Revista Mjedisi Sot


Mjedisi Sot 149

Ndërkohë që Qeveritë shqiptare ndër vite janë përpjekur të përmirësojnë kuadrin ligjor dhe rregullator për energjinë, duke vendosur qëllime ambicioze dhe shumë të dëshiruara, përkthimi i tyre në realitetin e qytetarëve të vendit është akoma në nivele modeste.

Madje, shumë nga këto politika kanë krijuar amulli duke u përdorur në forma, që në vend që të ulnin ndikimin në mjedis, kanë tjetërsuar dhe mjediset e virgjëra në Shqipëri e kanë shtuar edhe më shumë ndotjen. Objektivat ambicioze, si objektivi kombëtar për të prodhuar 38% të energjisë që konsumohet nga burime të rinovueshme, deri në vitin 2020, ka lëshuar investitorët drejt çdo rryme ujore në vend.

Një numër i madh (rreth 500 leje) HEC-esh të vegjël kanë nisur punën duke tjetërsuar zona të pasura natyrore dhe me rëndësi të veçantë për banorët vendas dhe turistët. Skemat mbështetëse për promovimin e përdorimit të energjisë nga burime të rinovueshme në sektorin e transportit janë edhe më ambicioze. Shumë shpejt pritet që ligji aktual “Për prodhimin, transportimin dhe tregtimin e bio-karburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport”, të parashikojë që, duke filluar nga viti 2016-të, sasia minimale vjetore e bio-karburanteve dhe e lëndëve të tjera djegëse të rinovueshme që përdoren për transport, të mos jetë më pak se 10% e totalit të lëndëve djegëse të tregtuara në treg.

Por, sipas Inspektoriatit Qendror Teknik, i cili ka analizuar për rreth një vit cilësinë e karburanteve në tregun shqiptar të pakicës, në asnjë rast, asnjë nga kampionet e marra nga pikat e tregtimit, qoftë gas oil apo benzinë, nuk i përmbush normat e përcaktuara në ligj. Në raportin e zbardhur nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në nëntor 2014 mësohet se, nga 164 kampione të analizuara, që të gjitha kanë pasur përmbajtje të lartë squfuri, pjesa dërrmuese e të cilave mbi pesë herë më të lartë se norma e lejuar. Kjo, ndërkohë që Shqipëria aplikoi në COP21 për të reduktuar gazet serrë në territorin e Shqipërisë me 7% deri në 2030-ën.

Në këto kushte, ku si dhe në shumë sektorë, ka një shkëputje të madhe mes realitetit dhe pritshmërisë, Shqipëria ka mbi të gjitha nevojë të vendosë prioritete të mirëmenduara dhe të nisë kryesisht me qytetarin. Suksesi me qytetarin (banesën) është me përfitim të dyanshëm, ndaj dhe mundësia për sukses mbetet e lartë. Sektorët e tjerë do të duhen vite dhe shumë seriozitet që të mund të prodhojnë rezultate në favor të efiçensës dhe uljes së ndikimit në mjedis nga ky sektor.

Në këtë numër do të gjeni arsyet pse shoqëria civile shprehet kundër investimit tek Parku i Liqenit Artificial të Tiranës, më tepër informacion për Paketën e Ajrit, do të mësoni për ndërtesat e banimit në Shqipëri lidhur me shndërrimin e tyre për shkarkime të ulta karboni në të ardhmen, njohuri mbi përdorimin e biomasës dhe kurrikula universitare në raport me tregun e efiçensës së energjisë. Banka ProCredit prezanton investimet Eko në banesa dhe biznese, gjithashtu shembuj suksesi në përdorimin e energjive të rinovueshme në qendrat shëndetësore, detaje rreth funksionimit të Qendrës së Informacionit për efiçensën e energjisë dhe fuqizimi i menaxhimit të mbetjeve në Bashkinë Dibër.

Shkarko


Qëndroni më të informuar për mjedisin

Regjistrohuni për të marrë përmbledhjen ditore të lajmeve mjedisore në e-mailin tuaj.