Lajme nga bota


Rumania vendos kufij për mbetjet e importuara

Qeveria miraton ligjin e ri që kufizon importet e mbetjeve në 15 pika kalimi kufitar të përcaktuara dhe i bën importet e mbetjeve të gjurmueshme pasi, siç thotë ministri rumun i mjedisit, Rumania nuk do të jetë “landfill i Evropës”.

Dëngje mbetjesh të importuara ilegalisht nga Portugalia u kapën në Rumani në vitin 2019. Foto: Garda Kombëtare e Mjedisit e Rumanisë.

Rumania e ka kufizuar në 15 numrin e pikave të kalimit kufitar përmes të cilave mbetjet e riciklueshme mund të futen në vend dhe ka miratuar një vendim për të luftuar importin e paligjshëm të mbetjeve. “Rumania nuk mund të jetë landfilli i Evropës”, tha ministri i mjedisit Tanczos Barna.

Barna shtoi se meqenëse legjislacioni evropian aktualisht nuk i lejon vendet anëtare të refuzojnë mbetjet e importuara, Rumania duhej të miratonte aktin e vet normativ për të rregulluar aktivitete të tilla.

“Gjurmimi i këtyre transporteve nga kufiri deri në vendin e riciklimit do të jetë i detyrueshëm. Sasitë e mbetjeve që hyjnë në vend do të lidhen edhe me kapacitetin riciklim të kompanive”, shtoi ai.

Një aktivist mjedisor, Octavian Berceanu, tha për BIRN se masat e reja ishin të mira, por ende të pamjaftueshme, pasi 15 pikat e përcaktuara janë të njëjtat pika ku zakonisht futen mbetje të tilla, kështu që nuk do të ndryshonte shumë.

“Këto pika kontrolli duhet të pajisen me aparate skanimi dhe të trefishohet numri i komisionerëve mjedisorë. Përndryshe, Rumania mund të paditet nga këto kompani”, tha Berceanu për BIRN.

Barna tha se transporti – shpesh i paligjshëm – i mbetjeve në Rumani dhe menaxhimi i mbetjeve ishin disa nga problemet urgjente “që ne do të zgjidhim përmes këtij akti normativ”.

Sipas aktit, 15 pikat e autorizuara të kalimit të mbetjeve do të përcaktohen me urdhër të përbashkët të ministrit të mjedisit dhe atij të brendshëm.

Një Fond Mjedisor do të administrohet nga një institucion që do të monitorojë sasitë e mbetjeve që vijnë dhe do të garantojë që këto sasi të përputhen me kapacitetin riciklimi të kompanive, duke vënë gjithashtu në dispozicion të përdoruesve një sistem kompjuterik pa pagesë për të siguruar gjurmueshmërinë.

Kjo do të ndihmojë për të monitoruar dhe verifikuar korrektësinë e transaksioneve të mbetjeve.

“Ne vumë re një tendencë në rritje të dërgesave të paligjshme të mbetjeve të identifikuara në pikat e kalimit kufitar në Rumani dhe një presion të shtuar mbi kufijtë”, tha agjencia për mbrojtjen e mjedisit, ANPM.

Vitet e fundit, Rumania dhe Bullgaria janë bërë destinacione kryesore për mbetjet nga Evropa Perëndimore pasi Kina mbylli dyert e saj në vitin 2018 për importe të tilla.

Pjesa më e madhe e mbetjeve sillen në fshatrat përreth Bukureshtit dhe digjen ilegalisht, duke shkaktuar ndotje të ajrit, pasi autoritetet qendrore dhe lokale shpesh bëjnë një sy qorr.

Metali i nxjerrë nga djegia e plastikës, gomës dhe materialeve të tjera u shitet bizneseve të skrapit./ Reporter.al

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.