Revista Mjedisi Sot


Mjedisi Sot 154

Afër detit, afër mbretit! Kjo shprehje e qëmoçme ka pasur kuptimin e saj, për privilegjin e njerëzve që jetojnë, punojnë dhe komunikojnë me detin. Për ne, që kemi jetuar gjithmonë afër tij, ai është bërë pjesë e jona, paçka se nuk e kuptojmë gjithmonë përse.

Fatmirësisht, këto 25 vitet e fundit qeveritë shqiptare, falë zhvillimeve të jashtëzakonshme që kanë bërë në shkencat e komunikimit, kanë filluar të komunikojnë dhe me detin e t’i plotësojnë të gjitha dëshirat e tij.

U ankua deti se ishte pak i vetmuar, e ne me vrap i ndërtuam një seri vilash, pallatesh, diskosh e rrugësh që të kishte me çfarë të merrej e të mos i lodhej syri duke parë gjelbërimin përtej.

U ankuan valët se vriteshin kur përplaseshin në breg, e ne të prekur në sedër, i ndërtuam gjithëfarë valëpritësish, dallgëthyesish, pistash e molesh që valët të ishin të sigurta dhe të hipnin sipër rërës bezdisëse.

Folën dhe peshqit se kishin kohë që hanin vetëm ushqim bio, e u solidarizuan edhe njerëzit e largdetit ku në çdo përrua, rrëke apo lumë bëhej garë solidariteti për të ushqyer peshqit e shkretë me plastikë, gomë e çfarëdo materiali që mund t’iu siguronte një dietë të plotë kimike.

Deti do të kërkojë përsëri dhe të gjithë do ta përkthejnë përsëri në çfarë i duhet! Në fakt, unë them që në fund të fundit, le t'i lemë ca kohë pa ia plotësuar dëshirat Adriatikut e Jonit tekanjoz!

Në fund të fundit, jemi dhe republikë parlamentare dhe nuk do t’i rrimë ngjitur, siç i rrinte mbreti!

Shkarko


Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.