Natyra


E Drejta Mjedisore: Zhvillime Pozitive për Mbrojtjen e Mjedisit

Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, nëpërmjet vendimit të shpallur në muajin Korrik 2023, por të njohur nga ana e stafit ligjor të Komitetit Shqiptar të Helsinkit në muajin Shtator 2023, ka vendosur prishjen e vendimmarrjes së dhënë më herët nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë dhe kthimin e çështjes për rigjykim me një tjetër trup gjykues. Komiteti Shqiptar i Helsinkit u angazhua si paditës në procesin gjyqësor të realizuar, si dhe njëkohësisht stafi ligjor i saj përfaqësoi interesat e ligjshme të 4 qytetarëve, banues në fshatrat Burizanë dhe Kadias të Bashkisë Krujë, ndaj institucioneve si Bashkia Krujë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, dhe Inspektoriati Qendror pranë Kryeministrisë. 

Shqetësimi i ngritur nga ana e banorëve të zonës i bërë publik nëpërmjet një mediaje investigative, u verifikua nga ana e KShH-së. Një reagim për shtyp u publikua nga KShH në Shkurt të vitit 2017, nëpërmjet të cilit u tërhoq vëmendja për gjendjen e konstatuar, aq më tepër për faktin se autoritetet shtetërore të ngarkuara për inspektime dhe kontrolle të veprimtarive të tilla, si dhe përfaqësuesit e organeve të qeverisjes vendore heshtnin edhe pse ishin në dijeni të kësaj gjendje. Gjetjet e rekomandimet e rezultuara nga proçeset monitoruese në terren i janë bërë me dije edhe institucioneve në nivel qëndror dhe strukturave përgjegjëse.

Situata rezultonte alarmante, pasi në të dy krahët e rrugës ndër-urbane ushtrojnë aktivitet dy furra djegieje, ku konstatoheshin lehtësisht grumbuj mbeturinash, gomash, plastikash dhe çfarëdolloj tjetër mbetjesh industriale që përdoret për djegie, të cilat lëshojnë në ajër tym të zi dhe me erë të keqe shkaktuar nga emetimi i lëndëve kimike mjaft të dëmshme për shëndetin e banorëve, njëkohësisht duke ndotur ajrin, tokën dhe ujërat e kësaj zone. Në përfundim të proesit gjyqësor të realizuar në vitin 2018, pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë u vendos rrëzimi i padisë së ngritur. Ndër të tjera argumentohej nga Gjykata se paditësit nuk kishin interes legjitim dhe të vërtetë mbi çështjen në shqyrtim (legjitimim aktiv). Kjo vendimmarrje u ankimua nga ana e avokatëve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit. 

Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, nëpërmjet vendimmarrjes së saj bëri një hap progresiv në betejën ligjore të nisur kundër ndotjes mjedisore, të shkaktuar nga aktiviteti i furrave gëlqerore. Prishja e vendimit të dhënë nga instanca e parë gjykuese, dhe kthimi për rishqyrtim nga tjetër trupë gjykuese, i krijoi mundësinë KShH-së për të adresuar përpara Gjykatës pretendimet e tyre, të mbështetura në prova konkrete. Por kjo nuk është e gjitha!! Në një argumentim logjik, të vlerësuar të drejtë, e duke synuar krijimin e një standardi pozitiv, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë ka argumentuar se “për çështjet që lidhen me mjedisin kanë interes për të ngritur padi në gjykatë çdo person i interesuar dhe jo vetëm paditësit që kanë interes të drejtpërdrejtë”. Pra çdokush, qoftë person fizik apo juridik, që kujdeset për mjedisin dhe mbrojtjen e tij, e gëzon këtë legjitimitet. Ky vendim është një dëshmi e fuqisë së veprimit kolektiv dhe tregon se zërat tanë, të bashkuar në emër të një të ardhmeje më të gjelbër, po dëgjohen. Është një fitore jo vetëm për ne, por për vetë mjedisin! 

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.