Revista Mjedisi Sot


Mjedisi Sot 152

“Mos e ler kafshatën e fundit, se është gjynah!”. Me siguri kjo të kujton shprehjen e gjysheve dhe fuqinë që i jepte herë varfëria e here nikoqirllëku, besëtynisë së kafshatës së fundit që asnjëherë nuk duhej lënë pa përfunduar.

Sot më shumë sesa bestytëni, kjo vjen si përgjigje emergjente ndaj konsumizmit global e përqafuar edhe nga vendet më të zhvilluara të botës, ku ndër nisma të tjera, në shumë ristorante gjoba që do t’ju duhet të paguani për ushqimin e pakonsumuar në pjatën e porositur është mesatarisht 5 € për 100 gramë ushqim.

Pëballë ekonomive të mëdha të cilat po përkrahin mekanizma për të ulur shkallën e konsumizmit, qëndrojnë statistikat e frikshme që tregojnë se 795 milionë njerëz në botë nuk arrijnë të kenë në dietën e tyre ushqimore sasinë minimale të ushqimit për të jetuar shëndetshëm dhe në mënyrë aktive, thënë ndryshe një në nëntë persona shkon në shtrat i uritur.

Por keqmenaxhimi zinxhir i ushqimit nga ferma, në tregje e deri në shtëpiat tona, nuk shqetëson vetëm të varfërit. Në Shqipëri mund të shquajmë nisma që nxisin qasje të barabartë në burime ushqimore, por këto hapa fillimisht vijnë si shkëndija të çështjeve më të mëdha sociale, pa u ndalur gjithmonë edhe në problematikën ekonomike dhe mjedisore të mbetjeve ushqimore.

Referuar kësaj të fundit, praktika e përdorur gjërësisht e rikthimit në formë mbetjesh në tokë dhe ujëra të produkteve ushqimore dhe bujqësore dhe më keq akoma, pa patur mundësinë për të qenë pjesë e zgjedhjes nga konsumatori, ndikon tepër negativisht në mjedis.

Ngarkesa e tokave tona me lëndë kimike të ndryshme, edhe pse në përgjithësi është shumë më e ulët se në disa vende të zhvilluara të Evropës, mbetet sërish e lartë. Ndër të tjera, edhe mbetjet ushqimore dhe plehrat organike të pa kalbura mirë janë burim ndotjeje, duke çliruar gaze të fuqishëm serë si metani. Gjithashtu, përpos gjurmës ekologjike të karbonit, mendoni për gjurmën ekologjike të ujit, për sasinë e burimeve ujore që përdoren për të prodhuar ushqime të pakonsumuara. Botërisht kjo përllogaritet afërsisht sa tri here vëllimi i liqenit të Ohrit. Mendoni edhe llojet e rrezikuara të faunës duke shfrytëzuar më shumë territore si pasojë e kërkesës për më shumë ushqim të panevojshëm, dhe të gjitha këto e të tjera të papërmendura, nuk kanë nevojë për imagjinatë të zhvilluar.

Në kohërat e kërcënimit të prodhimtarisë nga ndryshimet klimatike, të globalizimit të tregjeve ushqimore dhe shtimit të rasteve ku ushqimi rrit kilometrat por jo cilësinë, të mbetjes stok të prodhimit bujqësor, të mungesës së stabilitetit të çmimeve për të njejtin produkt, të sistemeve ekonomike që me politikat e tyre trondisin ekuilibrat natyrorë, të sëmundshmërisë në rritje prej kequshqyerjes, të largësisë më të madhe në marrëdhënien me natyrën, të shpyllëzimit për kullotjen e kafshëve për më shumë prodhim, të shpërdorimit të ujit, të urbanizimit shpeshherë edhe të zhdukjes së tokave bujqësore, të humbjes së identitetit lokal të ushqimeve… në këto kushte a mundemi ende ta trajtojmë ushqimin si dhuratë dhe si pasuri nga ferma në tavolinë?

Shkarko


Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.