Lajme nga bota


Orkideja që mendohej e zhdukur në Mbretërinë e Bashkuar, gjendet në çatinë e bankës së Londrës

Serapias parviflora, e njohur edhe si orkide me lule të vogla në formë gjuhëze, u gjet në një kopsht, i cili ndodhet në çatinë e katit të 11-të bankës japoneze Nomura. Zakonisht kjo specie, gjendet në pellgun e Mesdheut dhe në bregdetin atlantik të Francës, Spanjës dhe Portugalisë dhe kjo është e dyta herë që kjo orkide gjendet në Mbretërinë e Bashkuar.

Kolonia e mëparshme u gjet në Cornwall, në vitin 1989, por në vitin 2009, kjo koloni u shkatërrua si rezultat i keq menaxhimit/përdorimit të tokës. Kështu që, kolonia prej 15 bimësh që ndodhet aktualisht në Londër besohet të jetë e vetmja në Mbretërinë e Bashkuar.

Këto bimë rriten rreth 30 cm dhe zakonisht kanë nga 3 deri në 12 lule të vogla dhe në ngjyrë portokalli.

Mark Paterson, i cili menaxhon kopshtin, ishte personi që zbuloi këtë specie, gjatë një kontrolli rutinë mujor. “Nuk dihet se si mbërritën këto orkide, shprehet Paterson, por një mundësi mund të jetë transporti i farave nëpërmjet erës, kjo për arsye se farat e tyre janë jashtëzakonisht të vogla dhe mund të udhëtojnë përmes erës në distanca të mëdha. Është e mundur që bimë të tilla të ekzistojnë në një rajon tjetër të kontinentit dhe erërat jugore mund ti kenë sjellë farat e tyre këtu në kryeqytet.” Ai vijon më tej të shpjegojë se: “farat mund të kenë qenë në tokën që u përdor për krijimin e kopshtit më shumë se një dekadë më parë dhe bimët që rriten në mjedise apo toka të thata, duan vite që të mbijnë dhe të zhvillohen.”

Majk Woller, një ekolog dhe bashkë-autor i “Orkideve të Britanisë” tha: “Të gjesh koloninë e dytë të kësaj lloj orkideje në Britani është emocionuese në vetvete, por t'i gjesh ato në një çati të gjelbër në qytetin e Londrës është e jashtëzakonshme. Kjo është një dëshmi e qartë se me durim dhe me dedikim, edhe vendet më të pamundura mund të bëhen strehë për shumë specie të egra apo të rralla të botës.”

The Guardian raporton se pavarësisht nga ngazëllimi për këtë zbulim, disa botanistë janë të shqetësuar për këto specie që vijnë nga vende me klimë më të ngrohtë, teksa temperaturat vazhdojnë të rriten. Ata shpjegojnë se edhe pse kjo është një ngjarje shumë interesante, kjo dukuri ka një lidhje të thellë me ndryshimet klimatike dhe veçanërisht me përshtatshmërinë ndaj tyre.

Serapias parviflora është një nga shumë bimët mesdhetare, që po kolonizojnë Mbretërinë e Bashkuar dhe po zgjerojnë popullatën e tyre.

Klima News raporton se për sa kohë bota natyrore është duke iu përgjigjur me shpejtësi presionit të ndryshimeve klimatike, ne njerëzit, mbetemi kryesisht të pavetëdijshëm.

Artikullin e plotë, e gjeni duke klikuar The Guardian.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.