Lajme nga bota


Katastrofat klimatike, paralajmëron OKB: Ky është vetëm fillimi i së keqes që pritet të vijë

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bëri thirrje vendeve që të bëjnë shkurtime "të menjëhershme, të shpejta dhe në shkallë të gjerë" të emetimeve të gazrave serë.

Sipas Guterres këto veprime duhet të bëhen për të shmangur katastrofat klimatike.

Thirrja e Guterres bëhet përpara një samiti klimatik që fillon muajin e ardhshëm në Glasgou të Skocisë. Në një raport të një sërë agjencive të OKB-së për çështjen e klimës thuhet se ndryshimet klimatike dhe ndikimet e saj po përshpejtohen.

"Këto ndryshime janë vetëm fillimi i së keqes që pritet të vijë", tha Guterres, duke u bërë thirrje qeverive të përmbushin objektivat që dalin nga marrëveshja e klimës e arritur në Paris më 2015.

Kjo marrëveshje bën thirrje për të kufizuar ngrohjen globale nën 2 gradë Celsius mbi nivelin paraindustrial, dhe aq më mirë nëse kjo mund të ulet afër 1.5 gradë Celsius.

"Nëse nuk ka reduktime të menjëhershme të gazrave serë, pasojat do të jenë katastrofike për njerëzit dhe planetin", tha Guterres.

Shefi i OKB-së tha se asnjë vend nuk është i sigurt nga fatkeqësitë natyrore dhe për këtë mori shembull motin ekstrem dhe uraganët vdekjeprurës në Shtetet e Bashkuara, përmbytjet në Evropën Perëndimore dhe valët e nxehtësisë në rajonin e Paqësorit.

Sipas raportit të agjencive të OKB-së për shkak të emetimeve të gazrave në atmosferë ndikimet dhe efektet afatgjata janë të pashmangshme. Ekspertët që morën pjesë në hulumtim thonë se nivelet e detit do të vazhdojnë të rriten duke kërcënuar nga përmbytja ishujt dhe popullatën që jeton në bregdete.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.