Lajme nga bota


Raporti i OKB për ndihmat – Mbi 168 milionë njerëz do të kenë nevojë në vitin 2020

Organizata e Kombeve të Bashkuara bëri të ditur se një numër rekord prej 168 milionë njerëz, apo 1 në 45 në të gjithë botën, do të kenë nevojë për asistencë në vitin 2020, çka do të kërkojë një vlerë prej 29 miliardë dollarë.  Në 2018, parashikohej që 146 milionë njerëz do të kishin nevojë për ushqim, strehim dhe kujdes shëndetësor këtë vit,  apo 1 në 50 persona në të gjithë botën.

Por sipas nën-sekretarit të përgjithshëm për çështjet njerëzore të organizatës, Mark Lowcock,  shifra është më e madhe. “Më shumë njerëz janë ndikuar nga konfliktet, ndodhitë e lidhura me ndryshimin klimatik apo ngadalësim ekonomik se sa priste Organizata e Kombeve të Bashkuara”, tha ai, duke shtuar se ky është numri më i madh i regjistruar që prej luftës së dytë botërore.

Lowcock tha se OKB do të ndihmojë rreth 109 milionë nga këta persona dhe për ta bërë këtë, i nevojiten 29 miliardë dollarë. Yemeni do të qëndrojë vendi me krizën humanitare më të keqe në botë, me thuajse 80% të popullsisë apo 24 milionë njerëz, në nevojë për ndihma.

Konflikti në Siri po vazhdon të nxisë krizën më të keqe botërore të refugjatëve,  në 6.5 milionë, ndërsa në Venezuelë, kriza ekonomike po detyron shumë njerëz që të largohen.  Organizata e Kombeve të Bashkuara parashikon se, nëse asgjë nuk bëhet për të trajtuar konfliktet, apo ndryshimin klimatik, më shumë se 200 milionë njerëz mund të kenë nevojë për ndihma në vitin 2022.

Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.