Lajme nga bota


Ndotja e rrezikshme në Indi, qarkullimi i makinave sipas targave tek a çift

Cilësia e ajrit në kryeqytetin Nju-Delhi të Indisë është përkeqësuar së tepërmi në javët e fundit. Autoritetet mendojnë se mund të përmirësojnë disi situatën duke alternatuar qarkullimin ditor të makinave private sipas targave.

Në kryeqytetin indian do të kufizohet qarkullimi i automjeteve në përpjekjen për të ulur nivelet e rrezikshme të ndotjes.

Makinat me targat tek dhe çift do të mund të lëvizin në Nju-Delhi me alternime deri në datën 15 nëntor.

Matjet në kryeqytet tregojnë se niveli i grimcave të rrezikshme e kalon normën standarde, duke u bërë kërcënim për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës dhe mushkërive por edhe për vdekjen e parakohshme të të moshuarve.

Retë e smogut janë përkeqësuar nga zonat rurale që lirojnë fushat duke djegur barërat e këqija.

Rol luajnë edhe industritë e rënda dhe ndërtimet.

"Nuk mund ta ulim që sot smogun e shkaktuar nga djegiet sepse është shpërndarë tashmë, por të paktën mund të reduktojmë burimet e ndotjes brenda qytetit, për veten dhe fëmijët tanë," deklaroi të hënën zëvendësministri i Delhit.

Masa është mirëpritur nga banorët, ndërsa të painformuarit janë përballur me gjoba mbi 50 dollarë.

"Nuk e dija që rregulli tek-çift zbatohej sot. Mbërrita mbrëmë për ca punë dhe po kthehesha në shtëpi. Kur pashë posterin u mundova të shmangesha me shpejtësi por më kapën," shprehet një qytetar.

Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve në kryeqytet të qëndrojnë brenda banesave dhe të mos kryejnë ushtrime fizike, ndërsa shkollat do të qëndrojnë mbyllur edhe të martën.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.