë më të lirë. Ka edhe me cilësi të mirë, por ata janë të shtrenjtë dhe fermerët nuk i përballojnë dot. “Ata na akuzojnë ne, por janë vetë fajtorë. Ata do marrin atë që paguajnë,” tha Gorezi. T’u thuash fermerëve se po paguajnë pak për inputet bujqësore, aq më tepër sot, është si të bësh një shaka pa kripë. 

Xhelal Vrapi llogarit se për një sezon, për sipërfaqen e tij prej 4 dynymësh tokë duhen jo më pak se 1 milion lekë për spërkatjet me pesticide dhe plehërimet. Shtoju këtyre shpenzimet e tjera, ai thotë se nuk po nxjerr dot djersën e tij. Pak se është e shtrenjtë dhe pak se është e parehatshme, Vrapi nuk përdor as veshje mbrojtëse gjatë aplikimit të pesticideve. Nuk ka pasur ndonjë shqetësim deri tani, por frikën e ka. “Kur të plakem, do e japin efektin,” shtoi ai.  

Shefi i Shërbimit të Toksikologjisë Klinike në Q.S.U.N.T, Dr.Andrin Tahiri, thotë për BIRN se gjatë vitit 2021, u paraqitën në spital rreth 8-9 raste me shenja helmimi nga ekspozimi aksidental për shkak të mospërdorimit të maskave dhe veshjeve mbrojtëse. Rastet e ekspozimit aksidental, të shprehura me shqetësime gastro-intenstinale, të vjella, krampe muskulare, sipas Tahirit, rrallëherë janë jetëkërcënuese, por ekspozimi afatgjatë mund të sjellë probleme. 

“Te rastet që kanë kërkuar asistencë mjekësore pranë shërbimit të toksikologjisë kemi vënë re neuropatinë e vonuar, kjo më shumë nga disa komponente organofosforike të grupit të pesticideve,” shpjegoi Tahiri. 

“Simptoma të tjera kanë qenë simptoma sjellore, ku përfshihen konfuzioni, ankthi, përgjumja, lodhja dhe me raste, edhe depresioni,” shtoi ai. Tahiri parashikon se këto raste mund të shihen më shumë në të ardhmen, për shkak të  eliminimit, jo sipas protokolleve, të pesticideve të skaduara që shkaktojnë ndotje të tokës, ujërave dhe mbërrijnë te njerëzit përmes peshqve.


Bllokimi i Midhjes

Në Shqipëri, përdorimi i pesticideve klororganike zgjati bashkë me diktaturën për t’u ndaluar në fillim të viteve 1990 – njëzet vjet më vonë sesa në SHBA dhe dhjetë vjet më vonë se në Evropë. Ndryshe nga substanca të tjera që duke u shkatërruar e humbasin rrezikshmërinë, izomeret e përftuara nga shkatërrimi i këtyre pesticideve, janë disa herë më toksike. ISHP i tha BIRN se në 51 mostrat e ujit të pijshëm dhe ujërave sipërfaqësorë të analizuar gjatë viteve 2017-2022, nuk janë gjetur prani të pesticideve klororganike. 

Për Prof.Dr.Aurel Nuron, pedagog në Departamentin e Kimisë në FSHN, i cili prej 20 vitesh studion komponimet klororganike, është e rëndësishme që  monitorimi i këtyre pesticideve të vazhdojë si në ushqime, edhe në mjedis, sepse ekzistojnë edhe burime pikësore, në tokë, apo sedimente që në një çast të caktuar mund të emetojnë papritur. Studimet e FSHN-së kanë zbuluar edhe raste mbi normë siç kanë qenë tokat bujqësore pranë ish-magazinave të pesticideve.

Vetë Nuro mban mend magazinën bujqësore në fshatin e tij Mollas të Ersekës ku monitorimet e kryera treguan nivele shumë të larta ndotjeje. Nuro thotë se përgjithësisht lumenjtë janë të pastër nga komponimet klororganike, me ndonjë përjashtim në zonat e tyre fushore. Ka pasur raste, megjithatë, kur gjallesat e ujërave kanë rezultuar me pesticide klororganike mbi normë, siç ka qenë ndonjë peshk në liqenin e Shkodrës sepse këto pesticide bioakumulohen në organizëm. Në kuadër të një projekti mes vendeve të Mesdheut, FSHN monitoroi për disa vite, deri në 2010-ën, detin Adriatik në dy stacionet e Porto Romanos dhe gjirit të Vlorës. 

“Ne kemi monitoruar ndotësit klororganikë dhe poliklorbifenilet në midhje, dy herë në vit dhe kemi parë që nivelet tona në përgjithësi janë më të larta sesa nivelet që raportojnë vende si Italia, Franca, apo Kroacia, por ka ndodhur dhe e kundërta,” thotë Nuro.

“Produktet e detit Mesdhe nuk duhen konsumuar më shumë sesa 1-2 herë në javë, sepse kanë përqendrime të larta të pesticideve, të poliklorbifenileve, por dhe zhivë dhe metale të tjera të rënda,” tha Nuro. Rezultatet e ndotjes i kanë sjellë Shqipërisë pasoja financiare, sidomos për komunitetin e peshkatarëve.  “Prania e pesticideve, për fat të keq, ka qenë shkaku kryesor që edhe pse midhjet tona kanë qenë shumë cilësore, ato nuk mund të eksportoheshin,” shtoi ai.

Sipas Administratës Doganore Shqiptare, Shqipëria vazhdon edhe sot që të mos eksportojë midhje./Reporter.al


Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.