Lajme nga bota


Rreth 900 të helmuar, shpallet gjendje emergjente në Deçan

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka bërë të ditur se në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjit për Parandalimin dhe Sëmundjeve Ngjitëse të Statutit të komunës së Deçanit ka marrë vendim që të shpallet gjendje emergjente në tërë territorin e kësaj komune, shkruan Gazeta Express Kjo pas paraqitjes së rasteve të fundit në këtë komunë, të helmimit të qytetarëve. Dyshohet se shkaktar i helmimit është uji. Deri më tani në QKMF-në e kësaj komune ndihmë kanë kërkuar rreth 900 persona.

Në ndërkohë dy vdekje të dyshimta kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit në Deçan, shkaku i situatës së krijuar atje, ku po dyshohet se ka ndodhur një helmim masiv shkaku i ujit, raporton Express.

Këto dy raste të vdekjes i ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, i cili ka deklaruar se prokurori ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obdukim në IML për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre.

Ndryshe, të paktën 900 pacientë kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan me simptoma të helmimit.

Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), ka bërë të ditur të hënën se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre kanë gjetur koloni të dyshimta të baktereve. Megjithatë, sipas drejtorit të IKSHPK-së, Naser Ramadani, testimet duhet të vazhdohen të bëhen në laborator dhe shkaku i saktë i këtij helmimi nuk është përcaktuar ende.

Qendra e Mjekësisë Familjare në Deçan që nga dita e shtunë, ngrehu alarmin për numër të pazakontë të pacientëve, me simptoma të ngjashme.

Drejtori i kësaj qendre, Selmon Berisha tha për Radion Evropa e Lirë se pasi e kishin lajmëruar Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ata erdhën dhe morën mostrat e ujit për të bërë analizën kimike dhe biologjike.

Derisa rezultatet e analizave të fundit të këtij uji nuk kanë dalë ende, që nga e diela në mbrëmje, ujësjellësi rajonal “Hidrodrini” ka bërë ndërprerjen e furnizimit me ujë në zonat e dyshuara për helmim masiv. Ujësjellësi “Hidrodrini” ka bërë apel për kujdes, por duke thënë se “deri në arritjen e rezultateve, nuk mund të konstatohet asgjë në zbardhjen e dyshimeve për ujë të helmuar ose jo”.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj në një konferencë për media tha se janë duke bërë përpjekje maksimale për gjetjen e shkaqeve të këtij helmimi dhe deri më tani të gjitha dyshimet janë vetëm hipoteza.

Për t’u njohur më tepër mbi artikullin, klikoni Gazeta Ekspress.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.