Lajme nga bota


Dita e Tokës/ Shkencëtarët: Planeti ynë po jep shpirt, duhen masa të menjëhershme globale

Në Ditën e Tokës shkencëtarët anekënd botës kanë bërë thirrje për masa të menjëhershme kundër ndotjes së atmosferës, pasi Planeti ynë po jep shpirt sipas tyre. Janë me miliona ton dioksid karboni në atmosferë që ndikojnë në ngrohjen globale, teksa duhen masa të menjëhershme për të shpëtuar jetën që gjallon në Tokë.

22 prilli shënon datën kur njerëzit anekënd botës kanë caktuar që të ndërgjegjësojnë më shumë shtetet dhe institucionet për një planet më të mirë për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.

Ndërsa shkenca ka nisur satelitë për të kërkuar jetë në hapësirë, vlen të themi se nga dita në ditë, jemi duke vrarë planetin në të cilin po jetojmë me ndotjen që shkaktojmë.

Me miliona ton dioksid karboni që çlirohet në atmosferë nga industritë dhe makinat dhe miliona ton plastikë në dete e oqeane kanë sjellë që biodiveristeti i gjallesave në Tokë të preket për t’u kthyer në një bombë me sahat për vitet në vijim.

Shkencëtarët e klimës dhe dijetarë të tjerë të fushave të ndryshme nga e gjithë bota kanë nisur fushata ndërgjegjësuese për qytetarët dhe qeveritë përkatëse për të marrë masa kundër ndotjes së atmosferës.

Janë me miliona ton akull që shkrihen çdo vit duke sjellë një rritje të nivelit të oqeaneve, e nëse vijohet me këtë ritëm, jo vetëm që shumë shtete që janë nën nivelin e detit do të përmbyten, por edhe shtimi i ujit të ëmbël në dete dhe zbutja e kripës, sjell që mijëra gjallesa të zhduken.

Studime të njëpasnjëshme të instituteve anekënd botës flasin për rrezikun që na pret në dekadat në vijim me cuname, tajfune e tërmete për shkak të ndotjes të stërmadhe që i kemi bërë planetit ndërsa ai po jep shpirt pa një ndërmarrje masive./OraNews Tv


Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.