Lajme nga bota


OBSH lëshon alarmin: Ethet Tropikale do ‘pushtojnë’ Evropën Jugore brenda kësaj dekade

"Ethet tropikale do të kthehen në një kërcënim serioz, gjatë kësaj dekade, në jug të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Evropën Jugore dhe në pjesë të Afrikës, në një kohë kur temperaturat e ngrohta krijojnë kushte që mushkonjat të cilat mbartin infeksionin, ta përhapin lehtësisht atë", është shprehur shefi i shkencëtarëve të OBSH-së (Organizatës Botërore të Shëndetësisë). 

Sëmundja ka qenë prej kohësh një problem i madh në një pjesë të madhe të Azisë dhe Amerikës Latine, duke shkaktuar rreth 20 mijë vdekje çdo vit. Shkalla e infektimeve në nivel global që nga viti 2000 është rritur tetëfish, nxitur së pari nga ndryshimet e klimës por edhe nga lëvizja e shtuar e njerëzve dhe urbanizimi. Shumë raste kalojnë pa u regjistruar megjithatë në vitin 2022, 4.2 milionë raste u raportuan në të gjithë botën. Kjo i ka bërë zyrtarët e shëndetit publik të ngrejnë alarmin dhe paralajmërojnë se sëmundja përhapet shumë shpejt dhe se këtë vit (2023) pritet të ketë nivele rekord transmetimi.

Shembulli  i Bangladeshit, i cili aktualisht po përjeton shpërthimin më të rëndë në histori, me më shumë se 1 mijë vdekje tregon realisht sesa serioze është situata. 

“Duhet të flasim në mënyrë më aktive dhe të shpeshtë për ethet tropikale”, tha Xheremi Farrar, specialist i sëmundjeve infektive që iu bashkua OBSH-së në maj të këtij viti. 

“Duhet që të përgatisim vendet për mënyrën se si do të përballen me presionin shtesë që do të vijë në të ardhmen, në shumë qytete të mëdha”, shton ai.

Shumë nga njerëzit që preken nga ethet tropikale nuk kanë simptoma, çka do të thotë që shkalla e infektimit mund të jetë shumë më e lartë nga ajo që raportohet. Simptomat e dallueshme mund të jenë ethet, spazma muskulare dhe dhimbje kyçesh shumë të forta (të njohura edhe si "ethet e thyerjes së kockave"). Më pak se 1% e rasteve mund të jenë fatale për jetën.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.