Lajme nga bota


Më shumë se 50 shtete angazhohen për mbrojtjen e 30% të tokës dhe oqeaneve të planetit tonë

Një koalicion prej më shumë se 50 vendesh është zotuar të mbrojë gati 1/3 e planetit deri në vitin 2030 për të ndaluar shkatërrimin e botës natyrore dhe zhdukjen e ngadaltë të jetës së egër.

Koalicioni i Ambicies së Lartë (HAC) për Natyrën dhe Njerëzit, i cili përfshin Mbretërinë e Bashkuar dhe vende nga gjashtë kontinente, bëri premtimin për të mbrojtur të paktën 30% të tokës dhe oqeaneve të planetit, në samitin “One Planet” në Paris të hënën, organizuar nga Presidenti francez, Emmanuel Macron.

Shkencëtarët kanë deklaruar se aktivitetet njerëzore po çojnë në zhdukjen e 6-të masive të jetës në Tokë. Prodhimi bujqësor, minierat dhe ndotja po kërcënojnë funksionimin e shëndetshëm të ekosistemeve thelbësore për jetën njerëzore.

Ky angazhim ka të ngjarë të jetë qëllimi kryesor i "marrëveshjes së Parisit për natyrën" që do të negociohet në Cop15 në Kunming, Kinë këtë vit. 

Elizabeth Maruma Mrema, sekretarja ekzekutive e Konventës së KB mbi Diversitetin Biologjik, e mirëpriti premtimin por paralajmëroi: “është një gjë të japësh mbështetjen, por krejt e ndryshme të angazhohesh realisht. Por kur të jemi zotuar, duhet të japim rezultate. Dhe me përpjekje të përbashkëta, ne mund ta bëjmë këtë së bashku. "

Gjatë dekadës së fundit, bota nuk ka arritur të përmbushë një objektiv të vetëm për të ndaluar shkatërrimin e botës së egër dhe ekosistemeve që mbështesin jetën tonë.

Të hënën, udhëheqësit nga e gjithë bota u takuan nga afër dhe virtualisht në samitin “One Planet” në Paris për të diskutuar krizën e biodiversitetit, duke promovuar bujqësinë organike dhe marrëdhëniet midis shëndetit të njeriut dhe natyrës. Boris Johnson, Angela Merkel dhe Justin Trudeau adresuan çështjen në takim, i cili përfshiu gjithashtu deklarata nga sekretari i përgjithshëm i KB, António Guterres dhe zv/kryeministri kinez Han Zheng.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.