Lajme nga bota


UNICEF paralajmëron: Një në katër fëmijë është i prekur nga thatësira

Pas publikimit, nga Komiteti për të Drejtat e Fëmijëve, të një udhëzuesi për krizën klimatike, vjen paralajmërimi nga UNICEF se një në katër fëmijë në Portugali është prekur nga thatësira ekstreme. Paralajmërimi u bë nga drejtoresha ekzekutive e UNICEF në Portugali, Beatriz Imperatori, ku sipas saj shteti duhet të garantojë të drejtën për një mjedis jetese njerëzor, të shëndetshëm dhe ekologjikisht të ekuilibruar për të gjithë fëmijët, në përputhje me nenin 66 të Kushtetutës së Republikës Portugeze.

Për shkak të përkeqësimit të krizës klimatike, Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve ka publikuar më 28 gusht 2023 udhëzimet zyrtare në bazë të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, të ratifikuar nga 196 shtete, përfshirë Portugalinë, lidhur me masat që duhet të ndërmerren për të garantuar respektimin e të drejtës për një mjedis të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.

Në përputhje me fjalën e Beatriz Imperatori mbi vendosjen e fëmijëve në qendër të politikave dhe strategjive mjedisore - me qëllim fuqizimin dhe mbrojtjen e tyre - vendet të cilat kanë ratifikuar Konventën për të Drejtat e Fëmijëve inkurajohen të ndërmarrin veprime të menjëhershme. Ato duhet të heqin në mënyrë graduale përdorimin e qymyrit, naftës dhe gazit natyror duke bërë një tranzicion të natyrshëm drejt burimeve të rinovueshme të energjisë. Një element tjetër tepër i rëndësishëm mbetet raportimi periodik mbi progresin e bërë në sferën e mbrojtjes së të drejtave mjedisore të fëmijëve.

“Komiteti për të Drejtat e Fëmijëve mundëson që zëri dhe kërkesat e fëmijëve të dëgjohen duke përcaktuar qartë të drejtat e tyre në lidhje me mjedisin të cilat shtetet anëtare duhet ti respektojnë, mbrojnë dhe përmbushin kolektivisht dhe urgjentisht”, shprehet Philip Jaffé, anëtar i Komitetit.

Aktualisht, UNICEF thotë se rreth 1 miliard fëmijë jetojnë në vende me rrezik jashtëzakonisht të lartë nga ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe mbi 99% janë të ekspozuar ndaj presioneve klimatike dhe mjedisore. Sipas UNICEF e ardhmja nuk duket fort optimiste nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme.  

“Deri në vitin 2040, gati 600 milionë fëmijë pritet të jetojnë pa akses në ujë të pijshëm, nga ku një në katër fëmijë nën moshën 18 vjeç”, paralajmëron UNICEF.


Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.