Mjedisi Sot 147
… raftet frigoriferik plot ndriçim të supermarketit me emër, gëlojnë nga frutat e zarzavatet e shumëllojshme. Për një moment pyet veten: cilat janë të sezonit, e cilat jo?
Pavarësisht stinës, ato i gjen në çdo kohë, ‘në formë’ të përkryer e plot shkëlqim, si për të justifikuar rrugëtimin e gjatë që provohet nga etiketa e eksportit. Sidoqoftë nuk ta mbushin mendjen, ndaj del. … në ajrin rënduar nga pluhuri e vapa në dalje të supermatit tregtarët ambulantë të produkteve bujqësore përpiqen të shesin plot përzemërsi prodhimin e tyre të vetëquajtur ‘bio’, nga baçja apo parcela në zotërim.
Në kaos e rrëmujë mund të gjesh fruta apo zarzavate vërtet të mira të stinës, ndërkohë që pak prej këtyre fermerëve vërtet e kuptojnë çdo të thotë një produkt organik. Të prodhosh ushqim organik do të thotë ta rehabilitosh për 3 vjet tokën që deri më sot e ke punuar keq e trajtuar me pleh kimik; të ndalosh kategorikisht përdorimin e plehrave kimikë apo pesticideve dhe t’ja shërbesh prodhimin konsumatorit pa konservues. Por, edhe një tjetër detaj kyç që në Shqipëri e harrojmë: produkti duhet të jetë i çertifikuar.
Të gjitha këto kërkojnë një sistem të qëndrueshëm të të bërit bujqësi, që në përzgjedhjen dhe kultivimin e farës e deri tek shporta në treg. Për fat të keq, pas shumë viteve, mendësitë e ‘bujqësisë konvencionale’ janë brumosur thellë në bujkun e vetmuar shqiptar, që në informalitet lufton për mbijetesë. Duke marrë në konsideratë begatinë e tokave shqiptare, tashmë ofrohen përvojat e suksesshme të teknikave e praktikave të të bërit bujqësi organike, si dhe mbështetja e duhur për individë apo grupe biznesi, për të menaxhuar produktet në treg. Kjo me një kosto shumë të ulët. Por, në Shqipëri kjo nuk po njeh zhvillim. Aktualisht mungon ndërgjegjësimi dhe informimi i konsumatorit, por edhe i vetë fermerëve mbi rëndësinë që produktet bujqësore organike kanë për shëndetin e rrjedhimisht edhe për tregun.
Si rezultat produktet shqiptare organike sot mund t’i sigurosh duke i mbjellë vetë në vazo apo baçe, ose me fat mund t’i rastisësh në tregun informal. Kjo pasi dëshpërimisht prodhimi cilësor organik shqiptar vazhdon të luftojë për të hapur dyert e ftohta të supermarketeve që me indiferencë kërkojnë çertifikatën. Atë çertifikatë që produktet aspak organike të eksportit, madje më keq akoma, ‘të modifikuara gjenetikisht’ e kanë siguruar më së miri. Në fund të fundit zgjedhja mbetet individuale, jo vetëm për fermerin, por më së shumti për konsumatorin, i cili supozohet të drejtojë edhe kërkesën në treg, duke bërë zgjedhjen me mendimin: ‘jemi, ajo çfarë hamë’…
